74 bizneset VIP kanë 220 milionë euro borxhe tek tatimet

13/09/2017 8:01 AM 0 komente

Bizneset e mëdha, të ashtuquajturit VIP-a, po rezultojnë shumë problematikë në Shqipëri, si në marrëdhëniet me bankat, ashtu dhe me institucionet tatimore e doganore.  Dy vjet më parë Banka e Shqipërisë bëri publik lajmin se 35 kreditorë të mëdhenj kishin mbi 60% të totalit të kredive të këqija, hua që aktualisht janë në fazë ristrkuturimi.

Tashmë edhe nga tatimet vjen një lajm i ngjashëm. Nga 78 miliardë lekë që është detyrimi që kanë 18.5 mijë bizneset në vend, 38% e këtij totali i përket vetëm 74 bizneseve VIP. “Peshën më të madhe në vlerën e detyrimeve e zënë subjektet e Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj, 38%, më pas vjen Drejtoria e Tiranës, e cila në fakt ka një numër absolutisht më të madh të tatimpaguesve, me 35,6%, Durrësi rreth 5%, e kështu me radhë të tjerat në rend zbritës, me më pak detyrime”, konfirmojnë burimet zyrtare të tatimeve.

Në vlerë absolute janë rreth 30 miliardë lekë, ose 220 milionë euro, që këto 74 sipërmarrje të mëdha i kanë shtetit. Disa prej këtyre kompanive ishin edhe në listën e 35 kreditorëve të mëdhenj të bankave.

Tatimet përditësuan së fundmi listën e bizneseve debitore deri në fund të korrikut, ku nga 18.5 mijë bizneset në total, spikasnin 74 sipërmarrje VIP, të cilat tashmë janë objekt i bllokimit të llogarive bankare dhe të sekuestrimit me forcë të detyrimeve.

Pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë kompani nga sektori i naftës dhe ndërtimit dhe janë përfshirë tashmë në një proces falimenti. Por ato do të jenë objekt i detyrimeve tatimore derisa sa Gjykata e Falimentit të marrë vendimin e likuidimit.

Në listën e zezë të Tatimeve janë emra të njohur të biznesit, si kompania e Përpunimit të Naftës, ARMO, “Bankers Petroleum”, “Deveron Oil Albania”, “TEA Construksion”, “Çilotaj Group”, “Filanto”, “Petrolimpex”, “ERI Fruit”, “Transpetrol”, “Rrajca” etj.

Ndërkohë pjesë e Listës janë të gjitha kompanitë e Grupit “Taçi OIL” tashmë në falimentim. Lista dominohet më së shumti nga biznese të sektorit hidrokarbur, ku spikasin “Rira”, “Anoil”, “Viloil”, FIT-MEK-OIL, “Globoil”, “Petrol Impex”, “Transpetroli”, “Kuid”, “Taçi Oil”, ARMO, “Bankers” etj.

Nga sektori i ndërtimit dhe energjisë spikasin emrat e njohur si “Vigand Konstruksion”, “Alpine Bau GMBH”, “Çilotaj”, “TEA Construksion”, “Balfas Industrial”, “Kalivaç Energy”, “Construksion Energyk” dhe “Amadeus Group”.

Pjesë e listës është edhe qendra e njohur tregtare “City Park” dhe ish-kompania e supermarketeve, “Carrefour” (Qendra e Distribucionit Ushqimor).

Nga sektori i lojërave të fatit në listën e zezë të Tatimeve si biznese VIP janë “Astra 200”, “Xhoi Lloto” dhe “Top Bast”.

Një pjesë e subjekteve e kundërshtojnë detyrimin dhe kanë hapur proces gjyqësor, por kjo gjithsesi kërkon pagimin apo garantimin e pagimit të detyrimit.

Borxhi tatimor është rritur me shpejtësi vitet e fundit, si pasojë e kushteve të vështira në të cilat ka kaluar ekonomia. Bizneseve u është dashur të operojnë në një ambient të vështirë ku ka dominuar rritja e taksave, rënia e kërkesës dhe mungesa e kredisë bankare.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz