Teksa grupe të mëdha turistësh po e vizitojnë Tiranën gjithnjë e më shumë, shumë prej nesh janë kureshtarë të dinë se çfarë ofron Kryeqyteti për udhëtarët e Europës së qytetëruar dhe vizitorët e Azisë së largët.
Bashkia e Tiranës ka listuar 53 objekte dhe vende të cilat sugjerohen për tu parë nga turistët. Kjo ofertë turistike e kryeqytetit dominohet më së shumti nga objektet e kohës së Zogut dhe ndërtesat e periudhës së komunizmit, teksa mungojnë muzetë dhe objektet me histori më të hershme.
Pjesë e guidave janë ndërtesat qeveritare të kohës së Zogut, që përfaqësohen me rezidencën mbretërore dhe shumë objekte me pronësi publike dhe private që janë ndërtuar kryesisht në periudhën e Mbretit Zog. Pallatet e shallvareve, Pallati i Brigadave, Banka e Shqipërisë, Godina e Universitetit, salla e Kuvendit, Biblioteka etj, janë me tipiket.
Ndër objektet e kohës së Zogut, spikat edhe Ambasada e Selisë së Shenjtë, Vatikanit në Shqipëri, që është ndërtuar në vitin 1931 dhe ka qenë shtëpia e Abedin Libohoves.
Gjithashtu si atraksion turistik nga periudha e Zogut janë sarajet e Toptanëve të cilat u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental.
Më pas atraksionet turistikë të Tiranës vijnë me një seri objektesh nga koha e komunizmit duke nisur që nga rezidenca e diktatorit, Piramida, ish -kombinati tekstil, Godina e Ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”, Pallati i Kongreseve, Pallati i Kulturës, etj
Siç shihet nga atraksionet që Bashkia e Tiranës i konsideron të admirueshme për turistët mungojnë tërësisht muzetë. Tirana është e varfër në këtë aspekt. Edhe disa prej tyre që funksionin para vitet 1990 nuk janë të vizitueshëm. I vetmi, Muzeu Kombëtar i vizitueshëm nuk është i listuar në listën e atraksioneve.
Më tej Bashkia e Tiranës ofron si atraksione edhe parqet natyrore, si Parkun e Liqenit, parkun Rinia, Kopshtin Botanik dhe atë Zoologjik.
Agjencitë turistikë pohojnë se me të vizituarat në Tiranë janë Ish-vila e diktatorit, Enver Hoxha dhe monumenti i Komunizmit me bunkerin në krah të Kuvendit. Shoqëruesit e grupeve turistike pohojnë se,të huajt janë shumë të interesuar për historinë dhe objektet që lidhen me periudhën e komunizmit.
Lista e atraksioneve turistike në Kryeqytet e ofruar nga Bashkia e Tiranës
1-Ambasada e Vatikanit
2-Banesa e Shijakasve
3- Banka e Shqipërisë
4-Biblioteka-Kombetare
5-Galeria Kombëtare e Arteve
6-Sheshi Skënderbe
7-Instalacioni “Reja”
8-Bulevardi Dëshmorët e Kombit
9-Instituti “HarryFultz”
10-Ish Ambasada Jugosllave
11-Ish vila e Enver Hoxhës dhe Blloku
12-Ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”
13-Ish-Kombinati Tekstil
14-Këmbana e Paqes
15-Kopshti Botanik
16-Kopshti Zoologjik
17-Mauzoleu i Familjes Mbretërore Shqiptare
18-Medreseja e Tiranës
19-Memoriali “Post Bllok”
20-Memoriali “Vëllezërit Frashëri”
21-Monumenti i Partizanit të Panjohur
22-Mozaiku i Tiranës
23-Ndërtesa e vjetër e Bibliotekës Kombëtare
24-Pallatet e Shallvareve
25-Pallati i Kongreseve
26-Pallati i Kulturës
27-Pallati Presidencial (Pallati i Brigadave)
28-Parku i Madh (Liqeni Artificial)
29-Parku “Rinia”
30-Pazari i Ri
31-Pedonalja “MuratToptani”
32-Piramida
33-Monumenti i Skënderbeut
34-Rezidenca e Familjes Mbretërore
35-Kuvendi, Salla Plenare e Kuvendit të Shqipërisë
36-Sarajet e Selim Pashë Toptanit – Selamllëku
37-Selia e Akademisë së Shkencave
38-Selia e Kryeministrisë
39-Selia e Presidencës
40-Shtëpia e Lindjes “Mbretëresha Geraldinë”
41-Teatri Kombëtar
42-Teatri Kombëtar për Fëmijë (Teatri i Kukullave)
43-Tyrbja e Kapllan Pashës
44-Tyrbja e Nuses
45 -Universiteti i Arteve
46-Universiteti i Tiranës
47-Ura e Brarit
48-Ura e Tabakëve
49-Varrezat e Dëshmorëve dhe monumenti Nëna Shqipëri
50-Varrezat e Ushtarëve Anglezë
51-Varrezat e ushtarëve gjermanë
52-Varri i Faik Konicës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.