Qeveria ka miratuar kushtet që duhet të plotësojë çdo biznes që kërkon të certifikohet në veprimtarinë pritëse agroturizëm. Referuar vendimit kërkohet që subjekti te ketë tokë në pronësi, fermë me kafshë si dhe të prodhojë një sasi të caktuar të produkteve vetë. Po kështu kërkohet që këto subjekte të kenë struktura akomodimi nga 6 deri në 30 por jo më shumë.
Kriteret sipas vendimit
Agroturizmi, si veprimtari, mund të zhvillohet në ferma, që plotësojnë këto kritere:
– Ferma bujqësore duhet të ketë, të paktën, 1 ha tokë të mbjellë me kultura bujqësore ose, minimalisht, 0,5 hektarë sera;
– Ferma blegtorale duhet të mbarështojë, minimalisht, 10 krerë gjedh ose 100 krerë dele/dhi apo 200 krerë shpendë. Te fermat blegtorale klasifikohen edhe stanet;
– Ferma peshkimi/akuakulture.
5. Agroturizmi mund të zhvillohet edhe në njësi agrikulturore, që kanë si aktivitet përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit e akuakulturës (si p.sh. pika përpunimi të vajit të ullirit, kantina të përpunimit të rrushit/frutave, pika përpunimi të bulmetit/baxho, peshkut, ferma akuakulture etj.), të cilat janë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive të agroturizmit.
6. Subjektet, që zhvillojnë veprimtari pritëse të klasifikuar si “Agroturizëm”, duhet të ofrojnë, minimalisht, njërin nga shërbimet e mëposhtme:
a) Akomodim;
b) Ushqim dhe pije;
c) Veprimtari argëtuese/çlodhëse, të lidhura me fermën ose mjedisin përreth.
7. Subjektet agroturistike, që ofrojnë akomodim, duhet të kenë një kapacitet nga 6 deri 30, por jo më shumë, dhoma pritëse.
8. Strukturat, në të cilat ofrohet shërbimi i akomodimit, sipas klasifikimit të ligjit për turizmin në fuqi, duhet të respektojnë kriteret urbanistike dhe kriteret e tjera në fuqi për ndërtimin, të përcaktuara në planet e përgjithshme vendore. Atje ku është e mundur, godinat duhet të respektojnë traditat lokale të ndërtimit.
9. Akomodimi mund të ofrohet edhe në formën e fushimit, me ambiente për vendosjen e çadrave apo të makinave të fushimit. Në këto raste, subjekti agroturistik garanton kushtet minimale higjieno-sanitare (si p.sh. tualet, ujë të pijshëm, pikë grumbullimi të mbeturinave, lidhje me energjinë elektrike) për një kapacitet maksimal prej 15 makinash fushimi.
10. Ofrimi i ushqimit dhe i pijeve bëhet në ambiente të përshtatshme dhe që plotësojnë normat në fuqi për ushqimin dhe kushtet higjieno-sanitare. Struktura pritëse, ku ofrohet ushqim dhe pije, duhet të ketë, minimalisht, 6 deri në 60, por jo më shumë, tavolina.
11. Ushqimi dhe pijet e ofruara në subjektet agroturistike duhet të jenë me origjinë nga ferma (të prodhuara ose të përpunuara në fermë/njësinë agrikulturore), minimalisht në 30% të sasisë së tyre. Nga 30% deri në 70% të produkteve ushqimore/pijeve lejohet të jenë me origjinë lokale, të prodhuara apo të përpunuara nga prodhues lokalë, që kryejnë aktivitet në bashkinë ku ka selinë agroturizmi.
12. Subjektet agroturistike ofrojnë/mundësojnë për vizitorët e turistët veprimtari argëtuese/çlodhëse, që lidhen me fermën (si p.sh., por pa u kufizuar në, mbjellje/vjelje të produkteve bujqësore, aktivitete të lidhura me kafshët, peshkim artizanal, degustim të produketeve etj.) ose jashtë fermës (si p.sh., por pa u kufizuar në, hipizëm, alpinizëm, ecje në natyrë etj.)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.