Flet Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonit, anëtar i bordit mbikëqyrës të AIDA-s
Është një nga sektorët më të rëndësishëm në ekonomi, sidomos porsa i përket punësimit. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, sipërmarrësit që punojnë me fason (material porositësi) në vend zënë rreth 32% të të gjithë të punësuarve në industri, ndërkohë që pesha që fasoni ka në totalin e industrisë porsa i përket xhiros është vetëm 9%.
Sipas statistikave zyrtare, numri i të punësuarve në të dy kategoritë nuk i kalon 30 mijë, megjithatë vlerësohet që ky segment, direkt dhe indirekt, punëson më shumë se dyfishin e vlerës së deklaruar zyrtarisht.
Prej vitesh, sipërmarrjet e veshjeve dhe këpucëve kanë qenë një alternativë e mirë për të siguruar të ardhura, minimale apo mesatare, për një shtresë relativisht të varfër dhe të paintegruar të popullsisë, që kanë ardhur nga Veriu apo Jugu dhe banojnë kryesisht në rrethinat e qyteteve kryesore.
Megjithatë, rruga e sipërmarrjeve fasoniste nuk është e lehtë. Kriza globale, që ka prekur sidomos fqinjin Itali, që është partneri kryesor i sipërmarrësve shqiptarë, konkurrenca rajonale, mungesa e vizionit për të mbyllur ciklin dhe investimet e mjaftueshme rrezikojnë që t’i vënë fre në rrota këtij sektori mjaft të rëndësishëm për punësimin.
Ndonëse ai ka qenë gjithnjë nën vëmendjen e qeverisë, rezultatet nuk kanë qenë shumë të dukshme. Në një intervistë për “Monitor”, z. Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonit dhe anëtar i Bordit Mbikëqyrës së Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) jep propozimet e tij lidhur me skenarët për nxitjen e industrisë së fasonit në Shqipëri.
Flet Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonit, anëtar i bordit mbikëqyrës të AIDA-s
Cilat janë problemet kryesore me të cilat po haset sot sektori i fasonit në vend?
Problemet kryesore të sektorit të fasonit aktualisht mund t’i ndajmë në dy grupe kryesore: 1. Problemet historike që kanë mbetur pa zgjidhje deri më sot; dhe 2. Problemet që mbart konkurrenca aktuale në “kushtet shqiptare” dhe pse jo “ballkanike”.
Në grupin e parë kemi po ato probleme që janë trajtuar ndër vite, por 4 janë më thelbësoret:
-Teknologjia bashkëkohore e munguar
-Formimi profesional në nivel amator
-Mosmbyllja e ciklit të prodhimit
-Mungesa e marketingut agresiv në tregun ndërkombëtar
Në grupin e dytë renditen:
-Mungesa e performancës profesionale bashkëkohore të firmave shqiptare që konkurrojnë në tregun ndërkombëtar, të cilat edhe sot vazhdojnë me të njëjtin “stil” dhe mentalitet si 20 vjet më parë.
-Kriza e tejzgjatur e vendeve partnere kryesore me ne, si Italia dhe Greqia
-Mefshtësia e diplomacisë ekonomike shqiptare për të thithur punëdhënësit e rinj të larguar tashmë nga Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe Lindja e Largët.
Si e shpjegoni faktin që sipërmarrësit e këpucëve po arrijnë që t’i rrisin më shpejt eksportet e tyre në raport me ata të tekstilit gjatë tre viteve të fundit?
Kjo pyetje është me vend dhe përforcon përgjigjen e pyetjes së parë.
Sipërmarrësit e këpucëve kanë vite që kanë përmirësuar teknologjinë e tyre, ka vite që realizojnë ciklin e mbyllur të prodhimit dhe megjithëse dy pikat e tjera, siç janë formimi profesional dhe marketingu ndërkombëtar, janë në nivele të përafërta si industria e tekstilit, sërish kanë rritur volumin e tyre.
