Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hapur sot tenderin publik me objekt: “ Dhënia e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 1965 – 1980 MHz çiftuar me 2155- 2170 MHz dhe 5 MHz spektër i paçiftuar 1915 – 1920 MHz”.
Sipas njoftimit, ofertat duhet të dorëzohen jo më vonë se data 15.09.2014, ora 10:00.
AKEP sqaron për Monitor.al se kemi të bëjmë me shtesë frekuencash, por nuk mund të saktësojnë nëse janë për frekuenca 3G, apo 4G.
Sipas dokumentit të tenderit, të miratuar pak ditë më parë, procedura e tenderit zhvillohet për të dhënë 4 (katër) Autorizime në brezat e frekuencave sipas tabelës së mëposhtme për përdorim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Të drejtat e përdorimit Sasia e spektrit
A 2×5 MHz spektër i çiftuar, 1965 -1970 MHz çiftuar me 2155-2160 MHz
B 2×5 MHz spektër i çiftuar 1970-1975 MHz çiftuar me 2160-2165 MHz
C 2×5 MHz spektër i çiftuar 1975-1980 MHz çiftuar me 2165-2170 MHz
D 5 MHz spektër i paçiftuar 1915-1920 MHz
Të gjithë ofertuesit që kanë një Autorizim për përdorimin e frekuencave të brezit 1920-1980/2110-2170 MHz në Republikën e Shqipërisë si dhe ortakët e tyre të çdo lloji mund të paraqesin ofertë për marrjen e vetëm një të drejtë përdorimi.
Rregullat e tenderit parashikojnë që çmimi i ofertës është kriteri i vetëm për vlerësimin e ofertës. Do të vleresohet me 100 pikë oferta që do të paraqesë çmimin më të madh.
Sipas rregullave të tenderit, çmimi minimal i pranueshëm për ofertuesit për secilën nga të drejtat e përdorimit A, B, dhe C sipas tabelës së mësipërme, do të jetë 1.485.000 (një milion e katërqind e tetëdhjetë e pesë mijë) Euro.
Ofertuesit të cilët kanë ofruar në ofertën e tyre një çmim më të vogël së 1.48 milionë euro, në kriterin “çmimi i ofertës” do të skualifikohen, sipas rregullave të tenderit.
Çmimi minimal i pranueshëm për ofertuesit për të drejtën e përdorimit D do të jetë 110.000 (një qind e dhjetë mijë) Euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.