Sipas AKEP “nga 1 janari ka një rritje të tarifës së terminimit në segment local/njëfish, por kjo kompensohet nga reduktimi i tarifës në segment dyfish si dhe reduktimi i tarifës për thirrje”
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka njoftuar se “nga muaji janar 2014 ka një rritje të tarifës së terminimit në segment local/njëfish, por kjo kompensohet nga reduktimi i tarifës në segment dyfish si dhe reduktimi i tarifës për thirrje”. Sipas AKEP reduktimi në Korrik 2015 në raport me tarifat aktuale është 41-62% për tarifat e terminimit dhe 68% për tarifën e tranzitimit.
AKEP ka miratuar së fundi për këshillim publik dokumentin “Rishikimi i tarifave të terminimit të thirrjeve në rrjetet fikse” dhe që nga korriku i vitit të ardhshëm tarifa e terminimit në rrjetin Albtelecom do të jetë 0.7 lek/minutë.
Ndryshime të rëndësishme lidhen me segmentet e tarifimit dhe nga janari i ardhshëm do të kryhet kalimi në një segment tarifimi. “Në këtë fazë (6 muaj) ka një rritje të tarifës së terminimit në segment local/njëfish, por kjo kompensohet nga reduktimi i tarifës në segment dyfish si dhe reduktimi i tarifës për thirrje”, shkruhet në dokument.
Nga tabela vihet re se reduktimet variojnë nga 41-62% për tarifat e terminimit të thirrjeve në lek/minutë dhe 100% për tarifën për thirrje, e cila propozohet të hiqet më 1.07.2015.
Sipas AKEP, ndryshimet e propozuara pritet të japin një shtysë të re në konkurrencën në treg për thirrjet telefonike fikse paralelisht me thjeshtëzimin e tarifimit të operatorëve me njëri-tjetrin dhe për pajtimtarët.
Gjithashtu këto reduktime synojnë dhe reduktimin e stimujve për problematikën e tarifave të ndryshme on-netoff-net të ngjashme me tregun celular dhe rrisin stimujt për tarifim unifik në rrjetet fikse dhe celulare pavarësisht destinacionit fiks/celular. Reduktimet e tarifave të terminimit në rrjetet fikse janë në linjë edhe me reduktimet e kryera tashmë (vendimet e AKEP më 13.03.2014) dhe ato të propozuara (shiko Analiza e tregut celular) për tarifat e terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare.
Por tarifa mbetet më e lartë se e BE-së
Niveli i tarifave të terminimit në rrjetet fikse në Shqipëri në Korrik 2015 pritet të arrijë nivelin mesatar të vendeve të BE/BEREC në 2014, pra me një sfazim 1.5 vjet. Tarifa e porpozuar për terminim në rrjete fikse në Korrik 2015 (0.7 lek/minutë) është më e lartë se tarifa mesatare benchmark sipas LRIC të pastër në rrjete fikse (0.16 lek/minutë) e aplikuar në vende të BE, dhe kjo zgjedhje e AKEP është bazuar në karakteristikat e tregut fiks në Shqipëri.
AKEP thotë se telefonia fikse ka zhvillim (mbulim dhe përdorim) shumë më të ulët se në vendet e rajonit dhe BE, ndërsa telefonia celulare në Shqiperi ka shumë më tepër karakteristika të ngjashme me vendet e rajonit dhe BE. Këto karakteristika ndikojnë në nivelin e kostove duke cuar në kosto më të larta për njësi në Shqipëri per rrjetet fikse, ndërsa janë të ngjashme për rrjetet celulare në raport me vendet e rajonit dhe BE;
Një veçori tjetër e Shqipërisë sipas AKEP lidhet me objektivin për të rritur stimujt për investime/modernizime në rrjete fikse, jo vetëm për telefoni fikse por sidomos për akses broadband fiks. “Njëkohësisht reduktimi i propozuar i pikave të interkoneksionit të Albtelecom në 1.07.2015, nga 12 në 2, krijon kohë të mjaftueshme për OA për përshtatje me zhvillimet e fundit dhe investimet e Albtelecom, duke krijuar njëkohësisht stimuj për Albtelecom për vazhdimin e investimeve në modernizim të rrjetit fiks që duhet të sjellë përfitime për gjthë tregun në tërësi, dhe sidomos për përdoruesit fundorë”, konkludon AKEP.
Tabela: Tarifat e terminimit të thirrjeve në rrjetet fikse të OA dhe AMC për AMC fiks (2010-2015)
Tabela Ndryshimet në përqindje të tarifave të terminimit në rrjetet fikse (1.09.2014-2015)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.