Por përsëri, pse kanë këto dy pika të dobëta, ata vazhdojnë të kenë rendiment relativisht të ulët dhe cilësi jo të lartë prodhimi. Po të shohësh produktet shqiptare të këpucëve, janë te brezi i mesëm dhe i ulët në fashën e çmimeve të tregut.
Gjithashtu duhet thënë që klientët për të cilët punojnë kompanitë shqiptare të këpucëve kanë pasur lëkundje më të vogla gjatë periudhës së krizës, në krahasim me kolegët e industrisë tekstile; dhe kjo është pasqyruar direkt në urdhrat e tyre të punës.
Pa diskutim që kjo tendencë e rritjes së diferencës midis eksporteve të këpucëve me ato të veshjeve do të vazhdojë edhe për disa vjet.
Sa po e shfrytëzojnë sipërmarrësit rikthimin e interesit të italianëve për avantazhet e rajonit?
Në situatën aktuale të krizës globale, duhet thënë që ka ndryshuar disa raporti punëdhënës-punëmarrës në sektorin tonë.
Ndryshe nga disa vite më parë, gjen shumë më tepër punëkërkues sesa punëofrues. Kjo bën që punëdhënësi ndërkombëtar, qoftë dhe ai italian, ka më shumë se një zgjidhje në dorë. Atëherë normalisht ai do të shkojë drejt ofertës më të mirë, që do të integrojë në mënyrë harmonike çmimin, cilësinë, shpejtësinë e porosive dhe sasitë relativisht të vogla, të destinuara për tregun europian.
Në këtë moment, duke u bazuar dhe nga përvoja jo e mirë e vonesave të pagesave, sipërmarrësit shqiptarë nuk kanë atë entuziazmin e duhur por janë shumë të matur. Këtu është me vend që të realizohen skema financiare garantuese midis biznesit privat dhe agjencive shtetërore të destinuara për këtë qëllim sipas parimit PPP (partneriteti publik-privat) në mënyrë që të garantohet jo vetëm produkti i punëdhënësit të huaj, por me të njëjtin seriozitet të garantohet edhe pagesa e sipërmarrësit shqiptar nga kjo punë.
Përvoja pozitive ekziston (p.sh. përvoja e Rumanisë dhe e Bullgarisë përpara se të hynin në BE), ne thjesht duhet ta marrim e ta zbatojmë.
Sa konkurrues është fasoni shqiptar në raport me vendet e tjera të rajonit, sidomos me Serbinë dhe Maqedoninë?
Konkurrenca e industrisë fasoniste shqiptare është në ditën e saj të provës dhe gjithashtu në pikën e saj më kritike. Po t’i shtojmë kësaj edhe faktin që konkurrentët tanë nga Europa janë vendet fqinje tona si Serbia, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, ky problem bëhet edhe më shumë kritik.
Shtetet që përmendëm më sipër e kanë hedhur një hap të madh për të rritur konkurrueshmërinë e tyre, të mbështetura 100% me politika të mirëfillta financimi nga qeveritë përkatëse.
Pyetja që shtrohet është: Çfarë duhet të bëjmë ne?
Duhet të pranojmë që ka disa skenarë dhe unë po rendis disa prej tyre, të cilët në shtete të ndryshme, në periudha të ndryshme, por të ngjashme me ne, kanë dhënë rezultat pozitiv.
-Skenari 1: Stimulimi me pagesë fikse për një vend pune konstant për 3-5 vjet
-Skenari 2: Stimulimi me teknologji bashkëkohore, makineri dhe pajisje, për një grup vendesh pune konstant, që do të ishin në një linjë teknologjike prodhimi sipas parimit të njohur tashmë – Unë (shteti) të jap makinat, ti (sipërmarrësi privat) më siguron vendet e punës.
