Kuvendi ka miratuar sot projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” ,të ndryshuar. Ky projektligj u miratua me 72 vota pro dhe 1 votë kundër.
Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erion Braçe u shpreh se rritja e akcizës bëhet për ato produkte të cilat dëmtojnë shëndetin e qytetarëve. “Ne po i shkojmë deri në fund rritjes së akcizës për mallra që dëmtojnë shëndetin, siç është edhe cigarja. Kushtet në të cilat tregtohet sot duhani i japin një favor shumë të rëndësishëm të gjithë atyre që e tregtojnë, por në dëm të atyre që e konsumojnë. Komisioni i Ekonomisë ka bërë një ndryshim duke zgjatur periudhën që do të administrohet rritja e sasisë së duhanit që do të vijë, dhe rregulli përfshin që nga momenti i vendosjes nga Këshilli i Ministrave për rritjen e akcizës e deri në hyrjen në fuqi të ligjit. Nuk do të jetë më e madhe se sa 5 për qind e sasisë së importuar mesatarisht në muaj”, tha z. Braçe.
Në dhjetor 2013, në pritje të hyrjes në fuqi të akcizës së re, importet e duhanit arritën në 565 ton, nga 428 ton në dhjetor, ndërsa në janar 2014 zbritën në vetëm 66 ton, tregtarët krijuan rezerva, duke paguar akcizës e vjetër, ndërsa I shitën produktet e tyre gjatë 2014-s, duke reflektuar në çmim akcizën e re. kjo solli një performancë të dobët të të arhdurave nga akciza në buxhet.
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9876, datë 14.02.2008, “Për prodhimin, transportin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transportin”, të ndryshuar siguroi 72 vota.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huasë ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për linjën e kredisë për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave” u votua me 73 vota pro. Po kaq vota mori edhe projektligji “Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Sistemin Evropian të Informacionit për Automjetin dhe Lejen e Drejtimit (EUCARIS)”. Gjatë diskutimit të këtij projektligji, deputeti i LSI-së, Bujar Derveni tha se kjo nismë bën të mundur shkëmbimin e informacioneve me vendet evropiane në bazë të sistemit të regjistrimit të mjeteve dhe të drejtuesve.
“Sistemi në fjalë shton shkallën e sigurisë së regjistrave qendrorë konformë të gjithë filtrave të mundshëm. Duke pasur natyrën e një pasqyre të andryshimet rrënjësore në ecurinë e automjeteve apo lejeve të drejtimit. Si praktikë kjo mundëson që regjistrat qendrorë të automjeteve dhe lejet e drejtimit të jenë të saktë dhe të sigurt. Përveçse e bën informacionin më të menaxhueshëm dhe më të kontrollueshëm nga institucionet përgjegjëse, kjo thjeshtëson edhe punën e mëpastajme të tyre”, tha z. Derveni.
Kuvendi miratoi dhe projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar. Ky projektligj u miratua me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj tha: “Ne vazhdojmë të kemi barriera në kujdesin shëndetësor që janë edhe kulturore, edhe financiare. Ne vazhdojmë që të mbulojmë një pjesë të kujdesit shëndetësor që janë për vajzat dhe gratë e trafikuara. Por sot sanksionojmë ligjërisht që në grupin e kategorive që përfitojnë nga kujdesi shëndetësor të jenë edhe vajzat e trafikuara. Pjesa e dytë lidhet me zgjerimin e hapësirës për të ofruar kujdes shëndetësor për qytetarët shqiptarë. Për paketat e sëmundjeve të zemrës, kemi lidhur paketa me tre spitale private dhe jemi në bisedime dhe me dy spitale të tjera. Ky ndryshim na krijon hapësirën që për disa shërbime jetike. Të dy këto ndryshime e zgjerojnë dhe e plotësojnë kujdesin shëndetësor”, tha z. Beqaj.
Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh se ndryshimi që vjen nëpërmjet ligjit “Për sigurimet shëndetësore”, është i rëndësishëm dhe duhet parë jo si një ndryshim rutinë i përhershëm që i bëhet legjislacionit, por si një qasje drejt një çështjeje në mënyrë delikate.
“Kemi një shprehje të tillë dhe një qëndrim të ri të sistemit shëndetësor, i cili nuk i lë gjë rastësisë, por ndërmjet tre komponentëve të rëndësishëm: së pari, personelit që do ta bëjë, së dyti, akteve rregullore, së treti, ndryshimeve legjislative, kemi tri shtylla, të cilat na garantojnë atë trajtim të nivelit europian, i cili sigurisht na vendos në raport me Europën në një qëndrim të ri bashkëkohor, por njëkohësisht demonstron që mazhoranca ka një qëndrim shumë të hapur, por edhe shumë të dhimbsur, pse të mos e quajmë kështu, ndaj këtyre shtresave që janë përballur me fenomenologjitë më negative të shoqërisë. Shoqëria u krijon atyre mundësinë dhe të drejtat të riintegrohen nga pikëpamja sociale, por do t’u riintegrojnë dëmin e jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm shëndetësor që atyre u ka ndodhur”, tha z. Vasili .
Edhe Nënkryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Klodiana Spahiu, mbështeti risitë e nismës ligjore. “Ndryshimet lidhen me dhënien e mundësisë së fondit të shërbimit të detyrueshëm për të lidhur kontrata për shërbime jashtë shtetit. Paraqiten sfida të reja për mbulimin e popullatës me kujdes shëndetësor. Deri më tani fondi mbulon 10 paketa sociale. Ne kemi pacientë që duhet të mbështeten edhe nga shërbimi privat në momentin që nuk e marrin këtë shërbim në sistemin publik. Një faktor është edhe afërsia gjeografike për të marrë shërbimin. Me ndryshimet e reja, financimi do të realizohet me lidhjen e kontratave të fondit me institucionet e huaja”, tha znj. Spahiu.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.