Ndonëse të ardhurat në total për 7 mujorin u rritën me rreth 11% me bazë vjetore për periudhën janar-korrik 2014, duke qenë 1.5% më larta se plani, performanca e tatimeve e doganave rezulton në rënie, sipas të dhënave më të detajuara të publikuara nga Ministria e Financave.
Në total, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 1.5 miliardë lekë, apo 1.1% më pak se plani, kryesisht e mbledhjes më pak se parashikimi të tatim fitimit, akcizës dhe taksës nacionale (që ishin përkatësisht 6.8, 16.6% dhe 10.2% më pak se plani).
Mungesa e këtyre të ardhurave në buxhet u kompensua kryesisht nga zëri më i lartë i të ardhurave jo tatimore, që ishin rreth 1.9 miliardë lekë më shumë se plani për periudhën në fjalë.
Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, Doganat mblodhën 82 miliardë lekë të ardhura për periudhën janar-korrik (më TVSH-në që zuri 66% të totalit) , ndërsa tatimet 96.6 miliardë lekë, duke përfshirë dhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet.
Në total, për 7 mujorin, doganat ishin 1.1% më pak se plani, si rrjedhojë e të ardhurave më pak se plani nga akciza (-16.6%) dhe renta (-15.6%).
Tatimet mblodhën 0.8% më pak se plani, si rrjedhojë e performancës së dobët të tatim fitimi (6.8% më pak se plani) dhe taksave nacionale (-8.4%).
Vetëm për korrikun, të dhënat tregojnë se doganat kanë mbledhur 38% më pak se plani nga renta, ndërsa tatimet performancën më të keqe në korrik e kishin me TVSH-në, 23.4% më pak se plani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.