Koncesionari i aeroportit të Rinasit ka fituar 84 milionë euro më shumë nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar të marrëveshjes koncesionare.
Sipas raportit, për periudhën 2004-2017 skenari fillestar i koncesionit parashikonte që kompania Tirana International Airport të realizonte një fitim neto prej 66 milionë eurosh. Por në të vërtetë gjatë kësaj periudhe kjo kompani ka realizuar nga koncesioni i aeroportit një fitim neto prej 150 milionë eurosh, pra 84 milionë euro më shumë.
Raporti i auditimit ka gjetur se të gjithë treguesit financiarë të kompanisë janë dukshëm më të larta se ato që parashikonte skenari fillestar i koncesionit. Kështu, gjatë kësaj periudhe aksionerët e koncesionit kishin parashikuar të merrnin 23 milionë euro dividentë, por në të vërtetë kanë marrë 90 milionë euro ose gati 4.5 herë më shumë.
Disbalanca e madhe ekonomike e koncesionit, tashmë e konfirmuar zyrtarisht edhe nga eksperti i pavarur që auditoi kontratën, i jep të drejtë qeverisë shqiptare që të kërkojë negociata me kompaninë për të vendosur ekuilibrin. Kjo do të thotë se qeverisë i lind e drejta të kërkojë kompesim financiar nga koncesionari, i cili mund të vijë në disa rrugë, ose përmes pagesave që kompania duhet të derdhë në buxhetin e shtetit ose përmes uljes së tarifave aeroportuale, të cilat do të çonin automatikisht në uljen e çmimit të biletave.
Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.