Ndërsa Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar rënie në vend në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipërmarrjet ndërkombëtare u janë gëzuar fitimeve më të larta të transferuara nga degët e tyre në Shqipëri.
Sipas statistikave të Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë, zëri i “të ardhurave nga investime-debi”, i cili në pjesën më të madhe tregon transferimet e fitimeve jashtë, për gjashtëmujorin e parë të vitit ishte 74 milionë euro, duke u rritur me 54% (kompanitë e huaja transferojnë kryesisht fitimet e vitit 2013). Peshën më të madhe në këtë zë e kanë kompanitë me kapital të huaj të telefonisë celulare (AMC e Vodafone, ndërsa Albtelecom + Eagle rezultoi me humbje për vitin 2013) dhe bankat (gati 90% e aktiveve të sistemit bankar është me kapital të huaj).
Sipas të dhënave që “Monitor” disponon nga bilancet e kompanive, fitimi i kompanive celulare dhe bankave kryesore të huaja në vend, në total, është tkurrur me rreth 14% me bazë vjetore në vitin 2013.
Ndërkohë, të dhënat e ecurisë së investimeve të huaja treguan për një rënie në gjashtëmujorin e parë 2014, me 13.5%, në 334 milionë euro, pikërisht si rrjedhojë e tkurrjes së investimeve në shërbime financiare e telekomunikacion, duke konfirmuar prirjen e kompanive të huaja për të investuar më pak në Shqipëri dhe për të çuar më shumë fitime te mëmat, që janë të uritura për cash, në këto kohë të vështira ekonomike.http://www.monitor.al/bien-investimet-e-huaja-direkte-nga-telekomunikacionet-dhe-sherbimet-financiare/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.