Industria agropërpunuese në vend është ende në një fazë zhvillimi, ku investimet duken të mirëpritura. Por, ajo çfarë ka ndodhur këto vite nuk ka qenë zgjidhja më e mirë, madje vetë përfaqësuesit e agroindustrisë i pranojnë “gabimet” e tyre.
Bumi i investimeve vitet e fundit ishte në përpunimin e qumështit. Numërohen qindra punishte, ndërsa nuk mungojnë edhe investime të mëdha që kanë arritur në miliona euro. Ky zhvillim erdhi ndërkohë që rrjeti i prodhimit të qumështit në vend është ende i paorganizuar, fermat e vogla blegtorale e bëjnë të pa mundur furnizimin e mjaftueshëm të industrisë me qumësht. Dhe në fakt, prej më shumë se një viti numërohen mbi 10 punishte e fabrika të përpunimit të qumështit që kanë mbyllur aktivitetin, të shpërndara kryesisht në zonën Tiranë, Durrës, Kavajë.
Përfaqësuesit e agroindustrisë vlerësojnë se në këtë sektor ka pasur investime të pa studiuara, të bazuara shpesh në përpunimin e produktit të importit, çka nuk ka rezultuar produktive për ta. Ndaj sot gjendemi para një situate, ku hapësirat për përpunim janë pasi ende fshatarët e tregtojnë qumështin në bidona të ricikluar të pijeve të gazuara (jashtë standardeve) e nga ana tjetër fabrika që mbyllen. Edhe në këtë rast, sipas Enver Ferizajt, rrugëzgjidhja është zmadhimi i fermës blegtorale, një rrugë jo e lehtë kjo pa subvencione nga qeveria.
E ndërsa në përpunimin e qumështit duhen bërë llogaritë me më shumë kujdes, e mbi të gjitha pa pretenduar të gjenden rrugëzgjidhje pa vizion, si ajo e importit të lëndës së parë, një tjetër industrie i duhet të ndryshojë tërësisht kurs.
Janë sipërmarrjet e konservave të perimeve, që prej rreth pesë vitesh po përballen me ulje të kërkesës në vend. Sipas tyre, kjo ka ardhur si për shkak të uljes së konsumit, edhe për faktin se prodhimet e freskëta gjenden më lehtësisht në treg. Mes konservave dhe këtyre të fundit, shqiptarët zgjedhin perimet e frutat e freskët.
Si vetë prodhues në këtë industri, Enver Ferizaj mendon se rrugëzgjidhja është gjetja e tregjeve të ftohta, si Gjermania Lindore, Norvegjia, e pse jo edhe Rusia. Tentativat e para janë bërë, dhe një prej prodhuesve më të mëdhenj në vend, bën të ditur se ka realizuar një pjesë eksportesh në këto tregje.
Ajo që nuk duket se ka më hapësirë është përpunimi i mishit. Të pozicionuara tashmë në treg, fabrikat e përpunimit po mbijetojnë me lëndë të parë të importuara.
Gara është forcuar mes prodhuesve të birrës, atyre të pijeve të gazuara madje edhe ujit, pasi janë shtuar sipërmarrjet ndërsa konsumi vlerësohet në rënie.
Vit i kaluar tregon për vështirësitë e këtij sektori. Sipas të dhënave të ministrisë së Bujqësisë, vlera e prodhimit në agroindustri ishte rreth 38 miliardë lekë, ose 7% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në panoramën e plotë të kësaj industrie rënia është e theksuar tek prodhimet e konservuara dhe ato të stazhionuara.
Prodhuesit e pranojnë që kërkesa në treg ka shënuar rënie dhe janë detyruar ta reflektojnë atë në prodhim. Madje, ata theksojnë se me uljen e vëllimit të prodhimit, jo vetëm që po sigurojnë më pak të ardhura por kanë një kosto më të lartë për njësi. Përpunuesit e mishit, tregojnë se blerësit po orientohen drejt mishit të freskët, të pa trajtuar në industri, e madje drejt mishit me çmimin më të lirë në treg. Prodhimi i mishit të freskët të pulës është dyfishuar vitin e kaluar, ndërkohë që ai i mishit të gjedhit pothuajse u përgjysmua, sipas shifrave të ministrisë së Bujqësisë.
Prof. Abdyl Sinani, teknolog ushqimor, mendon se, “ky është një hap prapa për konsumatorët shqiptarë. Duke iu larguar produkteve të shtrenjta, blerësit u largohen edhe proteinave të mira e të freskëta”.
Ndaj Prof. Sinani sugjeron dy ndërhyrje në këtë sektor. Për efektet afatshkurtra, emergjente si për industrinë edhe konsumatorin, ai këshillon mbështetje financiare të agropërpunuesve përmes skemave direkte të financimit për të gjitha ato sipërmarrje që investojnë e rinovojnë teknologjitë.
Për të zgjidhur problemet në një afat më të gjatë, që i siguron qëndrueshmëri tregut, ai i rikthehet një këshille të dhënë edhe disa vite më para: kontratat paraprake. Pra agropërpunuesit duket të bëjnë kontratat parapake blerje me fermerët, përmes të cilave u sigurojnë blerjen e prodhimit duke financuar një paradhënie. Por, që agropërpunuesit të jenë të sigurt për këtë, u duhet një garanci nga një i tretë, të cilën sipas Prof. Sinanit mund ta japë vetëm qeveria, përmes garancive bankare.
Këshillat për agrindsustrinë
-Industritë e konservave të perimeve të kërkojnë tregje të ftohta
-Investitorët e përpunimit të qumështit të mos bazohen tek qumështi i importit
–Qeveria të financojë direkt rinovimin e teknologjisë
-Qeveria të hyjë garant për blerjet në të ardhmen
Burimi: KASH, ekspertë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.