Aksesi në shërbimet financiare është duke bërë përparime të mëdha. Gati një e katërta e popullsisë në botë nuk ka një llogari bankare. Por telefonat celularë po ndikojnë fuqishëm në ndryshimin e situatës, shkruan Simon Long nga The Economist
Teksa virusi Ebola kishte prekur një numër të konsiderueshëm njerëzish në disa pjesë të Afrikës Perëndimore në vitin 2014, situata e vështirë në Sierra Leone u ndërlikua nga grevat e punëtorëve. Edhe pse ata rrezikonin jetën, ata jo vetëm që nuk paguheshin sa duhej, por shpeshherë merrnin edhe paga jo të plota. Në pjesën më të madhe të rasteve, punëtorëve të varfër u duhej të udhëtonin nëpër distanca të largëta për të marrë paratë e tyre tek një shpërndarës, i cili kishte mundësi që t’i mashtronte ata dhe të mos ia jepte të plotë pagesën.
Për të shmangur probleme të tilla, qeveria miratoi formën e pagesave dixhitale në llogaritë individuale të punonjësve në telefonat e tyre celularë. Në këtë mënyrë, ata paguheshin brenda një jave dhe në mënyrë të plotë. Falë kostove më të ulëta dhe reduktimit të formave të mashtrimit ndaj punonjësve, ky lloj i ri sistemi ishte edhe miliona dollarë më i lirë. Grevat pothuajse përfunduan dhe jetët e këtyre qytetarëve u shpëtuan.
Sipas një raporti nga Aleanca “Better than Cash”, një partneritet me bazë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që promovon pagesat dixhitale për qeveritë, kompanitë dhe organizatat e këtyre vendeve, Sierra Leone përmbushte të gjitha kushtet e nevojshme për ta bërë këtë ndryshim: rreth 95% e vendit ishte mbuluar nga sinjali i telefonisë celulare dhe 90% e punëtorëve zotëronin secili telefona celularë.
Megjithatë, pengesat që u hasën në vendosjen e një sistemi të tillë pagesash në vend ishin të paimagjinueshme. Vetëm 15% e punëtorëve kishin një llogari bankare. Hapja e shumë llogarive të tjera u përball me probleme si mungesa e dokumentacionit, e përkeqësuar edhe nga mungesa e mbiemrave në këtë vend (pjesa më e madhe e njerëzve këtu mbajnë një nga dhjetë mbiemrat më të përdorur). Identifikimi biometrik, nëpërmjet marrjes së shenjave të gishtërinjve, shkaktoi frikën e infeksionit nga virusi Ebola (problemi u zgjidh nëpërmjet teknologjinë së njohjes me anë të fytyrës). Por kjo u arrit pas shumë përpjekjesh të dështuara.
Situata e mësipërme është shembulli tipik sesi teknologjia mund të ndikojë në “përjashtimin financiar”, duke ulur ndjeshëm numrin e atyre që nuk kanë akses në shërbimet financiare. Zhvillimi i telefonisë celulare dhe shërbimeve të lëvizshme të internetit i ka krijuar mundësinë qindra miliona njerëzve që të jenë pjesë e sistemit financiar formal.
I themeluar në vitin 2011, tani ai ka rreth 30 milionë klientë të regjistruar. Kamal Quadir, një prej themeluesve, thotë se, nëse në të kaluarën, njerëzit këtu ruanin paratë nën dyshek, tani ata i ruajnë në llogaritë e tyre në telefonat celularë. Tani paratë e tyre janë në formë dixhitale dhe ata janë pjesë e sistemit financiar bankar të mbikëqyrur nga Banka Qendrore. Që në momentin e parë kur ky shërbim i njohur nga shumë si “paratë dixhitale” filloi të zbatohej në Filipine, në vitin 2000, dhe pak vite më vonë në disa pjesë të Afrikës Sub-Sahariane, transferta e parave nëpërmjet telefonave celularë është shndërruar në një fenomen global, i cili është i mirëpritur dhe i inkurajuar nga qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare. Në vitin 2010, grupi i shteteve të G20 publikoi “Parimet për Përfshirjen Inovative Financiare”.
Në vitin 2012, Banka Botërore, me fonde nga Fondacioni i Bill dhe Melinda Gates, prodhoi indeksin e parë “Findex”, ose indeksin e përfshirjes financiare, një përpjekje ambicioze për të matur problemet e këtij shërbimi dhe për të gjetur disa nga zgjidhet më të mira dhe më të shpejta për t’i ardhur në ndihmë. Në këtë raport të veçantë do të evidentohen disa prej avantazheve të aksesit financiar, në të cilin numri i atyre që nuk kanë qenë pjesë po reduktohet. Një nga arsyet kryesore në këtë drejtim është rritja e përdoruesve të telefonisë celulare dhe të internetit, duke e bërë aksesin financiar të arritshëm edhe për ata që jetojnë larg nga degët fizike të bankave fizike apo edhe nga ATM-të.
