Mos e quani dron, edhe pse ngjan shumë me të. Quajeni më mirë një kamera fluturuese, të cilën mund ta mbani në xhep. Ose më thjesht, AirSelfie. Nëse doni të realizoni foto nga lart, harrojini Selfie-stick, që për më tepër janë të papërshtatshëm dhe jo estetik: kjo mënyrë është më e mirë. Bëhet fjalë për një kamera 5 megapiksel, e montuar në një pajisje alumini, e pajisur me katër helika e gjithashtu me mikro-motorë që mund të arrijnë një distancë prej 20 metrash në lartësi dhe 15 metra larg.
AirSelfie lindi si një ide e sipërmarrësit të ri italian, Edoardo Stroppiana, dhe është zhvilluar në Britaninë e Madhe.
Përdorimi i saj është shumë i thjeshtë; kamera mund të pilotohet nëpërmjet një aplikacioni për smartphone. Pasi të arrijë lartësinë dhe largësinë e dëshiruar do të stabilizohet automatikisht, do të shkrepë foton dhe më pas do të kthehet mbrapsht.
Fotot ruhen si në memorien e brendshme të pajisjes prej 4 GB, po ashtu edhe në telefon dhe mund të ndahen menjëherë me miqtë në rrjetet sociale. Aktualisht nuk ka nevojë për ndonjë autorizim për t’u përdorur, falë dimensioneve të saj (67,4 x 94.5 x 10,6 milimetra, 52 gramë). Megjithatë, kompania siguron se nuk ka asnjë rrezik që pajisja të mund të shkatërrohet nga era e as që mund të bjerë; helikat janë të vogla, të lehta dhe të mirëmbrojtura.
Pajisjet e para do të jenë disponibël në mars të vitit 2017. Pasi të jenë gati 1000 pajisjet e para, do të jenë gati edhe 2000 të tjera me një çmim 224 euro (gjithmonë brenda muajit mars 2017). Të tjerët do të mund të porositen së bashku me kapakun mbrojtës për 242 euro, duke nisur nga muaji prill.
Burimi: ilmessaggero.it