Përpos aksionit antievazion, në terren janë gati për zbatim 22 nene të reja në procedurat tatimore, që me 10-fishimin e gjobave rrezikojnë të çojnë në faliment mijëra biznese. Aksioni i shtatorit ka mbyllur së paku 7 mijë njësi shërbimi dhe tregtie me pakicë, duke lënë të papunë 10 mijë persona dhe deri në gush kishim vetëm 0.3% më shumë të ardhura në buxhet. Ja paketa e re e masave shtrënguese dhe kundërshtitë e ekspertëve
Nga Blerina Hoxha
Ekonomia shqiptare, e prekur rëndë nga informaliteti, duket se po kurohet me një overdozë masash që, në vend ta përmirësojnë, rrezikojnë ta çojnë në ligështi. Mjekimi pa ekzaminim të saktë, pa përcaktuar më parë fushat me përqendrim të lartë të informalitetit, po rrezikon edhe pjesët e shëndetshme, duke e bërë shërimin më të vështirë. Por, më e keqja është se, po aplikohet mjekimi i gabuar me ilaçe të skaduara. Në procedurat tatimore janë shtuar 22 nene, ku shihet se vetëm me dy gjoba, bizneset me xhiro vjetore 2 milionë lekë shkojnë në faliment të sigurt.
Aksioni i përqendruar fillimisht në pjesën më vulneralbël të biznesit, ambulantët dhe të vetëpunësuarit nga inspektorë të rinj, në shumë raste, që nuk njohin ligjin (sipas ankesave nga terreni), jo më udhëzimet, se si administrata tatimore duhet të veprojë në terren, më shumë kanë abuzuar me ligjin se sa e kanë respektuar atë.
Kjo mori tatimorësh me kontrata të përkohshme po tenton të formalizojë pjesën e biznesit më të painformuar për çështjet fiskale, bizneset e vogla, të cilët, të trembur dhe të paditur për të drejtat ligjore, po gjenden në situata spekulimi dhe arbitrariteti të panumërta.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, lajmëroi para deputetëve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se, nga verifikimet e grupeve të kontrollit në terren, janë parë 20% e bizneseve të mbyllura. Nga ana tjetër, rezultatet fiskale të muajit gusht, ku biznesi nisi vullnetarisht formalizimin, janë zhgënjyese. Totali i të ardhurave për gushtin ishte 2.7 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar me shkurtim dhe nga tatimet e doganat mungojnë 1.7 miliardë lekë.
Mosrealizimi ka ardhur në pjesën më të madhe nga TVSH, që i mungojnë 1.2 miliardë lekë nga plani, 220 milionë lekë më pak nga tatimfitimi dhe 316 milionë lekë më pak nga tatimi mbi të ardhurat personale. Treguesit buxhetorë kanë shpalosur mungesë të ardhurash në drejtime krejt të tjera nga ku ka nisur aksioni.
Vetëm në periudhën korrik-18 shtator janë regjistruar rreth 19 mijë biznese të reja, ndërkohë që në të gjithë 2014-n janë regjistruar gjithsej rreth 16 mijë biznese, sipas të dhënave nga QKR dhe Ministria e Financave. ‘Monitor’ ka llogaritur se taksat që mund të paguajnë ata deri në fund të vitit (shtator-dhjetor), mund të sjellin në buxhet vetëm 0.3% të të ardhurave të planifikuara për gjithë vitin.
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, paralelizoi antievazionin me aksionin ndaj faturave të prapambetura të energjisë, duke u shprehur se, pavarësisht kontestimeve dhe mjeteve që u përdorën, në finale, pati rezultat në arkëtimet nga OSHE. Por eksperti i njohur i ekonomisë, Selami Xhepa, pohoi se kurrsesi nuk mund të përdoret e njëjta logjikë edhe ndaj informalitetit. Sipas tij, goditja e pastudiuar e vetëm një segmenti, sidomos në biznesin e vogël dhe atë të mesëm, do të krijojë kosto negative zinxhir në të gjithë linjën e ekonomisë dhe faktorëve të lidhur më të, të tillë si punësimi dhe çmimet, ndryshe nga shkëputja e dritave që shtrin efektin vetëm brenda “komoditetit” të një familje. Për të mos paragjykuar me të vërtetë atë që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të ulur nivelin e ekonomisë informale, modelet që kanë aplikuar vendet me kushte të njëjta zhvillimi me Shqipërinë, por edhe vendet anëtare të BE-së, flasin për metoda krejt të tjera me ato që qeveria shqiptare ka vendosur të ndjekë.
Në shkrimet e mëparshme, ‘Monitor’ solli modelin turk antievazion, në të cilin u pa se strategjia antievazion e shtrirë në 8 vjet niste me reforma në sistemin tatimor dhe më pas në korporatat e mëdha. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian shpalli këtë vit një plan veprimi se si të kontrollohen fitimet e korporatave të mëdha, të cilat duke ndikuar qeveritë të shmangin tatimet e dyfishta, shmangin normat tatimore, duke i transferuar aktivitetet në vende me përqindje të ulëta tatimfitimi. Në planin ndaj informalitetit të BE-së, theksohet lehtësimi i mëtejshëm i biznesit të vogël si shtylla e ekonomisë së Europës edhe pse nga studimet është evidentuar se, tregtia në pakicë lundron në një informalitet 20%.
