Ahmetaj për deklarimet e Dhomës Gjermane për përkeqësim të klimës së biznesit: Nuk përkojnë me realitetin, kemi bërë reforma, rritja ekonomike 1.5% më e lartë se mesatarja e rajonit….
Ministri i ri i financave Arben Ahmetaj ka pohuar sot në një takim me mediat dhe deputetë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, se ekonomia reale është më mirë sesa perceptimi për të.
Ahmetaj shtoi se rritja ekonomike e vitit 2016 pritet të jetë tre herë më e lartë sesa ajo në 2013-n.
Ndërsa pak ditë më parë Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA) publikoi gjetjet e një pyetësori që e vendoin Shqipërinë në vendin e fundit ku investitorët gjermanë do investonin sërish, ministri i financave the se ky perceptim nuk përkon me realitetin.
“Paguam 70 miliardë lekë detyrime të prapambetura”, tha Ahmetaj, ndërsa shtoi se ekonomia po vetëkorrigjohet, duke kaluar nga ndërtimi tek industritë, nga vlera e shtuar e ulët tek vlera e shtuar e lartë. “Këto zhvillime pozitive i dedikohen reformave të qeverisë”, shtoi ministri.
Sipas tij, rritja ekonomike në vitin 2015 ishte më e lartë sesa mesatarja e rajonit.
Ndërsa të dhënat e INSTAT treguan pak ditë më parë se rritja e konsumit është kthyer në negative për herë të parë që nga viti 1998, Ahmetaj tha se konsumi ka rënë shumë pak në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Ministri Ahmetaj ka pranuar se reformat e ndërmarra nga qeveria kanë risk politik, por në rast se nuk do të ishin realizuar, sipas tij “do të kishim një tjetër 1997.’
“Janë hapur 173 mijë vende pune gjatë periudhës dy vjeçare në pushtet, jemi shumë afër mbajtjes së premtimit për 300 mijë vende pune.”- ka thënë ministri.
Referuar aksionit antiinformalitet, ministri theksoi se ajo po jep rezultate dhe se faza e dytë do të bëhet nga zyra.
Ministri i Financave ka cituar edhe lajmet për ikjen e investitorëve, duke thënë se “kemi 43 mijë kompani të huaja në 3 vitet e fundit në Shqipëri, nuk është e vërtetë se investitorët po ikin”.
Ministri Ahmetaj tha se mbajtja e borxhit publik në objektiv është sfidë e madhe për qeverinë. “Objektivi ynë është që këtë vit të jetë në nivelin e 70.9 %”- tha ministri.
Duke vijuar raportimin e tij në Komisionin e Ekonomisë, kreu i Financave shqiptare tha se kredia konsumatore është rritur.
Ministri iu referua edhe projekteve të mëdha në vendin tonë, sipas tij, TAP dhe rifutja e kompanisë SHELL në investime, do të stimulojë rritjen ekonomike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.