Një aeroport i vogël në ishullin kroat është shndërruar në një bazë të rëndësishme logjistike, por ende jozyrtare, për dërgesat e Pentagonit në Lindjen e Mesme, duke përfshirë edhe armë për rebelët sirianë. Linjat ajrore low-cost të aeroportit të Rijekës në Kroaci janë të tejmbushura me vizitorë, në kërkim të kohës me diell të këtij shteti, por që nga muaji prill i këtij viti, ato e kanë ndarë një pjesë të pistës për të gjithë aeroplanët me ngarkesa të mëdha me municione dhe furnizime të paidentifikuara ushtarake për luftërat e Pentagonit në Lindjen e Mesme, zbuloi Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investiguese (BIRN).
Raportuesit kanë identifikuar 14 fluturime mallrash në gjashtë muajt e fundit, të cilat transportonin armë dhe municione të modelit lindor të Bllokut dhe për ushtrinë amerikane. Kontrolli i trafikut ajror në Aeroportin e Rijekës nuk pranoi të komentonte mbi ngarkesën e aeroplanëve, por pranoi se kishte pasur “shumë më tepër” nga këto lloj fluturimesh gjatë këtij viti.
Rritja vjen si rezultat i vendimit të Pentagonit për të ndërruar trajektoren e furnizimit të armëve në Siri, duke u zhvendosur larg Gjermanisë. Që nga prilli i këtij viti, ka qenë dhjetë numri i fluturimeve të konfirmuara me dërgesa nga Pentagoni në aeroportin e Rijekës dhe më pas për në bazën ajrore amerikane në Katar. Secili ka përdorur një shenjë të veçantë dallimi, “CMB”, që zakonisht e mbajnë fluturimet nga Pentagoni. Përpara uljes në Aeroportin e Rijekës, aeroplanët përdorën një numër fluturimi komercial, duke treguar se ngarkesa ushtarake ishte marrë nga Kroacia. Dëshmitë e mbledhura nga BIRN thonë se ngarkesa me shumë gjasa mund të jetë bërë me armë nga vendet e Bllokut Lindor të destinuara për t’u dërguar në Lindjen e Mesme.
Katari nuk është emëruar si një prej bazave zyrtare për programin e Pentagonit në lidhje me armatosjen e luftëtarëve anti-ISIS, por renditet si një prej bazave operacionale ajrore të SHBA-së për Sirinë, Irakun dhe Afganistanin. Të dhënat e fluturimeve të fundit tregojnë edhe se aeroplanët nga Pentagoni transportonin rregullisht furnizime ushtarake ndërmjet Katarit dhe Kuvajtit, një nga depot e armëve të destinuara për rebelët sirianë. Në qershor dhe korrik, u ulën katër aeroplanë të tjerë në Rijekë, kësaj here nga linja ajrore, Silk Waye Azerbajxhanit, e cila drejton një flotë të avionëve Ilyushin-76, të ndërtuar sipas modelit rus SOCOM, një degë sekrete e ushtrisë amerikane, që blen armatime për rebelët anti-ISIS në Siri, si dhe partnerë të tjerë.
Ai është një lojtar kyç në shpërndarjen e 2.2 miliardë dollarë armëve për luftëtarët sirianë nga vendet e ish-Bllokut Lindor. Transformimi i Rijekës në një qendër për fluturimet ushtarake erdhi pasi SHBA ndaloi furnizimin me armë nga Blloku Lindor për në Siri, nëpërmjet bazave të saj ushtarake në Gjermani.
Sipas raportimeve të fundit të zbuluara nga BIRN, në dhjetor të 2016-s, Pentagoni urdhëroi kontraktuesit e tij që punonin në linjat e furnizimit që të ndalonin transportin e armëve në bazat e ushtrisë amerikane në Gjermani, sepse Berlini ishte bërë “shumë i ndjeshëm” për sa u përket dërgesave. Pentagoni ka refuzuar të konfirmojë se kontraktuesit e tij e përdorën Gjermaninë për transferimin e pajisjeve ushtarake në Siri. Por informacioni i botuar nga Sistemi Federal i të Dhënave të Prokurimeve, një databazë online e shpenzimeve zyrtare të SHBA-së, ofron prova të tjera se Pentagoni përdorte bazat gjermane, si dhe prova se armët në Siri u dërguan nëpërmjet Kroacisë.
Sipas të dhënave të gjetura në këtë databazë online nga reporterët e BIRN-it, Pentagoni urdhëroi rreth 16 milionë dollarë municione bullgare për luftëtarët e Irakut dhe Sirisë, në shtator të 2016-s. Në prill të 2017-s, ky urdhër u ndryshua për të zbuluar se pika e dorëzimit, tashmë nuk ishte më Gjermania, por Kroacia. Qeveria kroate dhe Pentagoni nuk dhanë asnjë informacion më të detajuar në lidhje me shndërrimin e Rijekës në një prej bazave të transportimit të armëve të Pentagonit për në Siri. Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë dhe Agjencia Kombëtare e Aviacionit nuk reaguan, ndërsa Ministria e Tregtisë tha se informacioni ishte konfidencial. Damir Ruzic, kreu i trafikut ajror në Rijeka, u shpreh se nuk ka asnjë arsye të veçantë të ardhjes së aeroplanëve në Rijekë.
Z. Ruzic tha më tej se ai nuk kishte marrë asnjë ankesë për rritjen e numrit të fluturimeve me ngarkesa të rënda. Por ndryshe shprehet Almira Brtan, e cila jep apartamente me qira pranë aeroportit për të huajt që vijnë për të kaluar pushimet në Kroaci. Ajo thotë se shumë prej turistëve janë të shqetësuar dhe se në momentin që shikojnë të fluturojnë “Ilyushin-76” mendojnë se një luftë e re është në prag të fillimit. Pushuesit në plazhe ngrihen menjëherë sapo shikojnë avionët, sepse ata duket sikur do të ulen sipër kokave të tyre.
Vendasit po ankohen gjithnjë e më shumë për zhurmën që këta avionë bëjnë, shtoi znj. Brtan. Janë ngritur dyshime, duke kryer një hetim edhe mbi faktin nëse Pentagoni ka shkelur ligjin, duke u dërguar armë rebelëve sirianë nëpërmjet bazave ajrore të saj gjermane pa dokumentacionin e duhur. Një veprim i tillë vjen menjëherë pas publikimit të një hetimi nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në shtator.
Ligji gjerman, bazuar në pozicionin e përbashkët të BE-së për eksportin e armëve, kërkon që licencat për transportin e armëve të shoqërohen nga certifikatat e përdoruesit përfundimtar, të cilat përcaktojnë destinacionin përfundimtar të dërgesës dhe se cilët do të jenë ata që do të përdorin pajisjet. BIRN u kërkoi zyrtarëve në Zagreb se përse Kroacia ishte e gatshme të pranonte armët e Sirisë, të cilat gjermanët i kishin refuzuar, pavarësisht faktit se të dyja kryeqytetet ndoqën të njëjtat procedura rregullatore me BE-në, por nuk morën asnjë përgjigje në këtë drejtim. Nuk është hera e parë që Zagrebi ka qenë një partner i rëndësishëm në përpjekjet e amerikanëve në Siri. Kroacia ishte midis vendeve të para që furnizonte me armë rebelët anti-Assad, si pjesë e një financimi nga CIA.