E PERDITESUAR U zhvillua konferenca “Drejt një rruge të re të progresit në Shqipëri”. Konferenca është organizuar në pesë module që përkojnë me pesë sektorë të rëndësishëm si: energjia, integrimi rajonal, zonat industriale, banka e zhvillimit dhe turizmi. Konferenca u përshëndet nga ministri Ahmetaj, Zv.Kryeministri Peleshi dhe nga profesor Ricardo Hausmann, drejtor i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Kennedy School of Government në Harvard University. Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantina Gjermeni, Tahseen Sayed e Bankës Botërore, Fabuio Serri i BERZH e të tjerë përfaqësues të institucioneve të rëndësishme të vendit dhe ndërkombëtare.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, pohoi gjatë konferencës se qeveria ka një qasje të re në zhvillimin ekonomik, duke përmendur prezantimin e paketës fason, e cila është e para në këtë lloj. “Vetëm në 260 biznese të përpunimin aktiv ka 3500 vende pune të reja dhe vetëm volumi i kontratave është rritur 30 për qind”, tha Ahmetaj.
Ministri tha se po punohet me me të njëjtën filozofi projektin e dytë, atë të zonave industriale. Aktualisht ndonëse në Shqipëri ka 12 zona industriale, asnjë prej tyre nuk është funksionale. “Në 300 ditët e ardhshme, sfidë e qeverisë shqiptare do jetë implementimi i një projekti pilot me zonat industriale, të cilat do i japin mundësi industrisë prodhuese për eksportin”.
Sipas Ahmetajt, po punohet që të evidentohen elementet që do japin mundësi që këto qendra industriale të funksionojnë. “Shumë shpejt, gjatë 300 ditëve të dyta do kemi gati zonën industriale pilote, e cila do jetë ndihmesë e madhe për biznesin vendas dhe për krijimin e një industrie prodhuese për eksportin”, tha Ahmetaj.
FJALA E PLOTE E MINISTRIT AHMETAJ
Pak muaj më parë, kur Kryeministri shprehu idenë për bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit, shumë prej nesh u treguan jo pak skeptikë për përfitimet imediate që do të mund të sillte ky bashkëpunim.
Sot, me kënaqësi ju them se puna me këta studentë Masteri dhe me disa ndër profesorët më në zë qoftë nga Kennedy School pranë Harvard University, qoftë nga Harvard Business School apo nga Universitete të tjera prestigjoze, ka qenë në fakt një arritje në fushën e kërkimit, analizës, identifikimit të problematikave pas së cilave fshihej zhvillimi i ngadaltë, nën potencial, apo në disa raste edhe stanjacioni i sektorëve ekonomikë. Po kështu adresimi i këtyre problematikave me një qasje të re dhe afatgjatë na ka mundësuar të shikojmë problemet strukturore, për të gjetur zgjidhje që të funksionojnë në kohë.
Ne sot kemi një qasje krejtësisht të re për zhvillimin sektorial dhe potencialin apo kontributin që ato mund të japin për rritjen e ekonomisë shqiptare. Një qasje pragmatiste dhe të strukturuar, të mbështetur në të dhënat faktike të këtyre 6 muajve të parë kur ne shohim një fillim të një momentumi pozitiv për ekonominë e vendit si në shifrat e eksportit, në ato të konsumit, treguesve të besimit në ekonomi, shifra që vijnë nga burime të ndryshme të pavarura dhe të besueshme.
Përpara disa muajsh prezantuam para publikut shqiptar paketën mbështetëse për industrinë e përpunimit aktiv, një paketë, e para këtij lloji në vendin tonë, për të cilën patëm mbështetjen e ekipit të Harvardit. Kjo paketë ishte e para paketë suporti e cila u ngrit nga sugjerimet e sektorit dhe që kërkoi për zgjidhje përtej zgjidhjeve fiskale e imediate, në krijimin e një zinxhiri të plotë vlerë brenda sektorit të manifakturës. Sot paketa fason është një nga sukseset tona në 300 ditë qeverisje, me një rritje të eksporteve me rreth 87 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke patur impakt direkt mbi krijimin e 3500 vendeve të reja të punës apo rritjes me mbi 30% të volumit të kontratave.
