Administrata doganore shfaqi dobësi të theksuar gjatë muajit dhjetor për mbledhjen e akcizës. Nga 6 miliardë lekë që ishte plani janë grumbulluar vetëm 2,9 miliardë lekë, me një mosrealizim 51 për qind të planit mujor dhe 45% më pak se, realizimi i dhjetorit 2013.
Sipas të dhënave fiskale nga Ministria e Financave shihen dy arsye kryesore në këtë rënie, ulja në minimume historike e importit të karburanteve dhe e cigareve. Importet e cigareve u ulen në dhjetor me më shumë se 80 % në krahasim me dhjetorin e vitit 2013 dhe 52 për qind në krahasim me nëntorin e këtij viti. Rënia e importeve për cigaret ishte pritshme për shkak të hyrjes në fuqi të taksimit të ri të akcizës dhe furnizimeve të larta që aplikuan importuesit për të shmangur taksat e reja. Kjo sjellje e importuesve ndikoi konsiderueshëm realizimin e të ardhurave nga doganat gjatë muajit dhjetor.
Rënia të madhe shënuan edhe importet e karburanteve të cilat, ulja e të cilave nuk lidhet me taksimin. Gjatë dhjetorit u importuan pak më shumë se 25 mijë tonë. Kjo vlerë është 57 për qind më e ulët se, e dhjetorit të vitit që shkoi dhe 45 për qind më i ulët se, e muajit nëntor.
Në këto vlera importi i karburanteve ka shënuar vlerën më të ulët mujore gjatë gjithë 2014 dhe në të gjithë dhjetorët e tjerë duke nisur që nga 2008. Çmimi i ulët në tregjet ndërkombëtare, duket se është arsyeja kryesore pse importet u kufizuan. Importuesit bëjnë me dije se, i reduktuan furnizimet në dhjetor në pritje të çmimeve edhe më të ulta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.