Gjatë vitit 2015, KLSH ka ushtruar 11 auditime në drejtim të investimeve dhe projekteve me financim të huaj. Për këto auditime janë rekomanduar gjithsej 166 masa organizative, në funksion të përmirësimit të ecurisë së projekteve, ndërsa vlera e dëmit ekonomik të konstatuar në subjektet e audituara rezulton në shumën 1 071 293 000 lekë ose 7,8 milionë euro, shumë e cila është rekomanduar për t’u zhdëmtuar në masën 100%. Dëmi më i madh financiar konstatohet në projektin “Qendra e re dispecer” e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, 899 882 lekë. Projekte të tjera me performancë negative për shkak të shkeljeve të kryera janë: “Fuqizimi i digave”; “Furnizimi me ujë Shkodër”; “Menaxhimi dhe administrimi i tokës”; Projekti në Agjencinë e Zhvillimit të Zonave Malore, MADA; “Rikonstruksioni dhe zhvillimi i rrugëve lokale dhe sekondare në Bashkinë Tiranë”; “Linja unazore 110 kv”; “Ndërtimi i Bypass Durrës”. Sipas KLSH-së, institucionet shtetërore dhe entet menaxhuese nuk kanë arritur të realizojnë disbursimet sipas parashikimeve të përcaktuara në marrëveshjet financiare, ku shtyrja e afateve ka sjellë shtesa në kontratat e konsulencës dhe mbikëqyrjes, duke shkaktuar efekte negative financiare në rritjen e kostos së projektit. Nga ana tjetër, njësitë e zbatimit të projektit nuk kanë bërë një planifikim në vite për disbursimet e huave dhe kredive të akorduara. Për këtë shkak, sipas KLSH, në të gjitha projektet e audituara është kërkuar të shtyhet afati i realizimit të disbursimeve. Kështu, në të gjitha projektet e kontrolluara afati i shtyrjes së disbursimeve është më shumë se 4 vite. Kontrolli zbulon se institucionet shtetërore nuk kanë mundur të përmbushin të gjitha detyrimin e përcaktuar në marrëveshjet financiare, në lidhje me sigurimin e tokës, si dhe nuk kanë kryer shpronësimet për truallin që nevojiten për realizimin e projekteve. Këto veprime duhet të realizohen para se të fillojnë punimet civile për projektet. Kështu, në projektet “Ndërtimi i By-pass Durrës dhe nyja e Vorës”, “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e madhe”, “Menaxhimi dhe administrimi i tokës”, problemi i shpronësimeve dhe të drejtës mbi tokën ka sjellë vonesa të theksuara në realizimin e projektit. Ndërsa njësitë e zbatimit të projektit, sipas KLSH, nuk kanë realizuar monitorim të vazhdueshëm dhe mbikëqyrjen e kontratave të punimeve për shërbimin e konsulencës, duke sjellë për pasojë dëm ekonomik për punime të pakryera, por të paguara, cilësi të dobët, shtim të volumeve të punimeve dhe vonesa të tejzgjatura dhe të paargumentuara e justifikuara në realizimin e komponentëve të veçantë dhe të ndërtimit në tërësi. Shkeljet janë kryer që në ngritjen e njësive të zbatimit të projekteve. Në disa raste, këto njësi nuk janë emëruar në përputhje me marrëveshjet financiare, ka ndryshime të shpeshta të stafit të tyre, ose ndryshime të strukturës, duke sjellë çorganizim, mbikëqyrje dhe monitorim të dobët të projekteve. Në mbikëqyrjen e kontratave janë shfaqur parregullsi në zbatimin e afateve të përfundimit (kryesisht për punimet e ndërtimit), si dhe nuk janë kërkuar të zbatohen penalitetet për kontraktorët, të cilët nuk kanë mundur të plotësojmë detyrimin në afat. “Kur janë shfaqur nevojat për shtyrje të afatit të realizimit të projekteve, nuk është bërë një analizë e hollësishme ku të përcaktohen arsyet e vonesës, masat e marra për realizimin e projekteve, përcaktimi i afatit të ri, si dhe nuk janë nxjerrë përgjegjësitë për vonesat e shkaktuara”, konstatohet në raportin e KLSH-së për vitin 2015. Mungojnë planet e veprimit për realizimin e veprimtarive të projekteve, thekson KLSH. Shpesh njësitë e zbatimit të projekteve nuk e administrojnë dokumentacionin e projekteve në përputhje me legjislacionin shqiptar. KLSH konstaton se përgjithësisht dokumentacioni mbahet në gjuhë të huaj duke vështirësuar punën audituese, si dhe nuk ruhet sipas kërkesave ligjore për arkivat. “Dosjet teknike kanë mangësi në korrespondencat që mbahen ndërmjet kontraktorëve, konsulentit dhe zbatuesit të projektit, ato nuk përmbajnë të gjitha të dhënat e nevojshme, në mënyrë që të identifikohen afatet, kushtet e kontratës të zbatueshme”, nënvizohet në raport. KLSH ka zbuluar mangësi në dokumentacionin e dosjeve të prokurimit të dosjeve teknike dhe mosndjekje të procedurës deri në inventarizimin e tyre.
/ GAZETA SHQIP
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.