Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka njoftuar se do të bëjë ankimimin e vendimit të ekspertëve ndërkombëtarë mbi çështjen “Bankers”…
Në fund të muajit gusht, arbitrazhi ndërkombëtar i dha të drejtë kompanisë Bankers Petroleum Ltd. mbi mosmarrëveshjen e taksave për vitin 2011 (Audituesi i jep të drejtë Bankers Petroleum; shteti duhet t’i kthejë 37 milionë dollarë që ka marrë deri tani). Shtetit shqiptar, i cili pretendon se kompania i ka shmangur detyrimet, duke raportuar shpenzime më të larta se ato reale, për të ulur normën e fitimit dhe rrjedhimisht duke shmangur pagesën e taksave, sikundër parashikohet në marrëveshjen koncesionare, do t’i duhej të rimbursonte kompaninë për pagesat e kryera (37 milionë dollarë) deri më 30 qershor 2016.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, pas një konsultimi të gjatë me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Avokaturën e Shtetit, vendosi që të ankimojë vendimin e ekspertëve ndërkombëtarë në Gjykatën e Arbitrazhit lidhur me çështjen “Bankers”.
AKBN beson se kjo çështje me sensibilitet të lartë publik, ka pasur vëmendjen e të gjithë aktorëve në këtë proces dhe si e tillë, do të ketë një gjykim të drejtë në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi jemi të bindur se elementët e gjetur në raportin auditit, të hedhur poshtë nga ekspertët, janë të mjaftueshëm për këtë Gjykatë që t’i japë të drejtë shtetit shqiptar.
Lidhur me këtë njoftim, Bankers Petrolum thotë se ende nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar.
“Ne nuk kemi marrë ende asnjë njoftim zyrtar në lidhje me apelimin në Gjykatën e Arbitrazhit, por sigurisht nëse ata vendosin për të bërë diçka të tillë, është në të drejtën e tyre. Bankers ka qenë bashkëpunues që në nisje të procesit dhe do të vijojë të mbetet i tillë deri në fund. Për këtë arsye, ne ramë dakord që të zgjasnim periudhën e vlerësimit të fakteve për agjencitë qeveritare me 30 ditë, me qëllim që t’u jepnim të gjithë kohën e mjaftueshme institucioneve për të marrë një vendim mbi apelimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit”, thotë Zv.drejtori i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania, Rob Carss.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.