-Skenari 3: Stimulimi me grante për një grup eksportuesish, që ka krijuar tashmë një performancë pozitive në tregun ndërkombëtar, në mënyrë të tillë që të rrisin praninë e tyre në tregun ndërkombëtar, në bazë të kritereve të mirëpërcaktuara për sa i përket çmimit dhe cilësisë së produktit, sasisë së prodhimit, fleksibiliteti brenda llojit i prodhimit, llojshmërisë së tij etj.
-Skenari 4: Stimulimi me parqe industriale të kompletuara të tipit me çelësa në dorë (në partneritet dhe në harmoni qeveri qendrore-qeveri lokale, ku avantazhet e grupimit të bizneseve të të njëjtit profil dhe atyre në shërbim të tyre, do të mund t’i bënin këto parqe interesante për të thithur sipërmarrësit aktualë por pse jo edhe sipërmarrës të rinj, që kanë jo pak para dhe nuk dinë ku t’i investojnë.
-Skenari 5: Zhvillimi i disa kompanive model të tipit kompani PILOT si referencë për të qenë në front të marrëdhënieve me tregjet ndërkombëtare (kompani show room).
-Skenari 6: Stimulimi dhe mbështetja për krijimin e koncerneve të sektorit si bashkësi të kompanive fasoniste për të bashkëpunuar dhe për të koordinuar kapacitetet e tyre.
-Skenari 7: Krijimi i fondeve të veçanta dhe specifike me terma reference plotësisht të përcaktuara për ndarjen e risqeve dhe burimeve financiare me donatorë vendas dhe të huaj, duke kooperuar me fondet e BE-së, gjithashtu, për zhvillimin e eksporteve.
-Skenari 8: Ngritja e një qendre profesionale shumëfunksionale për industrinë tekstile dhe të këpucëve, e cila e pajisur me një staf profesional, të jetë e aftë të zhvillojë projekte konkrete për modernizimin dhe rinovimin aq të domosdoshme të teknologjisë dhe konsulencës të kompanive shqiptare dhe mbi të gjitha, për të përshtatur kapacitetet prodhuese me kërkesat që ka sot tregu ndërkombëtar. Po ashtu, nga ana tjetër, kjo qendër do të sigurojë një sërë shërbimesh shtesë, sipas nevojave të sipërmarrjes shqiptare.
Si i vlerësoni masat që janë marrë deri më sot nga qeveria për të nxitur sektorin dhe ku kanë çaluar ato?
Në përgjithësi, po të bëjmë një analizë disavjeçare, janë marrë një sërë masash të cilat e kanë ndihmuar shumë biznesin fason. Këtu mundet të përmendim heqjen e ngarkesave fiskale për lëndët e para të eksportit, heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, taksën e sheshtë 10%, lehtësi ligjore në rekrutimin e punëtorëve të rinj, heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për pagën deri në 30,000 lekë, etj.
Këto masa ne i kemi përshëndetur dhe vazhdojmë të kemi bindje të plotë që kanë qenë me ndikim shumë pozitiv në sektorin tonë. Kuptohet që efektet për disa prej tyre që janë marrë së fundmi, do të shihen më vonë. Por ama, gjithmonë kemi qenë të mendimit, dhe këtë gjë e kemi shprehur në kohën e duhur në forumet dhe institucionet përkatëse, që për sektorin fason, për vetë efektet sociale që ka në Shqipëri dhe për vetë vlerën monetare të eksporteve në totalin e tyre, kërkon një paketë ligjore incentivash ku si prioritet do të jetë hapja e vendeve të reja të punës (qëllim që e kanë pasur dhe e kanë qeveritë shqiptare në vijueshmëri) në koordinim me interesat e sektorit privat fason.
Pa diskutim propozimet që ne bëmë tek pyetja pararendëse, janë propozime të cilat duhen parë me seriozitetin e duhur, pasi realizojnë më së miri qëllimin e mësipërm. Gjithashtu ne jemi të hapur për të diskutuar dhe për të bërë ekspertizë profesionale për çdo lloj propozimi alternativ që do të vijë në mënyrë që produkti final të jetë sa më rentabël.