“Kura” vijon me gjobat vrastare
Paralel me aksionin për evidentimin e evazorëve në terren, qeveria ka hartuar ndryshimet e reja në ligjin e procedurave tatimore me 22 nene të reja që i dhjetëfishojnë penalitetet ndaj bizneseve për të gjitha elementet që lidhen me evazionin e plotë dhe të pjesshëm.
Pjesa që pritet të goditet më shumë nga forca e ligjit janë bizneset e mesme që realizojnë segmentin e tregtisë nga grosistët e mëdhenj te bizneset e pakicës.
Ndryshimet e reja parashikojnë që, në rast se konstatohet moslëshim fature nga kjo kategori tatimpaguesish, penalitetet do të jenë më të rënda se në rastet e tatimpaguesve të tjerë, me arsyetimin se moslëshimi i faturës nga tatimpaguesit që shesin mallra me shumicë krijon efektin zinxhir të moslëshimit të faturës për atë mall edhe në hallkat e tjera, te shitja me pakicë e te fundori.
Forcimi i penaliteteve te tatimpaguesit që shesin me shumicë dhe frenimi i kësaj kategorie do të sjellë automatikisht rregullim dhe formalizim të shitjes me faturë edhe në zinxhirët në vijim ku kryhet transaksioni i mallit, pohon Ministria e Financave. Për këtë arsye, ndryshimet e miratuara që tashmë janë në fuqi, propozojnë që në rast se një tatimpagues që shet me shumicë mallra konstatohet se shet pa faturë, ndaj tij zbatohen 3 penalitete njëherazi, për herën e parë të konstatimit:
- Gjobë të barabartë me 100% të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës
- Gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë
- Rivlerësim i të ardhurave për një periudhë 6-mujore
Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, tatimpaguesi procedohet për evazion tatimor.
Në linjë me propozimin e bërë se tatimpaguesit që shesin mallra me shumicë, nga data 1 prill 2016, nuk duhet të shesin tek individët me kupon tatimor, për moszbatimin e kësaj mase propozohet edhe penaliteti përkatës, që llogaritet TVSH-ja në masën që ky mall do të tregtohej me pakicë për konsumatorin final.
Për periudhën tranzitore nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në fund të këtij viti, është propozuar që shitjet me kupon tatimor të lëshuar nga pajisja fiskale nuk duhet të tejkalojnë 10% të vlerës së tatueshme të mallrave të shitura gjatë së njëjtës periudhë tatimore të muajit të vitit të kaluar, pa përfshirë TVSH-në.
Burimet zyrtare në Financa pohuan se, propozimi i kësaj mase lidhet me konstatimet në terren nga administrata tatimore sipas së cilës rezulton se bizneset, që shesin mallra me shumicë, i bëjnë mbi 80% të shitjeve të tyre tek individët, me kupon tatimor, duke shmangur kështu raportimet e transaksioneve të biznesit dhe lëshimin e faturave tatimore.
Diskutimi i kësaj mase në Kuvend ndërkohë i ka dhënë efektet në treg ende pa u miratuar. Nga një vëzhgim i ‘Monitor’ në tregjet e shumicës të konfeksioneve te Medreseja u vu re se ka një ngërç në furnizime.
Po shfrytëzohen rezervat, ndërkohë që furnizimet e reja po bëhen me vështirësi ose në shumë raste janë pezulluar. Shumë biznese të vogla kanë mbyllur aktivitetin ose nuk janë të regjistruar, duke dëmtuar aktivitetin e shumicës, të cilat do të gjenden para vështirësive të reja, pasi nuk do të lejohen të shesin me pakicë tek individët.
Për ish-zv.ministrin demokrat të Financave, Sherefedin Shehu, ky është absurditet. Si një ekspert i fiskut, ai pohoi se dënimi i trefishtë nuk bën sens logjik. “E para 10 milionë lekë gjobë, e dyta konfiskim i së gjithë sasisë së mallit dhe e treta rivlerësim tatimor. Tre penalitete për një shkelje, e para dhe e dyta, nuk kanë lidhje fare me dëmin e shkaktuar”, – tha Shehu. Ekspertët i kanë konsideruar gjobat qesharake dhe të palogjikshme. Nga ana tjetër, llogaritë e tatimeve do të mbushen me gjoba që praktiksht nuk do të mund të arkëtohen kurrë dhe do të bëhen shkak për rritjen e artificialisht të llogarive debitore të paarkëtueshme në tatime.
