Vetëm nëse jeni shumë të pasur, nuk e vëreni se kokoshkat që shiten në kinema dhe teatër janë shumë të shtrenjta. Megjithatë, për arsye të panjohura, të gjithë konsumatorët derdhin para për kokoshkat në kinema.
Kokoshkat e Kinemasë
Në supermarket, një qese kokoshkash që përgatitet në mikrovalë, shitet për më pak se 3 USD. Atëherë, pse konsumatorët blejnë një qese të vogël kokoshkash për 6 USD në kinema? Askush nuk mund të gjejë një përgjigje të saktë për këtë fenomen, por për një arsye apo tjetrën, kushdo që shkon në kinema, blen një qese të shtrenjtë kokoshkash për të shoqëruar filmin e preferuar.
Duke marrë parasysh se kinematë i marrin kokoshkat me shumicë në çmim tepër të lirë, çmimi pëson një rritje prej 1275% në raport me koston! A thua se këto qeska me misër dhe pak gjalpë e kripë janë të lyera me ar!
Kartolinat e urimit
Si ka mundësi që një copë letër e palosur kushton 2.99 USD? Sepse dikush ka stampuar aty një imazh të bukur të shoqëruar me një mesazh të ngrohtë urimi, dhe ka vendosur në pjesën e prapme një logo të mirënjohur. Njerëzit shpenzojnë orë të tëra duke kërkuar në raftet e kartolinave, për mesazhin ideal për raste ditëlindjesh, përvjetorësh dhe shumë evenimentesh të rëndësishme. Kartolinat e urimit kushtojnë nga 2 deri 4 USD, dhe konsumatorët nuk mendojnë dy herë për pagesën e tyre. Çmimi në shitje pëson një rritje nga 100 deri 200% në raport me koston. Kur mendon sa shumë karta mund të blihen në një vit dhe kur merret parasysh çmimi i lartë i tyre, a nuk është më mirë të krijoni kartat tuaja dhe t’i personalizoni ato?
Librat universitarë
Sikur të mos mjaftonin kostot e larta të arsimimit, prindërit dhe të rinjtë përballen edhe me një kosto tjetër të madhe: librat akademikë të universitetit. Sipas Bordit të Kolegjeve, studentët e kolegjeve publike në Amerikë paguajnë 1,168 USD në vit për libra dhe aksesorë të tjerë akademikë në 2011-2012. Fatkeqësisht, blerja e këtyre librave është e domosdoshme për studentët. Megjithatë, ata mund t’i kthejnë librat në bibliotekën e shkollës për një shumë qesharake në krahasim me koston e tyre.
Uji në shishe
Shumë njerëz, të cilët blejnë ujë në shishe, tregohen tërësisht naivë, për arsye se uji është një nga burimet më të pashtershme të planetit tonë dhe mund të merret falas nga shumë burime dhe lavamanë shtëpish. Megjithatë, shumë konsumatorë paguajnë 3 USD për një shishe ujë. Në vitin 2009, Kongresi Amerikan publikoi se 45% e ujit në shishe vjen nga uji i çezmës dhe më pas kompania që e tregton mund të aplikojë disa filtrime bazë të ujit para se ta paketojë në shishe.
Boja e printerit
Mund të arrini të blini një printer special dhe ekonomik në dyqan, por mos u entuziazmoni shpejt! Kompanitë prodhuese të printerëve bëjnë më shumë para me bojën që prodhojnë! Gjatë përdorimit të printerit tuaj, ju mund të paguani më shumë se 500% të çmimit total të printerit vetëm me bojë dhe rimbushje të depozitës së bojës. Me 30 USD, një depozitë 42 ml boje të zezë vlen 71 cent për ml. Nga ana tjetër, Kryqi i Kuq tarifon 200 USD për 500 ml gjak, që llogaritet 40 cent për ml.
Veshjet firmato
Sa shumë paguani për një palë xhinse “Denim”, një shall “Burberry” dhe një palë këpucë me taka “Louboutin”? Ndoshta një pasuri të vogël? Ia ka vlejtur çdo qindarkë, apo jo? Mendohuni edhe një herë. Kur flitet për veshjet firmato, duhet të dini se jeni duke paguar për markën. Në fakt, rrobat firmato pësojnë një rritje çmimi nga 500 deri 1000% në raport me koston reale. Megjithatë, konsumatorët vazhdojnë të zbrazin kuletat dhe llogaritë bankare, për të qenë në një hap me modën dhe firmat e shumta të veshjeve në treg.