Për bujqësinë shqiptare ky është një fillim i ri. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, gjatë analizës së 300 ditëve të këtij sektori tha se pas debatesh të shumta tashmë kemi një përqasje të drejtë për bujqësinë e reflektuar në atë paketë e cila është gati për t’u lançuar në 300 ditët e dyta të qeverisjes.
“Ka rreth 20 vite ku thuhet se bujqësia është e rëndësishme, jep 20 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, jep 25% të rritjes së prodhimit të Brendshëm Bruto e megjithatë shifra që është rritur vazhdimisht, jo vetëm thjesht për konsum, konsumit në rritje, por për shkak të rënies së peshës së bujqësisë në zhvillimin ekonomik në këto 20 vite, është importi dhe Shqipëria sot importon akoma 800 milionë ushqime dhe nënprodukte ushqimore.
Në një konferencë në Vjenë, kur qeveria po promovonte dhe vazhdon të promovojë ekonominë shqiptare dhe vendin për investimet e huaja, ne ndamë me investitorët austriakë një fakt vërtet interesant. Në ‘88-ën Shqipëria eksportonte 160 mijë ton fruta dhe perime në Austri. Sot jo vetëm që eksporton zero por përkundrazi, importon, jo vetëm nga Austria por edhe nga shumë vende të tjera, pra thjesht kjo shifër tregon kapacitetin e bujqësisë dhe mundësitë në rritjen ekonomike dhe zëvendësimin e importeve me prodhim vendas dhe eksporte, duke krijuar një zinxhirë vlere të konsoliduar në funksion përsëri të eksportit”, tha ministri Ahmetaj.
Programi i qeverisë për bujqësinë vjen si pjesë e bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me Qendrën Kombëtare të Zhvillimit, pjesë e Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit, e drejtuar nga profesor Hausmann.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.