Refleksione lidhur me politikat e fundit ndryshimin e sistemit ekzistues tatimor dhe përshkallëzimin e TVSH-së
Kur politikanët mendojnë mbi mundësinë e ndryshimit të sistemit ekzistues tatimor nëpërmjet zëvendësimit të tij me një të ri, nëse duan që një ide e tillë të jetë realiste, duhet të marrin në konsideratë faktin se çdo ndryshim i politikës ekzistuese tatimore, përfaqëson një kërcënim në të panjohurën.
Si shembull shërben TVSH që mblidhet çdo vit në buxhetin e shtetit, që është jo vetëm një tregues kyç ekonomik, por edhe tregues i nivelit të përmbushjes së kërkesave të ligjit të TVSH-së nga tatimpaguesit. TVSH, njëkohësisht është edhe tregues indirekt i përmbushjes së kërkesave të ligjeve të tjerë tatimorë, për arsye se tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, varen nga volumi i shitjeve me TVSH, që përfaqëson nivelin e blerje/shitjeve të mallrave dhe shërbimeve për konsum. Në rastin e një vendimmarrjeje për një TVSH me disa përqindje, vendimmarrësit më së shumti dhe para së gjithash duhet të konsiderojnë mënyrën sesi e perceptojnë tatimpaguesit sjelljen që u ofrohet me anë të një TVSH-je me disa përqindje, sepse në qoftë se një trajtim i tillë nuk do të jetë ai që synon politika tatimore, atëherë do të rezultonte me efekte të kundërta.
Përshkallëzimi TVSH-së
Në rastin e një vendimmarrjeje për një TVSH me disa përqindje, vendimmarrësit më së shumti dhe para së gjithash duhet të konsiderojnë mënyrën sesi e perceptojnë tatimpaguesit sjelljen që u ofrohet me anë të një TVSH-je me disa përqindje, sepse në qoftë se një trajtim i tillë nuk do të jetë ai që synon politika tatimore, atëherë do të rezultonte me efekte të kundërta.
Rreziku
Një TVSH me disa përqindje, ekspozon rrezik të madh, gjë që nënkupton bërjen jo më të lehtë, por më të vështirë sa i përket përmbushjes së kërkesave të ligjit të TVSH-së, ashtu edhe pagimit të TVSH, në rastin e zbatimit të disa përqindjeve. Prandaj krahas nxitësve, do të duhej të konsiderohej me kujdes madhësia e çdo antinxitësi, duke përfshirë procedurat e apelimit dhe të rimbursimit të TVSH-së, veçanërisht, kujdesin që tatimpaguesit të mos e shohin këtë politikë tatimore si të pandershme edhe pse kjo politikë synon një përfitim të përgjithshëm. Pra, TVSH është një mjet ekonomik që kërkon përdorimin e duhur, nga i cili duhet të përfitojë vendi dhe të gjithë njerëzit, por kur TVSH-ja keqpërdoret nga tatimpaguesit porsa u përket përqindjeve dhe furnizimeve të përjashtuara, ndikon te të gjithë njerëzit dhe, hap pas hapi i bën të gjithë ata të pandershëm, veçanërisht në rastin e atyre bizneseve që veprimtarinë e tyre ekonomike e shtrijnë në fusha të përziera, të trajtuara me përqindje të ndryshme.
Sikundër shihet, një TVSH me disa përqindje, ekspozon rrezik të madh, gjë që nënkupton bërjen jo më të lehtë, por më të vështirë sa i përket përmbushjes së kërkesave të ligjit të TVSH-së, ashtu edhe pagimit të TVSH, në rastin e zbatimit të disa përqindjeve. Përfundimi është i qartë: nuk do të rezultonte në kursim, por në rritje të kostove të përmbushjes një ligj i tillë i TVSH-së.
Për ta kuptuar më mirë prirjen përse rritet ekonomia në hije, është e domosdoshme të shihen ndërlikimet e saj shoqërore dhe politike, pra nëse një dukuri e tillë simbolizon ose jo revoltën e njerëzve kundrejt ndërhyrjes së qeverisë në jetët e tyre, gjë që në pjesën më të madhe, tregohet nëpërmjet barrës tatimore dhe i strukjes në ekonominë në hije. Si rezultat, tatimet rriten për ata që mbeten në sistem me qëllim që të balancojnë humbjen e të ardhurave nga këto “shëtitje” tatimore, që ndezin një tërheqje të mëtejshme drejt ekonomisë në hije. Si rrjedhim, ndjenja e qytetarëve për detyrim moral (për të paguar tatime) bie, për arsye se ka rënë gatishmëria e tyre për të përmbushur detyrat e tyre civile.
Rritja e madhësisë së ekonomisë në hije (dhe për pasojë rritja korresponduese e evazionit tatimor) nga shumë ekspertë të fushës shihet edhe si një kundërveprim i tatimpaguesve në lidhje me përshkallëzimin e keqpërdorimit të shpenzimeve publike të bëra nga paratë e siguruara nga të ardhurat tatimore të mbledhura. Prandaj, ligjet, rregullat dhe praktikat që kanë efekt paralizues mbi ekonominë duhet të studiohen nga afër dhe të zvogëlohen në minimum, por nuk duhet harruar se në një periudhë afatshkurtër, ata nuk do ta ndryshojnë prirjen me drejtim të rritjes së ekonomisë në hije. Ekzistenca e ekonomisë në hije përfaqëson një sfidë të rëndë ekonomike dhe politike-shoqërore dhe suksesi mund të arrihet vetëm kur investigohen shkaqet, rrënjë të apelit të rritur për ekonominë në hije, ku ndërmjet tyre, veçohet barra e rritur tatimore si dhe rregullat dhe praktikat e gjera të legjislacionit tatimor.
