Keni kohë të lirë por nuk keni planifikuar ende? Ja disa destinacione të sugjeruara nga revista prestigjioze e udhëtimeve, CONDÉ NAST TRAVELLER:
Ksamil
“Ksamili në Shqipërinë e Jugut është një destinacion i mrekullueshëm, me plazhe të paprekura nga dora e njeriut, që i ngjasojnë Karaibeve. Ai është ende disi i panjohur nga turistët e huaj, prandaj mund të gjenden edhe rezervime të minutës së fundit. Ndodhet përballë Korfuzit, mund të shihet nga plazhi dhe të mbërrihet me varkë për gjysmë ore – pra, ç’prisni të kaloni një ditë në Ksamil?
Interlaken, Zvicër
Interlaken në Zvicër është vërtet i veçantë. Qyteti ndodhet midis dy lumenjve dhe rrethohet nga male madhështore ku ju mund të ngjiteni apo të hidheni me parashutë. Në Interlaken ndodhet edhe Jungfraujoch, stacioni hekurudhor më i lartë në botë, nga ku mund të shijohen pamje të paharrueshme.
Jugu i Francës
Udhëtoni me makinë përgjatë të famshmit Cote d’Azur, ku do të gjeni tregjet e qytezës bukëpjekës, dyqane djathi dhe perime organike që do t’ju bëjnë t’ju shkojë goja lëng.
Uzes, Francë
Ky qytet francez shumë piktoresk dhe mesjetar është një portret i shkëlqyer i Francës: me dyqanet e vogla artizanale, vendasit me baguettes nëpër duar që blejnë frutat dhe perimet e tregut dhe që pinë pastis teksa luajnë me birila.
Faro ose Malaga, Spanjë
Nga Malaga ju mund të shkoni edhe në pjesë të tjera të bukura të Spanjës, si pueblo blanco në Cesares dhe nga Faro, mund të shmangni zonën e mbipopulluar Algarve dhe të udhëtoni përgjatë bregut portugez në qytetet Lagos dhe Sagres, ku do të gjeni çdo gjë që kërkon një turist: sërf, jetë nate dhe plazhe të qeta.
Zaton, Kroaci
Zaton është një fshat piktoresk buzë detit në rrethinat e Sibenikut të Kroacisë. Është një vend i bukur për pushime (ose nëse doni të merrni veten pasi keni kaluar një natë të çmendur në një nga festivalet që zhvillohen në ishujt pranë). Por ka edhe vende për t’u eksploruar pranë fshatit, në shumicën e të cilave mund të shkoni me varkë, si ujëvarat e Krka National Park dhe Riviera e Qytetit të Vjetër Sibenik.
Cadiz, Spanjë
Ky është një qytet i vjetër dhe i bukur në jug të Spanjës. Aty do të gjeni gatimet tradicionale spanjolle tapas dhe fruta deti mjaft të shijshme e të lira, si dhe dy plazhe që ndodhen pranë. Gjithashtu mund të kaloni një ditë duke vizituar Seviljen apo Tarifa.
Pirenejet
Në dimër këtu mund të shkoni për ski, por edhe në verë mund të bëni shëtitje të mrekullueshme. Midis qyteteve më të njohura të zonës janë Lourdes (për pelegrinët) dhe Foix. Gjithashtu ia vlen të bëni një vizitë në Grotte de Niaux, ku gjenden vizatime mjaft të rralla parahistorike nëpër shpella, të cilat mund t’i vizitoni ende – por jo nëse jeni klaustrofobik.
Morzine, Alpe franceze
Ky është një destinacion veror mjaft popullor për marshuesit, çiklistët e maleve, ata që merren me joga dhe familjet. Është vetëm një orë larg me makinë nga aeroporti i Gjenevës. Afër ndodhet edhe Liqeni i Gjenevës, ku mund të merrni me qira një varkë ose të notoni në ujërat e pastra me shkëlqim.