A do të hiqet taksa ndaj Serbisë?

08/01/2019 2:31 PM 0 komente

Kosova ka vendosur taksën doganore prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës më 21 nëntor të vitit që sapo e lamë pas.

Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për vendosjen e taksës prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës, Serbia është ankuar dhe ka kundërshtuar në masë të madhe këtë vendim të Qeverisë kosovare, shkruan lajmi.net.

Ishe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ai i cili e propozoi këtë vendim dhe Qeveria menjëherë e futi në fuqi.

Që nga ajo kohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministri Endrit Shala, kanë deklaruar se kjo taksë nuk do të hiqet përderisa Serbia dhe Bosnja nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Madje kryeministri i Kosovës Haradinaj, shpeshherë gjatë kësaj periudhe ka deklaruar se kjo taksë nuk do të hiqet derisa Serbia të heq dorë edhe me propagandën e saj kundër Kosovës.

Por, këtë taksë që nga fillimi i ka kundërshtuar Bashkimi Evropian dhe Serbia.

Brukseli zyrtar dhe qeveria e Serbisë vendosjen e kësaj takse po e cilësojnë si të dëmshme dhe në kundërshtim me marrëveshjen e CETFA-s.

Si shenjë proteste për vendosjen e kësaj takse në pjesën veriore të Mitrovicës janë organizuar edhe protesta të shumta para zyrave të BE-së dhe EULEX-it.

Se Kosova do ta heq taksën vetëm kur të arrihet një marrëveshje paqeje dhe vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, e ka thënë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Thaçi këtë e ka thënë edhe sot në një intervistë dhënë për gazetën amerikane “The Washington Post”.

“Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”, ka deklaruar ndër të tjera Thaçi në këtë intervistë.

Por pas kësaj deklarate ka reaguar ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Shala ka thënë se Qeveria ka pasur arsyet e veta për ta vendosur  këtë taksë dhe kjo taksë nuk do të  hiqet asnjë herë. Ai ka thënë se kjo taksë do të hiqet vetëm nëse ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë thotë se është arritur marrëveshjen për njohjen e pavarësisë atëherë, siç është shprehur Shala do ta propozojë heqjen e kësaj takse.

Në të kundërtën Shala ka thënë se taksa prej 100 për qind nuk do të hiqet pa plotësimin e kushteve të Kosovës.

“Përderisa ato arsye nuk eliminohen, unë si ministër kurrë në jetë nuk kam me propozua një heqje të një takse të tillë”, ka deklaruar sot Shala.

Ndryshe, sipas doganës së Kosovës, efekti i taksës 100 për qind është mbi 65 milionë euro që nga vendosja e saj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of