“Air Albania” nis rrugëtimin

14/09/2018 8:39 PM 0 komente

Qytetarët do të duhet të presin ende për të fluturuar me linjën ajrore shqiptare “Air Albania” të lakuar aq shumë së fundmi.

Fluturimi i së shtunës i konsideruar si i pari, në fakt është një fluturim i 80 studentëve drejt Stambollit ndërkohë që mbrëmjen e kësaj të premte në pistën e Aeroportit të Rinasit u ul avioni i ‘Air Albania’ i nisur nga Stambolli në një fluturim testi. Detajet e vetme mbi axhendën e kompanisë i dha ambasadori turk në Tiranë gjatë një ceremonie të mbajtur në Aeroportin e Rinasit me rastin e mbërritjes së avionit nga fluturimi test.

Përgjatë katër fjalimeve që u mbajtën, mes të cilëve drejtoresha e “Albcontrol”, që do të jetë edhe autoriteti publik shqiptar me 10 për qind të aksioneve, anëtari i Bordit të “Turkish Airlines” dhe në fund edhe Kryeministri Edi Rama, nuk u përmend asnjë datë se kur do të fillojnë fluturimet për qytetarët edhe pse nga kompania është deklaruar ky muaj afati më i fundit.

Kryeministri, ndër të tjera në fjalën e tij, theksoi përpjekjet për të krijuar kompaninë e parë ajrore shqiptare. Ai ndër të tjera theksoi se falë “Air Albania”, shqiptarët do të mund të fluturojnë jo vetëm në Europë por edhe përtej. Sipas tij, sot referuar fluturimeve më të shumta që bëhen nga Shqipëria kohëzgjatja e tyre është në kufijtë e 120 minutave pra janë fluturime të shkurtra, ndërkohë që ambicia është që këto fluturime të shkojnë përtej këtij minutazhi duke nënkuptuar distanca më të largëta.

Rama gjithashtu theksoi se Shqipëria sot është i vetmi vend që ka një aeroport funksional dhe se synimi është që t’i jepet prioritet sektorit, duke pasur të paktën katër aeroporte, atë të Vlorës, Kukësit dhe Sarandës.

Përtej rezervave mbi mënyrën sesi është zvarritur afati për “Air Albania”, futja në treg e një tjetër linje ajrore e aq më tepër shqiptare, është padyshim një lajm i mirë në drejtim të konkurrencës dhe për bileta më të lira për qytetarët. Ndaj urimi “Udha e mbarë dhe udha e gjatë” vlen për kompaninë më të re, por sigurisht, prova e saj e rezistencës do të jetë koha, pasi kompanitë shqiptare nuk kanë munguar në tregun e transportit ajror, por jetëgjatësia e tyre për një arsye ose një tjetër ka qenë gjithmonë e shkurtër.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz