Ahmetaj për taksën e pronës: Bashkitë që nuk zbatojnë në kohë metodologjinë e re të përdorin të vjetrën

22/05/2018 2:38 PM 0 komente

Bashkitë që nuk aplikojnë dot menjëherë metodologjinë e re të taksës së pronës mund të vijojnë të punojnë me të vjetrën gjatë 2018 duke e konsideruar si një fazë tranzitore. Ajo që është e sigurt është që të gjithë do të paguajnë taksë mbi ndërtesën. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj sqaroi nga Gjirokastra se çfarë nënkupton kjo fazë.

“Në referencë të aplikimit të taksës mbi ndërtesat, një sqarim për të gjithë subjektet por edhe për qeveritë vendore, aplikimi i taksës së pronës nuk është shtyrë ashtu siç është keqinterpretuar, por ajo që unë kam sqaruar dhe që do ta risqaroj sot ka të bëjë me periudhën tranzitore, që do të thotë ligji i ka dhënë të drejtë njësive vendore që nuk bëhen dot menjëherë gati për metodologjinë e re të bazuar te vlera, për një periudhë tranzitore mund të përdorin metodologjinë e vjetër. Pra, taksa vazhdon aplikohet, taksa nuk është shtyrë, por ka një periudhë tranzitore për të akomoduar metodologjinë e re me bazë vlerën”tha Ahmetaj

Taksa mbi ndërtesat

Financat sqaruan se metodologjia e re e llogaritjes së taksës vendore mbi ndërtesat ka hyrë në fuqi nga data 1 prill 2018. Për periudhën Prill-Dhjetor të këtij viti kjo taksë do të llogaritet me përqindje mbi vlerën e ndërtesës, çka e bën këtë taksë me të drejtë dhe neutrale krahasuar me metodën e mëparshme të llogaritjes me kuotë fikse mbi sipërfaqen.

Formula e re ka filluar tashmë të zbatohet. Njësitë e pushtetit vendor kanë filluar procesin e kalkulimit të taksës sipas metodologjisë së re, duke bërë përjashtimet dhe zbritjet përkatëse sipas përcaktimeve të ligjit.

Periudha e muajve në vijim do konsolidojë administrimin e taksës së pasurisë nga njësitë e pushtetit vendor, e shoqëruar kjo me konsolidimin e regjistrit përkatës, duke synuar që në vitin pasardhës të kemi një sistem të plotë dhe automatik të administrimit të kësaj takse.

Metoda e re bën që parimi i progresivitetit në taksim të reflektohet edhe në taksën e ndërtesës ku ai që zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë më të lartë apo në qendrat e qyteteve paguan më shumë se dikush tjetër që zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë më të ulët apo jo në qendër të qyteteve.

Metodologjia e re e llogaritjes së kësaj takse siguron fleksibilitet për njësitë e qeverisjes vendore në përcaktimin e vlerës së ndërtesave duke patur jo pak mekanizma dhe metoda alternative për përcaktimin e saj.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz