Inteligjenca Artificiale dhe impakti i saj në rritje si tek individët ashtu edhe tek bizneset është një prej çështjeve më të diskutuara në ditët e sotme. Që nga asistentët virtualë, e deri tek aplikacioni chatbot të krijuar nga Facebook dhe Drift, Inteligjenca Artificiale po e rrit gjithnjë e më shumë ndikimin e saj në jetën e konsumatorëve.
Sipas një studimi të fundit të kryer nga Statista, numri i konsumatorëve që përdorin asistentë virtualë në mbarë botën pritet të tejkalojë shifrën prej një miliard deri në fund të vitit 2018. Përveç kësaj, sipas një sondazhi tjetër të kryer nga Accenture u parashikua se 37 për qind e konsumatorëve amerikanë do të kenë një asistent dixhital zanor (DVA) deri në fund të vitit 2018.
Është shumë e qartë se si teknologjia e Inteligjencës Artificiale po ndikon gjithnjë e më shumë në jetën tonë të përditshme, por ajo gjithashtu po ndikon fuqishëm edhe në sektorin bankar. Më poshtë do të njiheni me pesë mënyrat sesi Inteligjenca Artificiale është duke e transformuar industrinë bankare.
Automatizimi i shërbimit të klientëve
Teksa teknologjia e procesimit të zërit po zhvillohet gjithnjë e më shumë, për njerëzit po bëhet gjithnjë e më të vështirë të bëjnë dallimin ndërmjet një zëri njerëzor dhe një zëri robotik të një përfaqësuesi të shërbimit të klientit në bankë. Përfitimet e bankave ndaj automatizimit të shërbimit të klientit janë të dukshme: Inteligjenca Artificiale mund të çojë në reduktime të konsiderueshme të kostos. Sipas një studimi të kohëve të fundit të kryer nga Autonom, u parashikua se Inteligjenca Artificiale mund të çonte në reduktimin e 1.2 milionë vendeve të punës në industrinë bankare, duke i kursyer këtij sektori deri në 450 miliardë dollarë amerikanë deri në vitin 2030.
Përpos premtimeve të shumta, bankat duhet të tregohen edhe shumë të kujdesshme në procesin e automatizimit të shërbimit të klientit. Asistentët zanorë dhe aplikacionet chatbot mund të punojnë më mirë nëse ato i ndihmojnë punonjësit njerëzore dhe jo nëse ato i zavendësojnë ata.
Një shembull sesi bankat po bashkëpunojnë në mënyrë krijuese me Inteligjencën Artificiale është ai i bankës zviceriane UBS. Kjo bankë e renditur në vend të 35 globalisht për vëllimin e saj të aseteve, renditje kjo e bërë sipas Accuity gjatë këtij viti, ka bashkëpunuar me Amazon për të inkorporuar shërbimin e saj “Ask UBS” në pajisjet e altoparlantëve Echo.
Personalizimi
Bankat kanë akses në një numër të madh të dhënash të klientëve të tyre, duke përfshirë demografinë e detajuar, analitikën e website-it dhe regjistrimet e transaksioneve online dhe offline. Duke përdorur machine learning për të integruar dhe analizuar informacionin nga burime të shumta të dhënash, në mënyrë të tillë që konsumatorët të krijojnë një ide sa më të qartë (prej 360 gradësh), bankat janë më të pozicionuara për të personalizuar produktet, shërbimet dhe ndërveprimet, bazuar në sjelljen e klientëve të caktuar.
Në këtë drejtim, Santander, banka e 14-të më e madhe në botë, sipas aseteve të saj aktuale, zhvilloi një konkurs ku ftonte të gjithë shkencëtarët që të gjenin kode që lidhinin në mënyrën më të mirë të mundshme “produkte të caktuara me njërëz të caktuar”.Çmimi për fituesin është 60, 000 dollarë amerikanë.
Siguria
Në industrinë bankare dhe atë të pagesave, personalizimi shkon përtej marketingut dhe personalizimit të produkteve. Një numër bankash në rritje po përdorin të dhëna biometrike, si shenjat e gishtërinjve, për të zëvendësuar ose për të bërë sa më të sigurta fjalëkalimet dhe format e tjera të verifikimit të klientëve të tyre.
Referuar një raporti të Goode Intelligence, parashikohet se deri në vitin 2021, 1.9 miliardë klientë të bankave do të përdorin një prej formave të identifikimit biometrik. Sipas një shkrimit të botuar në “The Guardian” u raportua se banka angleze Halifax ka eksperimentuar me krijimin e disa byzylykëve me Bluetooth, të cilët në bazë të rrahjeve të zemrës së klientit verifikojnë numrin e tij të llogarisë bankare dhe më pas aksesin në të.
Format e mësipërme, apo të tilla si njohja faciale apo verifikimi i blerjeve duke përdorur Apple Pay po bëhen gjithnjë e më shumë të sofistikuara dhe të sigurta, ndaj edhe përdorimi i tyre po rritet.
Procesi i automatizimit
Një nga aplikacionet më premtuese të Inteligjencës Artificiale në sektorin bankar vjen nga automatizimi i proceseve me volum të lartë por pa ndonjë rëndësi të madhe. Në një shembull, të raportuar nga McKinsey, JPMorgan filloi përdorimin e aplikacionit chatbots për të përpunuar kërkesat e brendshme në lidhje me Teknologjinë e Informacionit, duke përfshirë përpjekjet e punonjësve për të rivendosur fjalëkalimet e tyre të punës. Deri në 1.7 milionë kërkesa janë trajtuar nga aplikacionet chatbots në 2017, duke zëvendësuar punën e 40 punonjësve me orar të plotë.
Parandalimi i mashtrimeve
Aftësia e Inteligjencës Artificiale për të indentifikuar modelet që mund të mos kapen nga syri njerëzor, dhe të cilat mund të jenë burim mashtrimi është një ndër pikat e saj më të forta.
Sipas McAfee, krimi kibernetik i kushton ekonomisë globale 600 miliardë dollarë. Inteligjenca Artificiale dhe zgjidhjet e ndryshme nëpërmjet machine learning po përdoren nga shumë institucione të shërbimeve financiare për të zbuluar mashtrimet në kohë reale. Sipas Tech2, Mastercard reduktoi mashtrimet ndaj klinetëve të saj, deri në 80 për qind, vetëm duke përdorur Inteligjencën Artificiale.
Teknologjia financiare është ende në fazat e saj të para, por së bashku me Inteligjencën Artificiale, ajo ka pasur një ndikim shumë të madh në mënyrën sesi bankat tradicionale po bëjnë biznes.
Burimi: The Entrepreneur