Nxitet papunësia
Me synimin për të formalizuar ekonominë dhe për të rritur të ardhurat për buxhetin e shtetit, gjoba në këtë masë rrezikon të rrisë papunësinë. Pasi me dy penalitete për vepra jo shumë të rënda një biznes i vogël që nuk arrin xhiro vjetore më shumë se 2 milionë lekë e ka të sigurt falimentin. Eksperti i Ekonomisë, Selami Xhepa, u shpreh i bindur se, modeli antiinformalitet që po ndiqet duke ushtruar represion te pjesa më vulnerabël e biznesit, jo vetëm që nuk do të prodhojë të ardhura shtesë në buxhet, por do të ndikojë në rritjen e papunësisë. Xhepa tha se, kudo në botë ka një logjikë mbi të cilën vihen penalitetet. Zakonisht merret në konsideratë masa e dëmit nga moszbatimi i ligjit ose xhiroja e aktivitetit që ka kryer veprën, pohoi Xhepa. Ai pohoi se ligji aktual i procedurave tatimore i ka të përcaktuara penalitetet të cilat janë tërësisht të logjikshme, por fakti që administrata tatimore nuk e ka kërkuar zbatimin e tij, kjo nuk do të thotë se, masat janë të papërshtatshme për biznesin.
Borxhi në tatime, konfiskohet 50% e qarkullimit ditor
Teksa lista e borxhlinjve në tatime është me rreth 14 mijë biznese, emrat e të cilave gjenden në web-in zyrtar të tatimeve www.tatime.gov.al, qeveria forcoi masat e mbledhjes me forcë të këtyre borxheve. Rregullat e reja të miratuara në Kuvend propozojnë që në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar në vend aktivitetin tregtar, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit, por jo më shumë se detyrimi tatimor për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore.
Më tej, ligji përcakton se, tatimpaguesi, për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesë, të transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur nëpërmjet shitjes dhe transferimit të aktiveve, synohet shlyerja në masën 100% e detyrimit tatimor të papaguar.
Për të realizuar këtë synim të ligjit, administrata tatimore duhet të dhjetëfishojë punonjësit që të inspektojë bizneset debitore çdo ditë për të konfiskuar xhiron.
Mbledhja e borxheve deri te palët e treta
Një tatimpagues ka detyrime tatimore të papaguara ndaj administratës tatimore, ndërkohë, ky tatimpagues ka detyrime kontraktuale të pambledhura nga një palë e tretë, mospagesat e së cilës e kanë bërë tatimpaguesin të jetë në paaftësi paguese. Për këtë arsye, me ndryshimet e reja ligjore, administrata tatimore mund t’i kërkojë palës së tretë të kryejë pagesën e drejtpërdrejtë të çdo shume, që kjo palë i detyrohet tatimpaguesit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e dërgimit të njoftimit.
Ndryshimet ligjore në procedura i japin të drejtë administratës tatimore që në tërësinë e procedurave së vjeljes me forcë të borxhit tatimor nga tatimpaguesit, ka të drejtë t’i kërkojë njëkohësisht palës së tretë (e cila i ka borxh tatimpaguesit) që të bëjë pagesën për tatimpaguesin.
Sipas Ministrisë së Financave, ky propozim synon të rrisë mbledhjen e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore.
Mali i Zi luftë evazionit, duke stimuluar biznesin në Listën e Bardhë
Mali i Zi përdor një mënyrë krejt elokuente për të luftuar evazionin. Me një GDP prej 10 miliardë eurosh dhe një popullsi vetëm 620 mijë banorësh ka zgjedhur një mënyrë stimuluese ndaj biznesit, nëpërmjet së cilës luftohet edhe ekonomia informale.
Ministria e Financave dhe administrata tatimore publikuan këtë vit për herë të tretë Listën e Bardhë, që përmban emrat e tatimpaguesve me nivelin më të lartë të pajtueshmërisë fiskale. Së fundmi, në përbërje të listës ishin 110 tatimpaguesit më të rregullt nga lista, nisur nga përputhshmëria e aktivitetit të tyre me ligjet tatimore me pagesën e detyrimeve tatimore.
Kriteret për përzgjedhjen e tatimpaguesve në Lista ishin saktësia e vlerësimit tatimor dhe dorëzimi i deklaratave tatimore, rregullsia në pagesën e detyrimeve tatimore, si dhe rezultatet e kontrollit tatimor (në qoftë se nuk ka pasur parregullsi). Një nga kriteret ishte edhe se taksapaguesit duhet të kenë paguar më shumë se 200.000 € detyrime tatimore gjatë vitit të kaluar.
Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar se, publikimi i Listës së Bardhë përfaqëson një hap përpara në inkurajimin e tatimpaguesve që pajtohen vullnetarisht me rregulloret e taksave dhe bashkëpunojnë me Administratën Tatimore.
Lista e Bardhë është botuar për herë të parë më 7 qershor 2013. Tatimet e Malit të Zi kanë pohuar në raportin për Listën e Bardhë se ekziston një numër i madh i tatimpaguesve në përputhje me kriteret që mund të publikohen në listë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.