Afrohet tregtia

29/04/2013 2:15 PM 0 komente

As marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe as marrëdhëniet në dukje të mira me vendet e rajonit të Ballkanit nuk ndihmuan dot në forcimin e pozitave tregtare të Shqipërisë në këtë rajon. Atë që nuk e bënë dot marrëveshjet po e bën kriza: rënia e konsumit në Europë dhe rritja e çmimit të karburanteve afruan tregtarët shqiptarë me rajonin e CEFTA-s. Në 2012-n, eksportet u rritën 4%, ndërsa importet 3%

 

Me gjithë rritjen, tregtia që po zhvillojnë me vendet fqinje në Ballkan mbetet e dobët dhe larg pritshmërive që patën ekspertët e ekonomisë së këtyre vendeve kur hartuan e nënshkruan marrëveshjet e tregtisë së lirë. Sipas të dhënave doganore, tregtia e zhvilluar me gjashtë vendet e CEFTA-s (Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni, Kosovë, Moldavi, Mali i Zi dhe Serbi) shënoi rritje të lehtë gjatë vitit të kaluar. Shkëmbimet tregtare me CEFTA-n u rritën 4.2% në 2012 krahasuar me vitin 2011. Importet tona nga ky treg shënuan një rritje prej 3% ndërsa eksportet u zgjeruan 4%. Të dhënat tregojnë se në vëllimin e tregtisë, importet kryesojnë duke qenë gati dy herë më shumë se vlera e mallrave shqiptare të eksportuara në këto vende.

Marrëveshjet e tregtisë së lirë synonin të krijonin një zonë të lirë tregtare, për të rritur konkurrueshmërinë e rajonit në tregje më të mëdha, por shtimi i eksporteve me vetëm 3% nga tregu shqiptar sigurisht që nuk sjell ndonjë rezultat të dukshëm. Qëndrimi për zhvillimet tregtare të këtyre viteve të fundit është i ndryshëm mes ekspertësh. Një pjesë e tyre vlerësojnë ecurinë e mirë të eksporteve tona në rajon e tregtisë në tërësi me vendet në Ballkan, ndërkohë që ekspertë të tjerë e shpjegojnë rritjen e këtyre eksporteve si pasojë e zhvillimeve tregtare.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, vëllimi i tregtisë në total ra gjatë vitit që shkoi me 4.6% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që shkëmbimet tregtare me rajonin u rritën 4.2%.

Sipas ekspertëve, forcimi i marrëdhënieve tregtare me rajonin është pikërisht pasojë e rënies së aftësisë blerëse apo fuqisë eksportuese në tregje të largëta. Kostot e larta të transportit kanë tkurrur rreth vetes shumë tregje rajonale dhe duket se të njëjtën gjë bënë edhe me rajonin e Ballkanit. Ekspertët vlerësojnë se marrëveshjet e tregtisë së lirë, të cilat shpesh lexohen ndryshe nga një palë e ndryshe nga pala tjetër, mund të jenë vetëm një faktor lehtësues.

Nisur nga fakti që flasim për vlera relativisht të ulëta të tregtisë në rajon krahasuar me totalin, rritja e fundit e eksport-importeve, pak e ka ndryshuar peshën e këtyre vendeve në aktivitetin tonë tregtar. Sipas të dhënave doganore, pesha e eksporteve u rrit 1.5% duke zënë 13.5% të totalit të eksporteve tona për vitin 2012, ndërsa importet nga ky rajon e rritën peshën me vetëm 0.4% dhe përbënin 11.4% të totalit të vlerës së importit.

Në rritjen e peshës kanë ndikuar si shtimi i shkëmbimeve me këto tregje edhe ai i uljes së import-eksporteve me tregjet e tjera.

Sipas të dhënave doganore, Kosova kryeson eksportet tona në këtë rajon, pasi vitin e kaluar mbërritën në këtë treg gati 70% të eksporteve në CEFTA. Ndërkohë që në importe, peshën më të madhe e ka Serbia.

