Vetëm tekstilet e këpucët po mbajnë pothuajse gjithë rritjen e eksporteve tona, por dhe ato po ngadalësohen, ndërsa grupi “minerale lëndë djegëse energji”, që kanë udhëhequr shitjet jashtë vendit në 2001-2013 tashmë po shënon rënie….
Eksportet kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e zgjerimit për periudhën janar-korrik 2014, duke zbritur për herë të parë gjatë këtij viti në rritje njëshifrore.
Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, në fund të 7 mujorit të parë 2014, eksportet arritën në rreth 153 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 7.6% me bazë vjetore. Për gjashtëmujorin rritja vjetore ishte 10.3%, ndërsa për katërmujorin 11.2%.
Vitin e kaluar, kur ekonomia u rrit me vetëm 0.4%, eksportet u zgjeruan me rreth 16%, duke u bërë një nga motorët kryesorë të zhvillimit. Por këtë vit, teksa sinjalet janë se ekonomia po gjallërohet, eksportet duket se po mbeten mbrapa. Vetëm tekstilet e këpucët po mbajnë pothuajse gjithë rritjen e eksporteve tona, por dhe ato po ngadalësohen, ndërsa grupi “minerale lëndë djegëse energji”, që kanë udhëhequr shitjet jashtë vendit në 2001-2013 tashmë po shënon rënie.
Sipas statistikave, eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 54.3 miliardë lekë për periudhën janar-korrik, duke përshpejtuar ritmet e rënies dhe duke u tkurrur me 7% me bazë vjetore (për gjashtëmujorin rënia ishte 3.3%). Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend, që tregton naftën bruto, ka pohuar se për gjashtëmujorin e parë 2014 kanë rritur eksportet me 20% me bazë vjetore. Tkurrja e këtij grupi duket se ka ardhur nga energjia, si rrjedhojë e motit të thatë dhe frenimi i shitjeve të kromit.
Ky grup po shfaq një ecuri tepër negative këtë vit, ndryshe nga 2013-a, kur eksportet e lëndëve djegëse, mineraleve e energjisë u rritën me ritme dyshifrore, duke udhëhequr gjithë eksportet shqiptare. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ra nga 41% në korrik 2013, në 35% në korrik 2014.
Industria e tekstileve e këpucëve vijoi ecurinë e mirë, por gjithsesi ritmet e rritjes u ngadalësuan në 25% për shtatëmujorin (në raport me 28.2% për gjashtëmujorin), duke arritur në rreth 52 miliardë lekë në fund të korrikut. Gushti pritet të jetë një periudhë qetësie për këtë industri, si rrjedhojë e pushimeve të kompanive partnere, kryesisht ato italiane. Tekstilet mbeten grupmalli i dytë më i eksportuar në vend, me 34% të totalit në fund të korrikut, pasi “mineralet, lëndët djegëse dhe energjinë” vijojnë ende të ruajnë vendin e parë.
Sipërmarrjet vendase të tekstileve e këpucëve kanë shënuan një ecuri shumë të mirë këtë vit, si rrjedhojë e shtimit të porosive nga partnerët italianë, që i kanë kthyer sytë sërish nga Shqipëria për të shfrytëzuar avantazhet që ofron industria shqiptare: afërsi gjeografike, aftësi për të punuar me porositë të vogla dhe për t’i dorëzuar shpejt ato (një përparësi e madhe ndaj Kinës e Lindjes së Mesme), forcë punëtore relativisht të kualifikuar, dhe mbi të gjitha kosto të ulët të punës, që bën që Shqipëria të jetë e preferuar edhe ndaj vendeve të Europës Lindore, si Rumania e Bullgaria. Edhe qeveria shqiptare ka premtuar se do ta nxisë sektorin përmes një pakete të veçatë masash.
Tekstilet dhe këpucët janë grupmalli që po mbajnë peshën kryesore në performancën pozitive të eksporteve këtë vit (duke ndikuar në 90% të rritjes për shtatë mujorin).
Eksportet e materialeve të ndërtimit arritën në 21.6 miliardë lekë, duke rimarrë veten dhe duke u zgjeruar me rreth 10% për shtatëmujorin.
Grupmallrat e tjerë, ndonëse me një peshë të vogël në totalin e eksporteve, kanë shfaqur ecuri pozitive, ku veçohen ushqimet, pijet dhe duhani, shitjet e të cilave jashtë vendit u rritën me 13% (duke ngadalësuar gjithsesi ndjeshëm ritmet në raport me pesëmujorin, kur u zgjeruan me 24%), dhe ato të “prodhime druri dhe letre”, që u zgjeruan me 27% (nga 41% që ishte rritja për 6 mujorin).
Rritja e eksporteve të prodhimeve të drurit e letrës ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të aktivitetit të kompanisë me qendër në Berat “Center shqiptare”, e cila prodhon çanta letre për tregjet e huaj. Sipas të dhënave për Monitor nga Doganat, kjo kompani i ka rritur ndjeshëm eksportet në muaj e parë të këtij viti.