Publikim i Artikullit të Sponsorizuar

Agro-Tech Expo 2019, platforma e përvitshme e informimit dhe bashkëpunimit mes bizneseve vendase dhe të huaja në sektorin bujqësor

15/03/2019 7:23 PM

Agro-Tech Expo & Forum 2019, platforma e përvitshme e informimit dhe bashkëpunimit mes bizneseve vendase dhe të huaja në sektorin bujqësor

Për të dytin vit radhazi, Expocity Albania në Tiranë hap dyert për të pritur Panairin Ndërkombëtar të Agro-Biznesit dhe Agro-Teknikës, në datat 15-16 mars, një ngjarje e rëndësishme për të gjitha shoqëritë e sektorit të bujqësisë në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit. Panairi shoqërohet me Konferencën “Global G.A.P Stop Tour”, e cila mbahet në datë 16 mars, e organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Risi Albania.

Jo vetëm stenda të hapura për vizitorët, por edhe workshop-e në dy ditët e Panairit, e shndërrojnë këtë organizim në hapësirën ideale të të gjithë aktorëve të sektorit bujqësor, me një pjesëmarrje të rreth 70 bizneseve në edicionin e dytë.

Në çeljen e këtij eventi morën pjesë përfaqësuesit më në zë të agrobiznesit shqiptar, si dhe aktorë të rëndësishëm në politikë.

Aida Lutaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Expocity Albania, në fjalën hapëse e cilësoi Panairin si eventi më i rëndësishëm i këtij formati në sektorin bujqësor dhe pikëtakimin ideal mes aktorëve rajonalë.

“Edicioni i dytë Agro-Tech Expo & Forum 2019 vjen pas nismës së parë në 2018, me një rritje të dukshme, në pjesëmarrje të sipërmarrjes, si dhe me lançimin e konferencës ‘Global Gap Stop Tour 2019’, që vjen për herë të parë të Tiranë. Për të hyrë në zinxhirin furnizues të BE-së, prodhimet shqiptare duhet të rrisin konkurrueshmërinë, duke përmbushur kërkesat e sigurisë dhe standardet për një bujqësi të qëndrueshme. Bujqësia mbetet një nga sektorët me potencialin më të madh të zhvillimit në Shqipëri, si dhe është burimi kryesor i punësimit dhe të të ardhurave në zonën rurale të vendit”, – tha znj. Lutaj

Sipas saj, “Agro-Tech 2019” është eventi më i rëndësishëm i këtij formati në rajon, për sektorin e bujqësisë, agroteknikës dhe agropërpunimit, me një qasje sektoriale dhe me synimin serioz për ta kthyer në një platformë të përvitshme komunikimi, informimi dhe bashkëpunimi, mes bizneseve vendase dhe të huaja.


Bledi Çuçi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i pranishëm në Expocity Albania, theksoi se zhvillimi rural është për të gjithë rajonin. “Panairi është i ri, por mbetet hapësirë unike për kompanitë dhe fermerët e fushës. Aktorët më të rëndësishëm kombëtarë dhe rajonalë ndodhen këtu për të formuar një ansambël rural. Duke nisur nga Inputet bujqësore, mjetet etj., për të gjithë të pranishmit ka mundësi reale për partneritete dhe informim për fushën. Bujqësia është përparësi dhe ka potenciale për zhvillime të mëtejshme. Dëshiroj të theksoj se për herë të parë në Shqipëri, vjen Konferenca ‘Global G.A.P Stop Tour’” – përfundoi ministri Çuçi.

I pranishëm në event, Eduard Shalsi, Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, tha se sipërmarrja shqiptare përballet me vështirësi, por, sipas tij, bujqësia është prioritet. Ministri u bëri thirrje bizneseve që të përfitojnë nga bashkëpunimi që vjen mes tyre, në këto pavijone, nga mundësia unike që vjen nga Panairi.

Ndërkohë, Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, dha dy lajme të mira për qytetarët e Tiranës, të cilat i shërbejnë zhvillimit të biznesit, por edhe shitjes së produkteve të bujqësisë dhe të agrikulturës. Qeveria, me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, do të miratojë së shpejti një zonë të lirë ekonomike në Kashar. Kryebashkiaku njoftoi krijimin e një tregu të dytë shumice për produktet bujqësore në zonën e Lundrës, i cili mendohet si një zgjidhje për të shtuar konkurrencën dhe për të ulur çmimet e shërbimit dhe të produkteve.

Kryefjala, inovacioni

Inovacioni në fushën e bujqësisë ishte një nga tematikat më të diskutuara gjatë workshop-eve të mbajtura në Expocity Albania në datat 15 dhe 16 mars. Tema si kalimi në sistemin e automatizuar të vaditjes, ide të reja për investim në bujqësi dhe financimi në këtë sektor, produktet bio dhe organike, rëndësia e tokës dhe e ujit për kulturat bujqësore etj., morën vëmendje të veçantë në të dyja ditët e Panairit. Konferenca Global G.A.P in Albania do të sjellë në një panel diskutimi përfaqësues të lartë të gjigantit botëror të certifikimeve dhe aktorë kryesorë të sektorit bujqësor. Konferenca shërben si një fushatë informative mbi certifikimin Global G.A.P dhe mundësinë e mbështetjes për bizneset shqiptare, akseset që ky certifikim i jep sektorit në zhvillimin e eksporteve etj.

Agro-Tech 2019

Eventi më i rëndësishëm i këtij formati në rajon, për sektorin e bujqësisë, agroteknikës dhe agropërpunimit, me një qasje sektoriale dhe me një synim serioz për ta kthyer në një platformë të përvitshme komunikimi, informimi dhe bashkëpunimi, mes bizneseve vendase dhe të huaja.