Qeveria rinis konkurset për administratën publike sipas ligjit të ri “Për nëpunësin civil” dhe, të parët poste që plotësohen, do të jenë ato të nivelit të lartë drejtues. Përgatitja për konkurrimin fillon me ngritjen e Komisionit Kombëtar Përzgjedhës (KKP) për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues (TND). Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito, çeli dje procedurën e aplikimit për përzgjedhjen e 5 anëtarëve të KKP-së për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues.
Komisioni
Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes për TND-në, në bazë të ligjit “Për nëpunësin civil”. përbëhet nga nëntë anëtarë: a) një përfaqësues nga DAP-i, që është drejtori i DAP-it; b) dy përfaqësues nga ASPA (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike), por jo nëpunës të ASPA-s, njëri prej të cilëve ekspert i huaj; c) një përfaqësues i TNDsë; ç) pesë personalitete të pavarura me përvojë profesionale dhe integritet. Këta emërohen nga Këshilli i Ministrave për një mandat 5-vjeçar, ndryshe nga anëtarët e parë, njëri prej të cilëve, i zgjedhur me short, zëvendësohet çdo vit.
Pesë personalitetet e pavarura
KKP-ja, që shërben edhe si komision disiplinor për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues, përbëhet veç të tjerësh, edhe nga pesë anëtarë të cilët do të përzgjidhen mes kandidaturave të personaliteteve të shquara dhe të pavarura. Mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr.118, datë 5.03.2014, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, sipas ministrisë, janë: Të kenë përfunduar arsimin e lartë; të kenë punuar për jo më pak se 5 vjet në funksione publike në nivele drejtuese; të kenë qenë pjesë e personelit akademik të arsimit të lartë apo Akademisë së Shkencave, apo të kenë titull/gradë shkencore. Personat të cilët dëshirojnë të aplikojnë, duhet të depozitojnë, brenda 15 ditëve, pranë Ministrit të Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike, kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues, i cili duhet të konsistojë në:
1. Shprehjen e interesit; 2. Jetëshkrimin (cv); 3. diplomën e shkollës së lartë;
4- Vërtetimin nga vendi aktual i punës ose ai i mëparshëm, ku të përcaktohet vjetërsia në punë dhe fakti nëse ka apo jo masa disiplinore;
5. Vërtetimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk ka kandiduar në zgjedhje të përgjithshme apo vendore nën siglën e një partie politike në zgjedhjet që përfshijnë periudhën e 3 viteve të fundit; 6. Dëshminë e penalitetit;
7. Deklaratën personale që nuk ka qenë anëtar i partive politike për 3 vitet e fundit;
8. Deklaratën personale që nuk ka lidhje nepotike apo konflikt interesi me anëtarët e TND-së; 9. Dokumentacionin tjetër shtesë, si tituj/gradë akademike, artikuj shkencorë, botime etj.
Anëtarët nga ASPA dhe TND-ja
Drejtori i ASPA-s zgjedh dy përfaqësuesit e vet nga radhët e personave që plotësojnë këto kritere: a) Të ketë arsim të lartë të nivelit të dytë; b) të ketë një përvojë pune për të paktën 5 vjet në administratën publike në pozicione drejtuese, por jo funksione politike dhe në momentin e kandidimit të mos jetë nëpunës civil; c) të mos ketë qenë anëtar i asnjë partie politike për të paktën 3 vitet e fundit nga data e kandidimit për anëtar të KKP-së; ç) të mos ketë qenë i dënuar penalisht për kryerjen e një vepre penale; d) të ketë cilësi të larta morale dhe profesionale; dh) të mos ketë masa disiplinore në fuqi; e) të mos jetë larguar nga shërbimi civil si rrjedhojë e masave disiplinore. Drejtori i ASPA-s shpall hapjen e kësaj procedure në faqen zyrtare të internetit të institucionit. Kandidatët që duan të aplikojnë duhet të paraqesin brenda 15 ditëve dokumentet e mëposhtme: a) diplomën e shkollës së lartë; b) jetëshkrimin (CV); c) vërtetimin nga punëdhënësi aktual apo ai i mëparshëm, ku të përcaktohet vjetërsia në punë dhe fakti nëse ka apo jo masa disiplinore; ç) dëshminë e penalitetit; d) deklaratën personale që nuk ka qenë anëtar i një partie politike për 3 vitet e fundit; dh) vërtetimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme apo vendore të zhvilluara në 3 vitet e fundit, nën siglën e një partie politike; e) për kandidatin e huaj, dokumentet e mësipërme duhet të kenë vulën “Apostil”, ose të jenë të legalizuara sipas procedurave të zbatueshme dhe të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe. Drejtori i ASPA-s, brenda 5 ditëve nga depozitimi i dokumenteve, emëron, me vendim të motivuar, kandidatët që do të shërbejnë si përfaqësues në KKP për një mandat 2-vjeçar. Përfaqësuesi i TND-së zgjidhet me short të organizuar nga DAP-i, nga radhët e anëtarëve të TND- së.
