Ministri i Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj po bën një paraqitje të planit të qeverisë për vitin 2016 për shpenzimet kryesore të buxhetit 2016 me në fokus investimet kapitale në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Ai e nisi fjalën e tij me një retrospektivë të viteve të mëparshme.
” Dy janë projektet më të rëndësishme, fondi i zhvillimit të rajoneve dhe investimet në energji”- tha Ahmetaj, duke shtuar se investimet në dy vitet e qeverisjes kanë qenë të konsiderueshmë krahasuar me vitet e mëparshme.
” Gjatë viti 2014 investimet kanë qenë 70 mld lekë ose 4.3 % e PBB-së. Në vitin 2015, investimet në total kanë qenë 74 mld lekë, e shprehur në përqindje sa 5% e PBB-së Ndërsa në vitin 2016 është planifikuar 78 mld lekë ose 5.1% e PBB –së ” tha ministri.
Ahmetaj tha se përherë të parë në 6 vitet e fundit suficiti arrin 0.3%. Në 2016, theksoi ai, do të fillojë ulja e borxhit publik.
Sa i përket investimeve në vitin 2016 sipas zërave, ministri Ahmetaj deklaroi se 21 mld lekë do të shkojnë për ndërtim dhe rikostruktim rrugësh; 5 mld lekë për investime në energji (përtej investimevë të vetë kompanisë) dhe për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve rreth 10,5 mld lekë.
Deputetja Tabaku iu drejtua ministrit duke thënë se qëllimi primar i Fondeve për Zhvillimin Rajonal këtë vit është keqpërdorur. Në 2015, theksoi ajo, 3mld lekë nga 10 mld në total janë përdorur për të tjera arsye që nuk përfshihen në qëllimet e këtoj fondi. Ajo shtoi edhe se qeveria nis shpenzimet me blerje makinash dhe me rikostruksion godinash.
Deputetët e opozitës argumentuan duke iu drejtuar ministrit se janë rritur me 343% shpenzimet e kryeministrisë, ndërkohë që janë shumë më pak shpenzime publike.
Ndërsa kryetari i Komisionit Erion Braçe këkoi nga ministri që të jepet një afat për mbarimin e rrugës së Kombit.
“Duhen së paku edhe 160 mln euro, fond të cilin qeveria nuk e disponon. Rruga e Kombit ka thithur deri më sot 1,4 mld lekë. Nuk ka mbaruar ende, ka segmente të pambaruara, sinjalistikë e munguar, ura të pabëra. Kjo rrugë futet në mesin e konjukturave të rëndësishme. Për të qenë në standardet e duhura duhet edhe 160 mln euro minimalisht. Këto para nuk i kemi. Kjo rrugë ka nevojë edhe për 7% fonde për mirëmbajtje, ende nuk kemi përfunduar procesin e tenderimit”- tha Ahmetaj.
Braçe iu drejtua ministrit edhe duke i “kërkuar llogari” se pse ka kaq shumë investime me fonde të huaja dhe se kontratat janë në kushte të vështira zbatimi.
“ Investimet e huaja nuk ecin aq shpejt se sa investimet e vetë shtetit. Tani, projektet janë monitoruar nga Ministritë e linjës. Ndërsa tani, ky monitorim do të ndryshojë. Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë do të bëjnë monitorimin procedurial të këtyre investimeve, për të përshpejtuar projektin.”- tha Ahmetaj, duke shtuar edhe se në 2016 do të kemi investime me financim të huaj më pak se vitet e shkuara, nga 36 mld lekë, në 29 mld lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.