7 mënyra të këqija për të drejtuar një ekip

20/02/2019 4:07 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Thjesht sepse ju zotëroni një pozicion të lartë në hierarki, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që ju jeni një “lider”… Edhe pse shumë e mbajnë një titull të tillë, janë liderë të tmerrshëm

 

Leadership nuk do të thotë: “Hej, ti, shko të bësh këtë gjë për mua”. Kur mendojmë për leadership-in, ne priremi të mendojmë në terma hierarkie – ata që janë “në krye” konsiderohen gjithnjë “liderët” dhe ata që janë në nivele më të ulëta konsiderohen “ndjekësit”.

Problemi në këtë lloj perspektive, le të tregohemi të sinqertë, është se, pavarësisht faktit se ju keni një pozicion në krye të kësaj hierarkie, nuk do të thotë se domosdoshmërisht jeni “lider”. Megjithatë, shumë njerëz mbajnë me krenari titullin e tyre, duke injoruar në të njëjtën kohë se janë në fakt, liderë të tmerrshëm.

Nëse jeni drejtues, mos bini në grackën e këtyre gjërave, thjesht sepse keni një pozicion të tillë.

1.Ju prisni që të tjerët të ndjekin rregullat që ju vetë nuk i zbatoni

Ky është gabimi më i madh në leadership. Ju nuk mund dhe nuk duhet të prisni nga të tjerët që të ndjekin rregullat, kodet, proceset dhe gjithçka tjetër, nëse ju vetë nuk i ndiqni ato. Nëse ju nuk vini në punë në orar, mos prisni që të tjerët ta bëjnë këtë gjë. Nëse nuk jeni i organizuar, mos prisni që të tjerët poshtë jush të kultivojnë zakone më të mira. Kur ju jeni lider, ju nuk e kuptoni se sa shumë ndikoni tek ekipi juaj, edhe në zakone të vogla. Ju jeni lider për një arsye. Çdo gjë që ju bëni ka një qëllim, në mënyrë që ata që ju drejtohen të bëjnë gjithçka me një qëllim.

2.Ju nuk e mbani fjalën

Mënyra më e shpejtë për të humbur respektin (dhe të ngjallni pakënaqësi) si lider është që të thoni se do të bëni diçka dhe të mos e mbani fjalën. Së pari dhe mbi të gjitha (duke u kthyer sërish te pika 1) kjo nxit zakone të këqija tek ata që ju rrethojnë. Si lider, është e rëndësishme që ju të bëni gjërat që ju thoni se do t’i bëni. Dhe nëse nuk e bëni këtë, ju duhet të flisni përpara hapur me ekipin tuaj. Për ata që dëshirojnë të ngjiten në shkallët e karrierës dhe të bëhen lider, kjo është një këshillë e rëndësishme. Nëse doni të rriteni profesionalisht, kjo është një nga mënyrat më efikase për ta bërë këtë. Mbajeni fjalën. Kjo është e gjitha. Mbajeni fjalën dhe shumë shpejt njerëzit do të kuptojnë se jeni njeri i besuar – ata mund të mbështeten tek ju. Kjo do t’ju ndihmojë të arrini aty ku dëshironi.

3.Ju nuk e pranoni kur ju gaboheni

Disa “drejtues” besojnë se kur pranojnë se e kanë gabim, kjo është shenjë dobësie. Në fakt, nuk është. Të bësh diçka gabim dhe të mos e pranoni atë është një dobësi edhe më e madhe – ekipi juaj do të pyesë nëse mund të kenë ende besim tek ju. Nëse bëni një gabim, ose nëse keni gabuar, thuajeni. Kjo do të krijojë besim tek ekipi juaj – duke u treguar atyre se prisni të njëjtën gjë – përulësinë që jeni në gjendje të bëni një hap pas dhe të merrni përgjegjësitë që ju takon.

4.Ju bëni premtime të cilat nuk i mbani

Nuk ka asgjë më të keqe për një lider që të bëjë premtime të cilat ju e dini se nuk mund t’i mbani. Kjo sjell zhgënjim. Herës tjetër që ju thoni se do të bëni diçka për dikë, ata nuk do t’ju besojnë dhe akoma më keq, ata do të zemërohen me ju pasi mendoni se mund t’i gënjeni sërish dhe t’i bëni për budallenj.

5.Ju doni të jeni ylli

Si lider, është puna juaj që të frymëzoni, të drejtoni, të mësoni, të motivoni dhe të ndihmoni të tjerët që të jenë të suksesshëm. Nuk bëhet fjalë që të merrni vëmendjen e projektorëve. Liderët më të mëdhenj janë ata që, ashtu siç thoshte Steve Jobs, “i bien orkestrës”. Ata e dinë se si të bëjnë një hap pas dhe t’u japin të tjerëve mundësinë që të arrijnë suksesin. Për sa kohë ju dëshironi që të jeni ylli, me projektorët drejtuar tek ju, ju do të shfrytëzoni talentin rreth jush dhe do ta pengoni ekipin tuaj që të jetë i suksesshëm.

6.Ju kritikoni të tjerët, por nuk mund ta kritikoni veten

Kritika e shëndetshme është atëherë kur pjesëtarët e ekipit nxisin njëri-tjetrin të përmirësohen. Kritika negative nxit pasiguri, frikë dhe ju pengon që të rrezikoni. Nëse stili juaj i leadership-it është i shëndetshëm dhe pozitiv, prisni që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë me ju – gjë që do të thotë që edhe ju do të vijoni të rriteni dhe të përmirësoheni. Por nëse stili i leadership-it është i ashpër, atëherë prisni që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, ose më keq akoma – që të gjithë të heshtin.

7.Ju mendoni se mënyra juaj është e drejtë dhe e vetmja

Në fund, tema aq shumë e debatuar është se cila është “mënyra e duhur” për të bërë diçka. E vërteta është që pak gjëra kanë vetëm një mënyrë “të duhur” për t’i bërë. Pjesa më e madhe e jetës është subjektive dhe kjo gjë vlen edhe për punën. Diçka që është “kreative” për dikë mund të jetë “e mërzitshme” për dikë tjetër. Nëse jeni një lider që kërkon të ndërtojë një skuadër, është e rëndësishme të kuptoni që mënyra juaj nuk është domosdoshmërisht “e duhura”. Mund të jetë “një ndër” mënyrat e duhura, por nuk është “fundi i gjithçkaje”. Është e rëndësishme që ju ta kuptoni këtë gjë, ndryshe do të kultivoni te pjesëtarët e ekipit që të mos kërkojnë zgjidhjen më të mirë të problemit.

*Nicolas Cole
Burimi: The Ladders

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of