AKEP, rregullim për tarifat e celularëve për emigrantët, sot janë 27 herë më të larta se tarifat lokale

23/04/2019 11:02 PM 0 komente

Tarifat e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare, që paguajnë emigrantët shqiptarë, janë 27 herë më të larta se tarifat lokale. AKEP synon të rregullojë tarifat e shumicës për terminimin e thirrjeve ndërkombëtare me efekt te tarifat e pakicës që paguajnë bashkatdhetarët tanë për thirrje drejt numrave celularë në Shqipëri…

Autoriteti i Komunikimeve Elektronik dhe Postare (AKEP) ka hartuar dhe publikuar për konsultim një analizë të telefonisë celulare për tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare, duke shtuar në të edhe terminimin e thirrjeve hyrëse ndërkombëtare. Këto të fundit kanë qenë të përfshira në një dokument më të hershëm, të diskutuar dhe miratuar më vete nga ana e AKEP, por më pas vendimi u shfuqizua.

Kjo i hapi rrugë procesit të rikryerjes së analizës në një sërë tregjesh dhe duke pasur në thelb parimin se tarifat e terminimit mund të rregullohen sipas kostos. AKEP ka kërkuar nga palët e tregut që të japin komentet e tyre mbi një sërë elementesh, duke nisur nga terminimi i thirrjeve, duke aplikuar një model të pastër LRIC apo të qëndrohet tek tarifat që ka miratuar tetorin e shkuar.

Po kështu ka kërkuar komente mbi përdorimin e metodës së benchmarkut apo të presë konkluzionet e Modelit të Kostove me ekspertizë ndërkombëtare për të ndërmarrë korrigjimet e nevojshme pas konkluzioneve të modelit në fillim të vitit 2020. Masat rregullatore dhe opsionet për tregun e terminimit të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare janë gjithashtu pjesë e diskutimit.

Analiza e tregut, përfshihen edhe thirrjet ndërkombëtare

Analiza ka parë në detaj peshën që kanë thirrjet hyrëse ndërkombëtare në totalin e thirrjeve të terminuara të operatorëve celularë në vitet 2014-2018, peshën e të ardhurave nga terminimi i thirrjeve ndërkombëtare në të ardhurat totale nga terminimi dhe peshën e të ardhurave nga terminimi i thirrjeve kombëtare në totalin e të ardhurave të operatorëve celularë (retail plus wholesale) në vitet 2014-2017.

Nga analiza që iu është bërë këtyre elementeve ka rezultuar se pesha e thirrjeve hyrëse ndërkombëtare në totalin e thirrjeve të terminuara është reduktuar ndjeshëm për shkak të rënies së trafikut hyrës ndërkombëtar, por më shumë për shkak të rritjes së ndjeshme të trafikut off-net. Pesha e të ardhurave nga terminimi i thirrjeve ndërkombëtare në totalin e të ardhurave nga terminimi është në nivel mesataren rreth 51% në vitin 2018, rreth 52% në vitin 2017 dhe rreth 63% në vitin 2016, një rënie e ndjeshme kjo në krahasim me rreth 81% në vitin 2014 dhe rreth 82% në vitin 2015;

Nga ana tjetër, MTR ndërkombëtare gjatë vitit 2018 ka shënuar rënie në krahasim me periudhën paraardhëse duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 2015, megjithatë ky tregues është shumë më i lartë se tarifa e terminimit të thirrjeve kombëtare. Edhe treguesi mesatar i ponderuar (kombëtar dhe ndërkombëtar) 2.87 lek/minutë është gati dyfish më i lartë se MTR kombëtar (1.48 për tre operatorët në 2015-2018) sipas AKEP.

Masat rregullatore on net vs off net

Lidhur me masat rregullatore on net vs off net AKEP vlerëson se kjo masë duhet të mbetet në fuqi vetëm për sipërmarrësin me fuqi të ndjeshme në tregun me shumicë të akses origjinimit Vodafone Albania dhe të hiqet për dy sipërmarrësit e tjerë Telekom dhe Albtelecom. “Ky ndryshim do t’i jepte mundësinë dy operatorëve konkurrentë të sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në treg të shtonin presionin konkurrues nëpërmjet ofrimit të më shumë minutave dhe sms brenda rrjetit për abonentët e tyre dhe, në këtë mënyrë, të rrisnin pjesët e tregut dhe të ulej shkalla e përqendrimit të tregut” thuhet në dokument.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of