Ne jemi duke punuar me të njëjtën filozofi projektin tonë të dytë, atë të zonave industriale. Pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes tashmë funksionon një grup i posaçëm pune, apo siç i referohet prof. Hausmann, një Black Belt Team, me përfaqësues edhe të ministrive të linjës, të cilët po bëjnë një skanim të hollësishëm të zonave industriale në vend, të problematikave dhe zgjidhjeve të mundshme, të potencialit dhe mundësive për të patur një impakt real mbi ekonominë.
Në fakt koncepti i Black Belt Team i përshtatet më së miri modelit të qeverisë për zgjidhjen e bllokimeve në zinxhirin e vlerave, pasi nuk adreson vetëm problemet imediate, por synon të zgjidhë të gjithë gamën e problemeve të një lloji, pavarësisht se ku gjenden këto.
Grupi i punës për zonat industriale, së bashku me bashkëpunëtorët nga Kennedy School ka vizituar në terren secilën prej zonave të dështuara industriale dhe tashmë ne kemi një pamje të qartë të situatës. Po punohet për përgatitjen e një pakete mbështetëse për tërheqjen e investitorëve të interesuar për zhvillimin e këtyre zonave ekonomike në vend, për të shfrytëzuar atë pjesë të potencialit që nuk është vënë në punë deri tani, që nga pozita jonë gjeografike, kosto e krahut të punës e deri tek mënyrat në të cilat vendi do të zhvillohet pas marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE.
Shumë shpejt, gjatë 300 ditëshit të dytë do të kemi gati formatin e zonës industriale pilot, e cila do të shërbejë si pikë referimi për investitorët në raport me zhvillimin e këtyre zonave në Shqipëri. Ne besojmë se zona industriale është një ndihmesë e madhe për biznesin vendas dhe një instrument i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe për krijimin e një industrie prodhuese për eksportin.
Dje, në një tjetër konferencë me Ministrinë e Bujqësisë, prezantuam punën e bërë deri më tani për zhvillimin e bujqësisë dhe agroindustrisë, e ndërkohë po punohet edhe për turizmin, energjinë, integrimin rajonal.
Pjesë e rëndësishme e këtij ushtrimi ekonomik dhe strukturor është që të mobilizohet i gjithë potenciali i Shqipërisë në të gjithë këta sektorë prioritarë. Analiza e zhvilluar në këto muaj nga ekipi i Profesorit Hausmann do të paraqesë sot gjetjet dhe analiza për 5 sektorë, ndërkohë që janë përgatitur analiza për gjithsej 11 sektorë të rëndësishëm, së bashku me sugjerime masash që mund të adresojnë problematikat dhe të sjellin ndryshimin.
Ne e dimë se situata në disa nga këto sektorë nuk ka qenë kurrë optimale, por ky nuk është një ushtrim politik, por një analizë e hollësishme për të adresuar menjëherë problemet dhe për të sjellë zgjidhjet afatgjata.
Megjithëse nuk është këtu, mendoj se një kontribut të rëndësishëm në këtë proces ka Kryeministri Rama, i cili e ka iniciuar këtë proces reflektimi dhe ndërhyrjeje në sektorët me impakt mbi zhvillimin e vendit. Së dyti, dua të falënderoj prof. Hausmann për angazhimin e tij në përfshirjen e ekspertëve nga çdo nivel, në vende të ndryshme të botës, për ti asistuar qeverisë me politika zhvillimore, me hapat konkretë që janë marrë në vende me probleme të ngjashme dhe me alternativa të cilat janë të përshtatshme për stadin e zhvillimit të ekonomisë së vendit. Së fundmi, do të doja të falënderoja edhe një herë Ekipin e Shqipërisë (Team Albania) për punën e tyre në këto dy muaj, për përkushtimin e tyre krahas administratës, për të gjetur së bashku rrugën më të mirë për të mobilizuar potencialin e plotë ekonomik të vendit.
Në fillim të këtij projekti, Profesori Hausmann tha se shumë shpejt Harvard University do të dinte shumë më shumë në lidhje me Shqipërinë, në lidhje me sfidat dhe mundësitë e saj. Duke parë rezultatin e deritanishëm të këtij projekti që vazhdon në faza të tjera tejet interesante, jam i bindur që jo vetëm do të mësojmë të gjithë më shumë nga sfidat tona, por do të krijojmë së bashku histori reale suksesi, të cilat do të ndihmojnë ndryshimin e thellë të ekonomisë shqiptare në një ekonomi funksionale, me rritje ekonomike të qëndrueshme e me përmirësim në nivelin e jetesës së të gjithë qytetarëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.