Detaje
Ku duhet dorëzuar aplikimi? Dokumentacioni i plotë i kandidatëve për Komisionin Kombëtar Përzgjedhës të TND-së duhet të dërgohet brenda 15 ditëve nga data e publikimit (14prill 2014) në adresën postare dhe/ose elektronike të Ministrisë së Inovacionit Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Këshilli i Ministrave, Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike; E-mail : [email protected]; Telefon: +355 4 2277355
Anëtarët e TND-së (Drejtuesit) duhet të këto cilësi:
a) Aftësi për të drejtuar dhe menaxhuar veprimet e ndryshme;
b) Aftësi komunikimi;
c) Aftësi të drejtimit strategjik;
ç) Ndërtim i marrëdhënieve ndërpersonale;
d) Efektivitet;
dh) Aftësi pune në grup;
e) Kuptim të gjerë të kompetencave ndërsektoriale;
ë) Njohuri mbi fenomenet sociale dhe ekonomike;
f) Besueshmëri;
g) Vizion;
gj) Të qenët krijues; h)Integritet; i) Njohuri për sistemin ligjor evropian.
Kandidatët që marrin mbi 70 për qind të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, sipas radhës së renditjes, emërohen nga DAPi anëtarë të TND-së. Këtu hyjnë pozicionet:
a) sekretar i përgjithshëm;
b) drejtor departamenti;
c) drejtor drejtorie të përgjithshme;
ç) pozicionet e barasvlershme me tre të parat.
Për 20 ditë caktohet komisioni që përzgjedh drejtuesit
Brenda dy javëve do të kemi emrat e Komisionit Kombëtar Përzgjedhës për TND-në. Pas verifikimit të dokumentacionit, sipas informacionit nga ministria, personat që plotësojnë kriteret, do të ftohen në dëgjesa publike. Ministrja do të bëjë dëgjesa publike me të ftuar nga institucionet qendrore, shoqëria civile, bota akademike apo shoqatat e biznesit, me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve. Brenda 20 ditëve nga depozitimi i dokumenteve, ministrja do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kandidaturat e përzgjedhura nga procesi i mësipërm. Sipas vendimit të qeverisë, në rast se asnjë prej kandidatëve nuk emërohet nga Këshilli i Ministrave, ministri përgjegjës për administratën publike shpall përsëri hapjen e procedurës së përzgjedhjes.
Kush hyn në TND
Numri i përgjithshëm i nëpunësve civilë të kategorisë së lartë drejtuese, TND-së, është sa numri i pozicioneve të rregullta të kategorisë së lartë drejtuese ekzistuese në strukturat e miratuara apo të parashikuara për t’u miratuar brenda vitit buxhetor, në institucionet e administratës shtetërore, plus një rezervë prej 15 për qind e këtij numri. Numri i anëtarëve, që do të rekrutohen çdo vit, përcaktohet në planin vjetor të rekrutimit. Pranimi në TND mund të bëhet vetëm nga personat që kanë përfunduar formimin e thelluar në ASPA (Shkolla e Administratës). Përjashtimisht, deri në daljen e grupit të parë të studentëve të ASPA-s apo kur prurjet nga ASPA nuk janë të mjaftueshme, pranimi në TND bëhet nëpërmjet një konkursi kombëtar.
Pranimi i drejtpërdrejtë në TND
Pranimi në TND, në rastin e parashikuar në ligj, bëhet drejtpërdrejt nëpërmjet një konkursi kombëtar, i cili është i hapur vetëm për nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND. Përjashtimisht, Këshilli Ministrave mund të vendosë që procedura e pranimit në TND të jetë e hapur edhe për kandidatët e tjerë, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND. Procedura e pranimit në TND organizohet nga DAP-i, ndërsa vlerësimi i kandidatëve kryhet nga Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes.
Kuvendi do të zgjedhë Komisionerin Civil
Në datën 20 prill hapet nga Kuvendi procedura për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Sipas burimeve, seleksionimi i kandidatëve dhe diskutimi do të vazhdojë deri në fund të muajit dhe në fillim të majit pritet votimi i komisionerit. Ai është person juridik publik, i pavarur, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil. Komisioneri mbështetet nga Sekretariati i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil . Komisioneri raporton para Kuvendit në fund të çdo viti dhe sa herë që i kërkohet rreth veprimtarisë së tij. Ai zgjidhet nga Kuvendi, për një afat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Komisioneri duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil dhe të ketë të paktën 10 vjet përvojë pune në profesion apo në administratën publike. Institucioni i tij mbikëqyr, kryesisht ose me kërkesë të institucioneve, zbatimin e ligjit në administrimin e shërbimit civil në të gjitha institucionet që punësojnë nëpunës civilë.
Në ushtrimin e kompetencave, Komisioneri: a) kryen hetim të plotë administrativ, sipas Kodit të Procedurave Administrative; b) kërkon dhe merr nga institucionet çdo informacion të nevojshëm për kryerjen e detyrave të tij; c) inspekton dosjet dhe çdo dokument, lidhur me administrimin e shërbimit civil; ç) kërkon, kryesisht apo me kërkesë, dëshmi të çdo nëpunësi apo funksionari të institucionit; d) këqyr dhe inspekton çdo praktikë administrimi në çdo institucion që punëson nëpunës civilë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.