Sipas një njoftimi të fundit nga qeveria gjermane, kompania e fluturimeve ajrore, Air Berlin, është në prag të shpalljes së falimentit. Kompania po kalon këtë fazë të vështirë, pasi Ethiad, aksioneri i saj kryesor, që ka përqindjen më të madhe të aksioneve, njoftoi se nuk do të kishte më financime të mundshme.
Por ministri gjerman i Ekonomisë, siguroi se qeveria do t’i garantojë kompanisë një hua prej 150 milionë eurosh, në mënyrë të tillë që ajo të vazhdojë fluturimet që ka për momentin. Jemi në një situatë ku disa mijëra udhëtarë ndodhen në vende të ndryshme të botës për të kaluar pushimet e tyre, prandaj ne nuk mund të lejojmë që kjo kompani të shpallë falimentin, sepse atyre do t’u krijoheshin pengesa të shumta për t’u kthyer sërish në Gjermani, tha më tej Ministri.
Pa financimet e mëtejshme të Ethiad, kompania ajrore deklaroi me shumë keqardhje se e ardhmja e Air Berlin është e pashpresë.