Ministri i Financave shqiptare Arben Ahmetaj, gjatë njëkonference për shtyp mbi ecurinë e ekonomisë, është ndalur të emetimi i eurobondit.
“Pas emetimit të suksesshëm të Eurobondit, kjo konferencë do të pasqyrojë një rikthim te ngjarjeve më të rëndësishme të këtij viti” tha Ahmetaj.
Për sa i përket Eurobondit në krahasim me emetimet e mëparshme është interesi më i ulët dhe kohë maturimi më të gjatë, ka bërë më dije ministri.
Duke dhënë detaje të tjera, ministri shtoi se përveç tregut europian u targetua dhe tregu amerikan. “Ky proces u shoqërua dhe me manaxhim detyrimesh, në favor të uljes së risqeve qoftë në aspektin e shumave edhe atë të interesave”-ka thënë Ahmetaj.
Sipas ministrit, efektet pozitive nga emetimi i Eurobondit janë: Kursime direkte në buxhet, të paktën 35.7 milionë euro për 7 vite nga rifinancimi i borxhit ekzistues.
“Kemi të paktën 10 miliardë lek apo 85 milionë euro çdo vit nga mosrritja e normave të interesit të borxhit të brendshëm. Likuiditet e bankave të anagazhohen në tregun privat. “- ka theksuar ministri.
“Maturimi dhe interesi, nuk janë gjë tjetër veçse reflektim i besimit i investitorëve nga vendet e zhvilluara në ekonominë shqiptare,”- tha Ahmetaj gjatë konferencës.
Rritja ekonomike po mbështetet nga rritja e sektorit energjetik, turizmi dhe përshpejtimi i manifakturës. Ahmetaj shtoi se ishte një lajm i mirë që Banka Botërore rishikon me rritje projeksionin për ekonominë. Sipas shifrave, argumentoi ministri, rritja ekonomike e tremujorit të dytë është mbi nivelin e parashikimit vjetor. “Po diversifikohemi mbi burimet e rritjes ekonomike” – tha ai.
Ahmetaj u ndal te punësimi, duke theksuar se , po lemë prapa kohën kur rritja ekonomike nuk shoqërohej me rritjen në punësim. Sipas Bankës Botërore, argumentoi ministri, kemi rritjen më të madhe të punësimit në rajon.
“Kemi ulur papunësinë në nivele rekord historike” tha Ahmetaj, duke shtuar se kemi 234 mijë vende të reja pune, të cilat janë stimuluar nga rritja ekonomike. Sipas tij, të punësuarit sipas listë–pagesës në shtator 2018 ishin 684,209.
Ahmetaj shtoi se paga mesatare vazhdon të rritet dhe u ndal gjithashtu, në flukset hyrëse të IHD këtë vit.
“ Është riaktivizuar industria përpunuese minerare në vend. Janë dy fabrika të cilat kanë sjellë vlerë të shtuar në ekonomi. Industria është kthyer në burim rritje. Për sa i përket inflacionit mbetemi në ato nivele, puna e Bankës së Shqipërisë është për tu vlerësuar, qoftë në aspektin e uljes kredisë së këqija, mbikëqyrjes së sistemit financiar dhe inflacionit. Turizmi ka qenë në rritje dyshifore, deri në 2022 presim 10 mln turistë. Eksportet po rriten në nivele dyshifrore, ato janë diversifikuar. “- ka përmbledhur ministri gjatë konferencës disa nga sektorët kryesorë ekonomikë në vend. Ministri shtoi në fund se sipas paketës fiskale të vitit të ardhshëm, synohet rritja e pagave, si dhe hapi i bonusit të bebeve është një lajm i mirë për të promovuar rritjen demografike. Në nismat e tjera të qeverisë për mbështetje, përmendi paketën e solidaritetit, librat falas për ciklin fillor të shkollimit, si dhe përfshirja në shërbim dhe të atyre që nuk janë të siguruar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.