Nga 1 janari i vitit 2015, do të themelohet Agjencia e Punësimit në Kosovë. Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se kjo agjenci do të ndërmjetësojë në punësimin e punëkërkuesve të regjistruar. Por, zyrtarë të opozitës thonë se krijimi i kësaj agjencie nuk mund të ndikojë në zbutjen e papunësisë, përderisa Qeveria të mos hartojë politika të mirëfillta.
Papunësia edhe më tutje mbetet ndër sfidat më të mëdha të vendit. Autoritetet thonë se po angazhohen në vazhdimësi për zbutjen e këtij problemi, por opozita thotë të kundërtën.
Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se politikat qeveritare adresojnë shumë qartë problemet sociale.
“Agjencia e Punësimit e Kosovës do të jetë ofrues publik i shërbimeve në tregun e punës, që ka për qëllim administrimin e tregut të punës dhe zbatimin e politikave të punësimit dhe aftësimit profesional”, thekson ai.
Kjo agjenci, sipas Gaxhiqit, do të fokusohet në inkuadrimin dhe punësimin e një numri të madh të të papunëve që janë lajmëruar në zyrat e punësimit në sektorë të ndryshëm. Por, Time Kadriaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh zëvendëskryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, thotë se më politikat aktuale vështirë do të mund të zbutet papunësia.
Ndryshe, themelimi i Agjencisë do të bazohet edhe në praktikat e vendeve të rajonit, ndërkaq çështja e personelit dhe kostos së funksionimit të saj janë në procesin e analizimit dhe do të jenë të gatshme deri në fund të vitit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.