Puna për ndërtimin e hekurudhës moderne që do të lidhë Tiranën me Durrësin dhe Rinasin ishte planifikuar të niste këtë vit, por afati është shtyrë për shkak të vonesave në procesin e tenderimit.
Një raport monitorimi i publikuar së fundmi mbi projektet e Agjendës së Ndërlidhjes të iniciuara nga BE për Ballkanin Perëndimor që më 2016 thotë se procedurat e tenderit për shpalljen e kompanisë fituese që do të ndërtoje hekurudhën Tiranës -Rinas në Shqipëri nisën me fazën e parakualifikimit që në pranverë të këtij viti.
Burimet zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës pohuan se ishin 22 kompani që kanë marrë pjesë në garën e parakulifikimit, por qeveria do të përzgjedhë kompaninë fituese duke respektuar standardet e BERZH për prokurimet duke qenë se është financuesi kryesor i projektit.
Në kuadrin e Axhendës së Ndërlidhjes Rajonale më 2016, Komisioni Europian ra dakord për të financuar pjesërisht modernizimin e hekurudhës Tiranës -Durrës dhe ndërtimin e një linjë të re me Rinasin, Autostradën Ardiatiko Joniane dhe ndërtimin e dy kalatave në Portin e Durrësit.
Kosto e projektit të hekurudhës është përllogaritur 90 milionë euro, nga të cilat 36.8 milionë euro janë financim i BERZH.
Hekurudha përbëhet nga dy komponentë, përkatësisht rehabilitimi i pjesës Durrës-Tiranë, rreth 34.5 km dhe ndërtimi i 7.4 km hekurudhor i ri që lidh Tiranën me aeroportin e Rinasit. Përfituesi i kredisë është Hekurudha Shqiptare S.A. (kompani shtetërore) dhe interesi i kredisë është 1.25%, që duhet të paguhet brenda 15 viteve.
Kontributi kombëtar në këtë projekt konsiston në kostot e shpronësimit të tokës dhe mbulimin e TVSH-së, dhe duhet të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për periudhën 2017-2019.
Fillimi i punimeve fillimisht ishte parashikuar për në mes të vitit 2018, por ky afat nuk u përmbush. Projekti hekurudhor ishte parashikuar të përfundonte në fund të vitit 2020, por ekzistojnë supozime të besueshme se do të ketë disa shtyrje të mëtejshme përtej vitit 2021, thuhet në raportin e monitorimit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë tha në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, që rehabilitimi i segmentit Durrës-Tiranë është i mundshëm brenda 2.5 viteve, ndërsa segmenti i ri në aeroportin e Rinasit mund të ketë nevojë për kohë shtesë.
Ky investim i madh hekurudhor pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme në drejtim të vendeve të reja të punës – deri në 2,200 persona të punësuar. Kursimet nga përdorimi i hekurudhës për mjetet alternative të transportit vlerësohet të jenë rreth 55 milionë euro në vit, gjë që do të çojë në ulje të shpenzimeve të mirëmbajtjes dhe më pak ndotje në mjedis.
Ky projekt parasheh lëvizjen me një shpejtësi deri në 120 km / h, e cila duhet të zvogëlojë distancën midis Tiranës dhe Durrësit deri në afro 22 minuta dhe nga Tirana në aeroport deri në 12 minuta. Elektrifikimi shinave hekurudhore përjashtohet për momentin, pasi kërkohet një shtesë financimi prej 10 milion eurosh. Sipas Komisionit Europian janë identifikuar disa rreziqe që lidhen me projektin, të cilat nuk janë shoqëruar me masat e nevojshme zbutëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.