Zakonisht, administrata tatimore nuk e vëzhgon veprimtarinë ekonomike ashtu sikundër ajo është (për shembull, kur dhe si bëhen deklaratat tatimore, kur dhe si përgatiten të dhënat tatimore, dokumentacioni, arkëtimet dhe të dhënat bankare) dhe kështu, megjithëse supozohet se TVSH-ja vendoset bazuar në veprimtarinë ekonomike, në fakt në pjesën më të madhe, ajo vendoset mbi bazën e komunikimit me shkrim si një zëvendësues i vëzhgimit direkt.
Përveç kësaj, komunikimi që përdorin zakonisht organet e administratës tatimore është i pjesshëm, indirekt dhe prapavështrues, sepse u duhet të presin deri në fund të një periudhe të caktuar tatimore (për shembull 14-15 ditë pas çdo muaji pasardhës për TVSH-në) dhe më pas kërkojnë vetëm informacione me shkrim, të hartuara për të komunikuar me ata.
Për të pasur një ligj më të mirë për TVSH, para së gjithash ai duhet të pasqyrojë realisht strukturën ekonomike të vendit, kapacitetin real që ka administrata tatimore për të administruar sistemin tatimor (dimensionin administrative), nevojat e shërbimit publik dhe përveç kësaj, duhen marrë në konsideratë, gjithashtu, faktorë të tillë të paqartë, por të rëndësishëm siç janë morali tatimor/kultura tatimore dhe mbi të gjitha, niveli ekzistues i besimit që kanë tatimpaguesit te qeveria. Drejtësia është i pari virtyt i institucioneve shoqërore dhe që nga ajo kohë që sistemi tatimor është një prej institucioneve shoqërore me bazë dhe më thelbësor, drejtësia e sistemit tatimor është subjekt i rëndësishëm i teorisë sociale dhe politike, si dhe për politikat praktike, por nuk duhet harruar që të vlerësohet drejtësia e ndonjë tatimi të veçantë, ose sistemi tatimor si një tërësi, thelbësor është konsiderimi i qëllimit të tatimit dhe sistemit tatimor në përgjithësi.
Për këtë arsye, koncepti i drejtësisë tatimore është domosdoshmërisht pluralist prandaj, në mënyrë tipike, shtetet moderne vendosin një përzierje tatimesh, që përfshijnë tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), akcizën mbi mallrat e veçantë, kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimin mbi pasurinë, etj.
Po për të paguar tatimet, kostot e tatimpaguesve janë shumë më të mëdha se shumat neto që mbledh administrata tatimore. Tatimpaguesit (biznese dhe individë) duhet të paguajnë më shumë se sa një lek për përfitimet e qeverisë me qëllim që të marrin prej një lek shërbime. Para se tatimpaguesit të paguajnë detyrimin e tyre tatimor, ata duhet së pari, të shpenzojnë kohë për mbledhjen e të dhënave, organizimin e dosjeve, si dhe të përpëliten nëpër legjislacionin tatimor, për të përcaktuar një mënyrë të saktë detyrimin e tyre tatimor.
Përveç kësaj, ata blejnë shërbime nga kontabilistët ose ekspertët tatimore për t’i ndihmuar që të përcaktojnë detyrimin e tyre tatimor, pa harruar se ata duhet të paguajnë gjithashtu, kostot e administratës tatimore për mbledhjen e tatimeve. Tatimpaguesit punësojnë madje ekipe kontabilistësh, juristësh, ekspertësh tatimorë për të gjurmuar, për të matur dhe paguar tatimet e tyre dhe kjo infrastrukturë tatimore përdoret gjithashtu për të optimizuar detyrimin e tyre tatimor.
Ashtu sikundër është vërtetuar tashmë, në përgjigje të politikave tatimore arbitrare, tatimpaguesit e ndryshojnë sjelljen e tyre duke punësuar ekspertë tatimorë për të zbuluar mënyra për të minimizuar detyrimin e tyre tatimore. Kostot e eficencës që rezultojnë nga ndryshimi i sjelljes së tatimpaguesve (shmangia dhe evazioni tatimor) janë të vështira për t’u matur në pikëpamje sasiore (në lek), por merret me mend se ato janë kostot më të mëdha nga të gjitha llojet e kostove.
Faktorët që influencojnë qëndrimin e tatimpaguesve dhe barra tatimore
Qëndrimi i tatimpaguesve në lidhje me përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor mund të influencohet nga shumë faktorë, ndër të cilët mund të përmenden disa më poshtë si vijojnë:
-perceptimet e tatimpaguesve në lidhje me sistemin tatimor dhe administratën tatimore;
-qëndrim i barabartë/norma subjektive;
-të kuptuarit e sistemit tatimor nga tatimpaguesi, legjislacioni tatimor;
-motivimi dhe ndëshkimi;
-kosto e përmbushjes;
-masa shtrënguese të tilla si kontrolli tatimor;
-mundësia për t’u zbuluar nga administrata tatimore;
-diferenca në kulturën e tatimpaguesve;
-kontrolli i perceptuar i sjelljes së tatimpaguesve;
-etika/moraliteti i tatimpaguesit dhe zyrtarit tatimor;
-barazia e sistemeve tatimore;
-faktorët demografikë si seksi, mosha, arsimi dhe madhësia e të ardhurave, si dhe përdorimi i informatorëve;
Faktorët ekonomikë:
-niveli i të ardhurave;
-përqindja tatimore;
-përfitimet tatimore;
-mundësitë e kontrollit tatimor;
-kontrolli tatimor;
-gjobat;
-ndëshkimet;
Faktorët joekonomikë:
-qëndrimet kundrejt tatimeve;
-drejtësia e perceptuar e sistemit tatimor;
-normat personale, shoqërore dhe kombëtare;
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.