Nuk ka kohë më të përshtatshme për të vizituar një vend se sa kur në të zhvillohet një festival, pasi kur njerëzit festojnë në rrugë, ju lejojnë të kuptoni zemrën dhe mendjen e kulturës së atij vendi.
Çdo kulturë ka ditët e saj festive. Disa prej këtyre festave e kanë origjinën nga legjenda mitologjike, të tjerat janë relativisht të reja, por të gjitha janë të mrekullueshme sa çdokush do të donte të merrte pjesë në to.
Ne kemi përzgjedhur 9 festivalet më të bukura në botë, të cilat nuk duhet t’i humbisni kurrsesi, të paktën një herë në jetë.
Karnavalet e Rio de Zhaneiros – Brazil
Një nga festivalet më të bukur në botë, Karnavalet në Rio de Zhaneiro janë një nga ato gjëra që nuk do t’i harroni kurrë. Karnavalet e Rios janë më të famshmet në botë, ato festohen çdo vit në gjithë Brazilin 40 ditë përpara Pashkëve.
Ky festival, më i madhi në botë, zgjat pesë ditë. Çdo ditë, dy milionë njerëz dalin në rrugë për të shijuar këtë atmosferë. Parada është kaq e madhe sa është e pamundur ta rrokësh me një shikim të parë.
Holi
Holi, një festival që mbahet në fillim të pranverës, nënkupton fitoren e së mirës ndaj së keqes. Ai festohet nga gjithë hindutë nëpër botë dhe njihet ndryshe si një festival ngjyrash dhe faljes së dashurisë. Holi zhvillohet zakonisht në mars, por ndonjëherë edhe në fundshkurt. Festivali nis me një zjarr të madh i quajtur Holika në vigjilje të Holit, dhe në mëngjesin tjetër mund të shihni një rrëmujë shumëngjyrëshe. Njerëzit lyejnë fytyrat e njërit-tjetrit me bojëra uji, kërcejnë, hanë dhe thonë gëzuar. Festimet vazhdojnë përgjatë gjithë ditës dhe besohet se është një ditë faljeje dhe faljes së dashurisë çdokujt. Ata thonë në gjuhën Hindi “Bura na mano Holi hai” që do të thotë mos e vrit mendjen për asnjë gjë, sot është Holi. Mos harroni të merrni ngjyrat tuaja dhe… mos guxoni të vishni rrobat më të mira, me shpresën se ato nuk do të ngjyrosen!
La Tomatina – Bunol – Spanjë
Sado e çmendur mund të tingëllojë, La Tomatina nuk është thjesht një Festival fantastik, por diçka në të cilën ju do të donit të merrnit pjesë çdo vit.
La Tomatina është një festival i përvitshëm që zhvillohet në Bunol, Spanjë, të mërkurën e fundit të gushtit, me njerëzit që godasin njëri-tjetrin me domate. Ai nisi në vitin 1945 pas një përleshjeje midis disa djemve të rinj dhe njerëzve që po merrnin pjesë në ‘Paradën e gjigantëve dhe Kokave të mëdha’. Për fat të keq, disa arka me perime aty pranë ranë pre e turmës së zemëruar të cilët nisën të gjuajnë njëri-tjetrin me to. Vitin tjetër u përsërit i njëjti skenar, me ndryshimin se disa prej djemve sollën domate nga shtëpia. Autoritetet lokale e kundërshtuan për shumë vite këtë “nismë”, por në vitin 1957 u bënë vetë promotorët e saj, ndërsa në vitin 1980, vetë komuna furnizoi pjesëmarrësit me domate. Kështu lindi Tomatina. Sot është jashtëzakonisht i dashur jo vetëm për vendasit, por cilësohet si një nga festivalet më të bukur në botë.
Festivali i Fenerëve – Pingxi, Tajvan
Imagjinoni mijëra fenerë që ndriçojnë sipër jush duke mbuluar qiellin.
