Monedha vendase ka fituar pikë gjatë kësaj jave në raportet e këmbimit me euron. Një euro u këmbye të premten me 140.05 lekë, nga rreth 140.4, që kuotohej të hënën. Monedha e përbashkët ka zbritur në nivelin më të ulët të gati dy muajve, që prej fillim të shtator, ku këmbehej nën 140 lekë, sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, e ndihmuar dhe nga pozicioni i saj i dobët në tregjet ndërkombëtare.
E kundërt ka qenë tendenca e dollarit, i cili ka fituar pikë, pas rënies së ndjeshme të javës së kaluar, ku zbriti nën 102 lekë. Të premten, një dollar këmbehej me 103.45 lekë, nga 101.67 të hënën.
Sipas ekspertëve, kërkesë oferta në treg i është rikthyer normalitetit, pas forcimit të euros një javë më parë që erdhi si rrjedhojë e rritjes së monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare, por edhe blerjes së kësaj valute nga Banka e Shqipërisë.
Gjatë këtij viti, kërkesa e lartë për euro, më shumë sesa nga bizneset, që përballë rënies së konsumit kanë ulur importet, ka ardhur nga bankat që kanë blerë valutë për llogari të klientëve të tyre. Në momentet kur këto banka kanë hyrë në treg, është konstatuar dhe një forcim i shpejtë i valutave.
Në tregjet ndërkombëtare, euro ra për të pestën ditë radhazi kundrejt dollarit, teksa shenjat e dobësisë ekonomike në bllokun e monedhës së përbashkët rritën spekulimet se Banka Qendrore Europiane do të ulë interesa që në takimin e javës së ardhshme. Euro ra të premten 0.4% në $1.3526, duke e çuar rënien e kësaj jave në 2%, tkurrja më e madhe që nga java që përfundoi në 8 shkurt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.