Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka përsëritur se sfidë sot mbetet përmirësimi I klimës së biznesit, si dhe rritja ekonomike e Shqipërisë në një trend konsolidues.
I pranishëm në konferencën “Arritjet dhe sfidat e ekonomisë në sytë e studentëve” tha se Shqipëria e ka lënë pas krizën ekonomike të viteve 2008-2014.
“Dua të ndaj me ju si student apo pedagog, që Shqipëria e ka lënë pas krizën ekonomike të gjatë 2008-2014. Viti 2015 ka qenë shumë i vështirë, sepse përveçse korrektoi veten, kaloi në një vetërregullim si për të ulur deficitin, por dhe për të ulur borxhin. Këtë vit kemi nisur të ulim borxhin dhe kjo përkon dhe me ndryshime ligjore dhe aty është një filozofie e tërë e qeverisë dhe që do i vlejë një gjenerate të tërë nesër. Me gjithë lëkundjet ekonomike të këtyre viteve ka stabilitet të konsumit”.
Ministri më tej ka shprehur dëshirën që rritja ekonomike të arrijë nivelin e 7%.
“Ekonomia shqiptare zhvillohet në një kontekst të vazhduar. E them këtë pasi kemi debat për rritjen ekonomike. Rritja ekonomike në ëndrrat e mia duhet të ishte 7%, ndoshta edhe 10-12%. Çdo ekonomi lëviz dhe rritet në kontekstin e vet. Konteksti jonë është rajoni, është një ekonomi e vogël me 3 milionë banorë. Ekonomia jonë zhvillohet, rritet, goditet dhe bie në kuadrin e fqinjve që janë Italia, Greqia dhe të gjithë vendet e rajonit dhe sigurisht e influencuar në kontekstin rajonal”.- përfundoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.