Nënshkrimi, më në fund, i një marrëveshje me kreditorët, i dha shefit të Agrokor, Fabris Perusko, mundësinë që të përqendrohet në udhëheqjen e grupit kroat të ushqimit, duke lënë pas periudhën e vështirë të falimentimit dhe duke luftuar konkurrencën ndërkombëtare, shkruan Reuters.
Kompania konsulente e mëparshme McKinsey & Company u promovua në shkurt nga bordi i Tisak, për të ristrukturuar kompaninë mëmë, por kroatët e patën të vështirë të vepronin, si pasojë e muajve të tërë bisedimesh të vështira me kreditorët.
Sipas marrëveshjes, konsulenti mund të fillojë ta përgatisë kompaninë më të madhe të Europës Juglindore për t’u listuar në bursë brenda katër vitesh, si dhe të punojë për të fituar sërish akses në financimin dhe rivitalizimin e zinxhirëve të supermarketeve Konzum. Suksesi është vendimtar për Ballkanin, sepse numri i punëtorëve që Agrokor punëson është rreth 52,000 vetë.
Agrokor është një prej mbështetësve më të mëdhenj të përpjekjeve të vazhdueshme për të integruar ekonomitë rajonale të dëmtuara nga luftërat e viteve 1990, por rivalët gjermanë si Lidl dhe Kaufland, po i krijojnë pengesa të shumta. “Mendova se do të shpenzoja pjesën më të madhe të kohës në ristrukturimin e saj, ka deklaruar në muajt e mëparshëm z. Perusko. Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjeve të shumta midis kreditorëve. Tashmë, ne mund të përqendrohemi në këtë gjë”, tha ai për Reuters.
Agrokor, i cili u themelua në vitin 1976 dhe që funksiononte fillimisht si dyqan lulesh, u përball me borxhe të shumta, me rreth 58 miliardë kuna (9.12 dollarë amerikanë), teksa përpiqej që të zgjerohej duke blerë kompani dhe brande të njohura në të gjithë ish-Jugosllavinë. Vendosja përballë falimentimit, bëri që ajo të kalonte nën administrimin e shtetit, në prill të 2017-s, duke shkaktuar edhe një krizë, si pasojë e së cilës u rrëzua koalicioni qeverisës i Kroacisë.
Qeveria aktuale, e cila miratoi një ligj për ta shpëtuar atë nga mbyllja, e mandatoi atë të nënshkruajë edhe një marrëveshje me kreditorët, ku përfshihen bankierë vendas dhe të huaj, mbajtësit e obligacioneve dhe furnizuesit. Sipas marrëveshjes, kreditori më i madh i Agrokor, Sberbank e Rusisë do të bëhet aksionerja më e madhe, me një përqindje aksionesh prej 39.2. Mbajtësit e obligacioneve do të kenë 25%, bankat lokale kroate 15.3% dhe banka e dytë më e madhe e Rusisë VTB (VTBR.MM) do të përfitojnë rreth 7.5% të aksioneve. Marrëveshja pritet të konfirmohet në tetor ose në nëntor, nga një gjykatë kroate.
Ndërsa për sa i përket mbylljes së dyqaneve apo shkurtimeve të vendeve të punës, z. Perusko nuk pranoi të prononcohej. Shumica e analistëve thonë se këto janë kritike për forcimin e Konzumit, që gjeneron pjesën më të madhe të të ardhurave të grupit. Z. Perusko shton se, një hap shumë i rëndësishëm, sidomos në këtë fazë, është rifitimi i besimit te furnizuesit dhe kreditorët. Agrokor i është dashur edhe më shumë se një vit për të paguar furnizuesit e saj, të cilët për rrjedhojë detyroheshin që më pas të rrisnin çmimet.
Drejtimi i biznesit në mënyrë më efikase dhe nënshkrimi i marrëveshjeve më të mira nga furnizuesit do të ndihmojë Konzumin të shmangë rivalët ndërkombëtarë, tha ai më tej. Për momentin, z. Perusko u shpreh se nuk kishte asnjë plan për të shitur biznese si prodhuesi i akulloreve Ledo dhe kompaninë e shisheve të ujit Jamnica, megjithatë situata mund edhe të ndryshojë në të ardhmen.
Detyrë e vështirë
Analistët thonë se tashmë, detyra e tij më e rëndësishme është që të nxjerrë sa më shumë të ardhura nga rrjeti i 790 supermarketeve Konzum që përbëjnë 45% të të ardhurave të grupit dhe që aktualisht po përballen me konkurrencën e ashpër të shitësve ndërkombëtarë. Lidl dhe Kaufland janë zgjeruar shumë gjatë problemeve të fundit të Agrokor dhe sipas analistëve, kjo e ka dëmtuar mjaft linjën e shitjeve kroate.
Analisti me qendër në Zagreb, Damir Novotny, tha se Konzum ka një raport të kostos me raportin e të ardhurave me 12%, ndërsa Lidl në rreth 7 ose 8%, kursime këto që i ndihmojnë rivalët të mbajnë çmime të ulëta.
Si pasojë e zhvendosjes së konsumatorëve drejt konkurrentëve që ofrojnë çmime më të ulëta, Konzum ka humbur një vit duke u marrë vetëm me ristrukturimin strategjik të tij.
Rrjeti Mercator i Agrokor, i cili përfshin 985 dyqane të shpërndara në Slloveni, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi po përballet me një konkurrencë gjithnjë e më të madhe nga rrjeti i ndërkombëtarëve. Në Serbi, në fund të këtij viti, Lidl do të ketë hapur nga 10 deri në 20 dyqane, duke punësuar mbi 1,000 persona.
Në Kroaci, Kaufland hapi dyqanin e 39-të në fund të prillit, ndërsa Lidl hapi të 95-in në maj. Konzumi po përballet me sfida edhe nga dyqanet Studenac dhe Tommy në bregdetin dalmat, ku ka një dyndje turistësh. I pyetur për konkurrencën, z. Perusko tha se “Konzum dhe Mercator do të shndërrohen sërish në liderët e shitjeve me pakicë, por gjithmonë pasi të jenë zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet e brendshme”.
Megjithatë, analistët thonë se atë e pret një detyrë e vështirë përpara.
Duke qenë se vëmendjen më të madhe për momentin e ka ristrukturimi i biznesit, Luka Oreskoviq, partner në firmën investuese dhe këshilluese Spitzberg Partners, tha se asgjë nuk është e sigurt në terma afatgjatë. Pronarët e rinj duhet t’i lejojnë bordit menaxhues të zbatojë ristrukturimin e nevojshëm, duke përfshirë shkurtimin e vendeve të punës dhe mbylljen e dyqaneve që nuk janë fitimprurëse. Por kjo do të jetë më e vështirë tani sesa ishte një vit më parë.