Çdo vit, Festivali i Fenerëve tërheq mijëra turistë që mblidhen në Pingxi, një krahinë në Tajvan, për të parë me sytë e tyre e për të kremtuar jetën në mënyrën më të bukur. I cilësuar si një nga festivalet më të bukur në botë nga ‘American Discovery Channel’s’ në programin ‘Fantastic Festival of the World’, Festivali i Fenerëve në fillim ishte i njohur për të larguar të keqen, ndërsa tani fenerët janë të zbukuruar me urime dhe me foton e pronarit të fenerit.
Dita e të Vdekurve – Meksikë
Një festival për të kujtuar njerëzit që nuk jetojnë më. Dita e të Vdekurve është një nga festivalet më të bukur në botë në të cilin duhet të merrni pjesë. Nga fundi i shekullit të 20, në shumë rajone të Meksikës, më 1 Nëntor përkujtohen fëmijët dhe foshnjat që nuk jetojmë më, ndërsa më 2 Nëntor kujtohen të rriturit. 1 Nëntori njihet ndryshe edhe si ‘Dita e të Pafajshmëve’ apo ‘Engjëjve të Vegjël’, ndërsa 2 Nëntori si ‘Dita e të Vdekurve’.
Si një traditë qindravjeçare, njerëzit veshin kostume të mrekullueshme dhe shfaqin dashurinë për të afërmit e miqtë që nuk jetojnë më, duke shkuar në varreza e duke lënë në varrin e personit të dashur ëmbëlsira në formë kafkash, lule krizantema, ushqimet e pijet e preferuara të tij.
Festivali Ndërkombëtar i Skulpturave prej Akulli dhe Bore – Harbin, Kinë
Është një festival i përvitshëm dimëror që zhvillohet në Harbin, Kinë dhe tashmë është Festivali më i madh i Akullit dhe Borës në botë. Më parë pjesëmarrësit ishin kryesisht kinezë, ndërsa tani nga e gjithë bota.
Festivali nis zyrtarisht më 5 janar dhe zgjat për një muaj. Ai filloi në vitin 1963, pati një ndërprerje përgjatë disa viteve në kohën e Revolucionit Kulturor, dhe filloi sërish duke fituar të njëjtën famë. Festivali më i madh i Akullit dhe Borës në botë e shndërron vendin në një qytet të mrekullueshëm me skulptura akulli kudo, me forma dhe madhësi të ndryshme.
Oktoberfest – Mynih, Gjermani
Oktoberfest (Festivali i Birrës) në Mynih të Gjermanisë nis në ditët e fundit të shtatorit deri në fundjavën e parë të tetorit. Ky festival mbledh 6 milionë njerëz nga e gjithë bota. Oktoberfest është një pjesë e rëndësishme e kulturës bavareze, i cili daton që prej vitit 1810. Birra, vajza të bukura të veshura në veshjen tradicionale Dirndl nxjerrin në pah atmosferën e bukur të këtij festivali.
Përgjatë këtij festivali konsumohen pafund birra. Për shembull, gjatë 16 ditëve të këtij festivali në vitin 2013 u shërbyen 7.7 milionë litra birrë.
Mardi Gras – Nju Orlins
Mardi Gras që do të thotë “E marta e shëndoshë” mbahet çdo vit në Nju Orlins, në SHBA, përpara nisjes së kreshmëve të mëdha. Përgjatë dy javëve në qytet zhvillohen parada dhe festa të ndryshme. Zakonisht çdo ditë zhvillohet një paradë karnavalesh; më të mëdhatë organizohen në pesë ditët e fundit të festivalit.
Festivali Ndërkombëtar i Balonave në Albuquerque, New Mexico
Ky është festivali më i madh i balonave në botë, të cilin nuk duhet ta humbisni kurrsesi. Përgjatë nëntë ditëve të këtij festivali që mbahet në tetor, më shumë se 500 balona ngrihen në qiellin e Albuquerque, në New Meksiko. Festivali Ndërkombëtar i Balonave nisi në vitin 1972, si pika kulmore e festës së 50-vjetorit të 770 KKOB Radio.