Mallrat më të tregtuar janë metalet, materialet e ndërtimit dhe karburantet. Ato zënë peshën kryesore si në importe edhe në eksportet drejt rajonit. Importi i lëndës djegëse nga këto vende zë gati gjysmën e këtyre importeve, ndërkohë që në eksporte, metalet dhe materialet e ndërtimit përbëjnë mbi 60% të peshës.

 

Pse është zbehur pesha e prodhimeve maqedonase

Prej disa kohësh, prodhuesit shqiptarë nuk u druhen më produkteve maqedonase. Rritja e konkurrencës në tregun e prodhimeve agroushqimore (ku vërehej konkurrenca më e fortë me Maqedoninë) ka bërë që prodhimet vendase të zëvendësojnë shumë nga produktet maqedonase. Këtë e vë në dukje edhe presidenti i Këshillit të Agrobiznesit, Enver Ferizaj, i cili bën të ditur se, “eksportet bujqësore janë rritur mbi 30% në Maqedoni e në vendet e tjera në rajon”.

Megjithatë, në uljen e importit të prodhimit ka pasur edhe një tjetër faktor, i cili mund të jetë edhe më i rëndësishëm. Prodhuesit maqedonas janë orientuar drejt tregjeve me standarde e çmime më të larta po në rajonin lindor të Europës: Kroacia, Sllovenia, Bullgaria e Rumania janë tregjet që po shihen më me interes nga maqedonasit. Më shumë se fermerët, këtë drejtim kanë marrë tregtarët, të cilët nuk janë ndalur vetëm në “shfrytëzimin” e prodhimeve vendase.

Sipas fermerëve të Lushnjës, tregtarët maqedonas i blejnë prodhimet e fushës në paketime (thasë) të mëdhenj dhe pasi i bëjnë një paketim e seleksionim më të mirë në Maqedoni, i dërgojnë prodhimet në tregjet më të pasura juglindore.

 

Shërbimet, një treg ende i zbehtë

Zona e lirë e tregtisë, e krijuar mes vendeve të CEFTA-s, nuk është shfrytëzuar as për shërbime. Tregu prej më shumë se 30 milionë banorësh nuk po funksionon për shkak të strukturave të ndryshme të kërkesë-ofertës.

Lidhjet e dobëta të infrastrukturës dhe deri-diku edhe barriera të ndryshme për sektorë a produkte kanë bërë që shkëmbimi i shërbimeve mes këtyre vendeve të mbetet në nivele edhe më të dobëta. Vlerësimet e bëra për tregun rajonal vënë në dukje se ka barriera për tregtinë e shërbimeve në rajon. Dy shembuj të qëndrueshëm ndër vite janë: mosnjohja e licencave të ndërtimit dhe situatat monopol në disa sektorë. Sipas një vlerësimi të bërë nga Banka Botërore para pak kohësh, tregtia e shërbimeve paraqet një mundësi pak të shfrytëzuar për rritjen ekonomike të vendeve të CEFTA-s. Sipas studimit “Pengesat e tregtisë së shërbimeve në rajonin e CEFTA-s”, struktura e shërbimeve varion në rajon. “Udhëtimi është burimi kryesor i hyrjeve për vendet e bregut të Adriatikut, i ndjekur nga transporti dhe shërbimet e komunikimit”.

Në total, rajoni i CEFTA-s është një eksportues neto i shërbimeve, ku vlera e eksportit është gati sa dyfishi i importeve. Por studimi tregon se, po të përjashtojmë të ardhurat nga turizmi, eksporti i shërbimeve është vetëm pak më i lartë se importet. Bosnjë-Hercegovina është i vetmi vend i CEFTA-s me eksport neto të rëndësishëm të shërbimeve, kryesisht për shkak të eksportit të shërbimeve të ndërtimit. Eksportet e Kroacisë janë pak më të lartë se importet. Kosova dhe Serbia kanë një tregti të balancuar dhe pjesa tjetër (me një nivel të ulët) janë importues neto të shërbimeve, vlerëson raporti i Bankës Botërore.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of