Si anëtar i Bordit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), cilat janë rekomandimet tuaja për qeverinë e re lidhur me ngritjen e institucioneve përgjegjëse, si dhe masat që duhet të marrë ajo për të nxitur dhe për të bërë më konkurrues këtë sektor dhe industrinë e lehtë në vend në përgjithësi?
Bordi i AIDA-s, në vendimmarrjen e tij, ka punuar si një trupë mbështetëse dhe përkrahëse për investimet e huaja në Shqipëri. Po të shihni me kujdes të gjitha vendimet e bordit të AIDA-s, qysh kur ajo është krijuar, kanë pasur sensin e pozitivitetit për përkrahjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Por tashmë, ne kemi një situatë të re politike dhe besoj se me modesti mundet që të rekomandojmë disa alternativa konvergjuese, në mënyrë që puna e bërë deri më sot të ngrihet në një stad më të avancuar.
Pa u zgjatur shumë, mendoj se mund të merren në konsideratë 4 alternativat shtesë që ne propozojmë:
-Tek AIDA, të krijohet një drejtori e veçantë për industrinë e veshjes dhe të këpucëve (një opsion).
-Do të ishte me vend që për vetë efektin monetar dhe social që ka në ekonominë shqiptare industria e lehtë dhe ushqimore, të krijohej një drejtori për industrinë e lehtë dhe ushqimore pranë Ministrisë së Ekonomisë (një opsion).
-Personalisht jam i mendimit që përfaqësimi politik i industrisë së lehtë dhe ushqimore të jetë në nivel ministrie për vetë rëndësinë që përmendëm më sipër. Kjo do t’i shërbente gjithashtu edhe konkretizimit të fokusimit të kësaj industrie veçanërisht drejt tregjeve të BE-së dhe SHBA-së, tregje aq të lakmuara për ne, por shumë të vështira për t’u arritur.
-Marketingu agresiv në tregun ndërkombëtar të bëhet jo më nëpërmjet diplomacisë ekonomike, plotësisht të dështuar deri më sot, por nëpërmjet ambasadorëve ekonomikë me fuqi ekzekutivë, për të firmosur kontrata e për të orientuar biznese drejt Shqipërisë, si dhe për të bashkërenduar bizneset shqiptare me ato ndërkombëtare sipas interesave reciproke.
Kjo do të ishte një nga rrugët e kërkuara dhe nga partnerët ndërkombëtarë që pikën më të dobët për Shqipërinë rendisin marketingun ekonomik inekzistent.
Skenarët
1.Stimulimi me pagesë fikse për një vend pune konstant për 3-5 vjet
2.Stimulimi me teknologji bashkëkohore, makineri dhe pajisje, për një grup vendesh pune konstant, sipas parimit Unë (shteti) të jap makinat, ti (sipërmarrësi privat) më siguron vendet e punës.
3.Stimulimi me grante për një grup eksportuesish, që ka krijuar tashmë një performancë pozitive në tregun ndërkombëtar në mënyrë të tillë që të rrisin praninë e tyre në këtë treg
4.Stimulimi me parqe industriale të kompletuara të tipit me çelësa në dorë, në partneritet dhe në harmoni qeveri qendrore-qeveri lokale
5.Zhvillimi i disa kompanive model të tipit kompani PILOT si referencë për të qenë në front të marrëdhënieve me tregjet ndërkombëtare (kompani show room).
6.Stimulimi dhe mbështetja për krijimin e koncerneve të sektorit si bashkësi të kompanive fasoniste për të bashkëpunuar dhe për të koordinuar kapacitetet e tyre.
7.Krijimi i fondeve të veçanta dhe specifike me terma reference plotësisht të përcaktuara për ndarjen e risqeve dhe burimeve financiare me donatorë vendas dhe të huaj.
8.Ngritja e një qendre profesionale shumëfunksionale për industrinë tekstile dhe të këpucëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.