Të shumtë janë faktorët që mund të ndikojnë negativisht në karrierën tuaj, madje pasojat mund të shkojnë deri aty sa karriera juaj të shkatërrohet plotësisht.
Sipas një studimi të fundit të kryer nga Vital Smart, 83% e të anketuarve pranuan se kanë ndërmarrë hapa të gabuar gjatë karrierës së tyre.
32% u shprehën se humbën ngritjen në detyrë.
29% u shprehën se kanë pasur probleme me kolegët e tyre.
12% u shprehën se humbën edhe vendin e punës.
Të dhënat e mësipërme tregojnë qartësisht se si mund të shkatërrohet karriera juaj nëse ju nuk tregoheni të kujdesshëm.
Më poshtë do të lexoni 6 gjëra ndaj të cilave duhet të tregoni kujdes:
Lojë politike
Të punosh për vite të tëra për të ndërtuar marrëdhënie të forta dhe të qwndrueshme në punë ka ndryshim shumë të madh nga marrëdhëniet e tensionuara mes kolegësh, ku ju duhet të pozicionoheni në njërin krah apo në tjetrin, duke iu nënshtruar rregullave të lojës politike. Prandaj duhet të tregoheni të kujdesshëm që të mos bini pre e strategjive të tilla.
Premtime boshe
Një prej problemeve më të mëdha të një numri të madh njerëzish, janë premtimet e shumta që ata bëjnë, edhe pse të ndërgjegjshëm për faktin se jo të gjitha mund t’i përmbushin. Një pjesë e këtyre njerëzve bien në këtë tundim për faktin e vetëm se nuk thonë dot “jo”. Duhet të tregoheni të kujdesshëm në këtë pikë, sepse premtimet boshe janë një prej faktorëve kryesorë që i bëjnë kolegët të humbasin besimin tek ju.
Bashkëpunimi
Bashkëpunimi ose puna në grup është një prej elementëve kryesorë që të çon drejt suksesit. Këshillohet që njohuritë e reja që keni marrë t’i ndani edhe me kolegët tuaj, sepse kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e produktivitetit në punë.
Frika ndaj ndryshimit
Nëse ju bëni pjesë në atë grup njerëzish që kanë frikë nga ndryshimet, atëherë jeni më të predispozuar për ta shkatërruar karrierën tuaj brenda një kohe shumë të shkurtër, sepse teksa koha ecën përpara dhe kolegët tuaj përparojnë, ju vazhdoni të mbeteni në të njëjtin nivel.
Ego verbuese
Gjithkujt prej nesh mund t’i këtë qëlluar të punojë me njerëz shumë të suksesshëm. Por të shumta kanë qenë edhe rastet kur po këta njerëz të suksesshëm kanë shkatërruar karrierën e tyre, sepse kanë rënë pre e një egoje verbuese, e cila i ka errur sytë për pushtet.
Vetëvlerësim i ulët
Kjo pikë është e kundërta e asaj të mësipërmes. Vetëvlerësimi i ulët është një prej faktorëve që mund të ndikojnë negativisht në karrierën tuaj madje mund të çojë deri në shkatërrimin e saj.