A keni dashur ndonjëherë të kishit 30 orë në ditë për të bërë më shumë gjëra.
Sa të lodhur mund të ndiheshit më pas? Ju mund të ndiheni që tani të lodhur pasi keni punuar për tetë orë.
Nëse po përpiqeni të gjeni një ekuilibër mes jetës profesionale dhe asaj personale, ndërkohë që përpiqeni të rrisni produktivitetin duke mos shkatërruar shëndetin në këtë proces, kini parasysh këtë gjë – të jeni më produktivë nuk do të thotë që të punoni më gjatë, por do të thotë të punoni në mënyrë më inteligjente.
1.Reduktoni shpërqendrimet
Shpërqendrimi është armiku më i madh i produktivitetit. Për të shfrytëzuar sa më mirë ditën tuaj, qëndroni larg çdo gjëje që ju pengon që të jeni të përqendruar dhe produktivë. Analizoni vendin tuaj të punës. Tingujt/zhurmat, ndriçimi, arredimi u ambientit – a përbëjnë gjithë këto një problem? Përpiquni të gjeni një hapësirë tjetër për të punuar, apo të gjeni një mënyrë për të punuar nga shtëpia. Çelësi i gjithë kësaj është të gjeni se cilët janë faktorët që ju shpërqendrojnë për të qenë produktivë dhe të gjeni një zgjidhje për këtë gjë.
2.Vendosni disa kufizime
Cila është gjëja më e rëndësishme për ju? Çfarëdo që të jetë, përqendrojeni gjithë energjinë tuaj në ato gjëra. Merrni si shembull miliarderin Warren Buffet. Me gjithë angazhimin e tij të madh çdo ditë, Buffet mësoi kohë më parë se gjëja më me vlerë është koha. Ai e mësoi këtë dhe e praktikon duke vendosur kufizime për veten.
Buffet ka thënë njëherë se “ndryshimi mes njerëzve të suksesshëm dhe njerëzve vërtet të suksesshëm është se njerëzit vërtet të suksesshëm thonë ‘jo’ në thuajse çdo gjë”.
3.Thjeshtoni
Njerëzit produktivë janë mjeshtër në thjeshtimin e gjërave që për ta kanë më shumë rëndësi. Ata bëjnë një planifikim të thjeshtë. Ata jetojnë në përputhje me vlerat dhe qëllimin e tyre. Ata nuk e kanë problem që t’u thonë ‘jo’ njerëzve apo gjërave që për ta nuk kanë rëndësi.
4.Ushtroni teknikën e “Pomodoro”
Nëse bëhet në mënyrë korrekte, metoda klasike e menaxhimit të kohës mund t’ju ndihmojë t’i bëni gjërat në një kohë të shkurtër. Së pari ju duhet të përcaktoni gjërat që duhet të eliminoni nga lista e gjërave për t’u bërë. Thelbi i kësaj teknike është përqendrimi te pushimet e shkurtra, ndërkohë që ju ndihmon edhe në fokusimin te aktivitetet e ndryshme pa shpërqendrime.
5.Bëni më shumë pushime
Kjo tingëllon e kundërta e të qenët më shumë produktivë, por sipas një artikulli në “New York Times”, studimi tregon se “ushtrimet gjatë ditës, pushimi gjatë pasdites, më shumë orë gjumi, më shumë kohë jashtë zyrës dhe pushime më të gjata dhe më të shpeshta” në fakt rrisin produktivitetin dhe performancën tuaj. E vërteta është se qeniet njerëzore nuk janë në gjendje të përqendrohen më shumë se tre orë. Çdo gjë që do të bëni pas tri orëve pa një pushim do të ketë efekte negative në vendimmarrje, në produktivitet, madje edhe në shikim.
6.Planifikoni listën e punëve për t’u bërë
Kjo gjë do t’ju ndihmojë të jeni më realistë në gjërat që doni të bëni. Cal Newton, autor i “Deep Work: Rules for Focused Success in a Distracted World” thotë se “planifikimi ju detyron të përballeni me realitetin, se sa kohë keni në dispozicion dhe sa kohë do t’ju duhet për një detyrë e caktuar. Tani që ju keni një pamje të plotë të së gjithë tablosë, ju do të jeni më shumë produktivë. Jo vetëm që do të punoni më shumë, por do të jeni në gjendje të punoni edhe në vende ku mund të jepni më të mirën në punën tuaj”.
*Marcel Schwantes, Founder and Chief Human Officer, Leadership From the Core
Burimi: INC