Sipas Findex, 78% e të punësuarve në botë i marrin paratë në formë kesh dhe që të gjithë prej tyre kanë një telefon celular. Për më tepër, të gjithë ata persona që nuk kanë një llogari bankare, po shihen si një treg komercial tërheqës. Firma të ndryshme si Ant Financial, një degë e Alibaba, gjigantit të tregtisë elektronike të Kinës dhe PayPal-i, një firmë pagesash në Silicon Valley, po ndikojnë fuqishëm në zgjerimin e përfshirjes financiare. Daniel Schulman, drejtori ekzekutiv i PayPal, thotë se misioni i kompanisë së tij është “të demokratizojë shërbimet financiare”.
Në këtë raport, do të analizohet edhe nëse organizatat jofitimprurëse dhe bizneset kanë të drejtë të jenë kaq optimiste në lidhje me perspektivat e një përfshirjeje më të madhe financiare. Në aspektin komercial, janë shfaqur tensione midis bizneseve të ndryshme të angazhuara në këtë treg: bankat komerciale po ndihen “xheloze” sepse po u duket sikur po u marrin një pjesë të monopolit të tyre në drejtim të financimit formal; ato po ndihen të rrezikuara edhe nga një pjesë e operatorëve të telefonisë celulare që po u ofrojnë njerëzve infrastrukturën e nevojshme për kryerjen e pagesave nëpërmjet telefonit celular, një prej shërbimeve më të rëndësishme të përfshirjes financiare apo ndaj “fintechs”, startup-eve agresive të teknologjisë financiare, me ide gjeniale. Nëpërmjet këtij raporti do të zbulohet nëse përfituesit kryesorë të një shërbimi të tillë do të jenë konsumatorët dhe “veçanërisht të përjashtuarit nga përfshirja financiare”, ashtu siç beson edhe Olivia White nga McKinsey, një firmë konsulence.
Ta bësh varfërinë fitimprurëse
Ky shërbim, edhe pse do të përfshijë vendet e botës së pasur, do të përqendrohet kryesisht në vendet e botës në zhvillim, ku ky problem është më i theksuar. Një prej vendeve ku përjashtimi financiar është në nivelin më ekstrem, por ku mundësitë për ta zvogëluar atë duken shumë të mira, është Pakistani. Vetëm 24% e popullsisë në atë shtet kanë një llogari bankare, 7% e tyre përdorin shërbime të tjera financiare formale dhe 24% e tyre përdorin shërbime financiare informale.
Por popullsia e këtij shteti është shumë e madhe (rreth 210 milionë banorë), pjesa më e madhe janë të rinj; këtu mbulimi me sinjal të telefonisë celulare është i lartë, po ashtu edhe numri i personave që e përdorin këtë shërbim; ka një strukturë rregullatore të mirorganizuar dhe një numër të madh firmash dhe organizatash jofitimprurëse si vendase ashtu edhe të huaja, të angazhuara drejt këtij tregu. Kosta Peric nga Fondacioni Gates, beson se Pakistani është në rrugën e duhur për t’u bërë “ekonomia e parë gjithëpërfshirëse dhe e lidhur plotësisht”.
Në publikimin e fundit të Findex-it muajin e kaluar, i cili u bazua në 150,000 intervista gjatë vitit 2017, rezultatet ishin të habitshme: edhe pse mospërfshirja financiare vazhdon të jetë e lartë dhe një prej problemeve kryesore, progresi që është bërë në këtë drejtim është i dukshëm. Vitin e kaluar, numri i njerëzve në botë që nuk kishin një llogari bankare ra në 1.7 miliardë, nga 2 miliardë që ishte në 2014 dhe nga 2.5 miliardë që në 2011.
Përqindja e të rriturve që kishin një llogari bankare, qoftë në një bankë apo në telefonin e tyre celular vitin e kaluar shënoi rritje, duke shkuar në 69%, nga 62% që ishte në 2014 dhe 51% në 2011. Sipas raportit të Findex, rreth 515 milionë njerëz kanë hapur një llogari bankare. Nocioni i të pasurit të një llogarie bankare nuk është i njëjtë me atë të përfshirjes financiare.
Findex konstaton se një e katërta e të gjitha llogarive në mbarë botën janë joaktive, pa depozita ose po asnjë veprim tërheqjeje në 12 muajt e fundit. Të dhënat e shtetit të Indisë janë të pasakta në këtë drejtim. Pas prezantimit të një plani të fuqishëm të përfshirjes financiare në vitin 2014, ku u premtua se çdo indian do të kishte aksesin në një llogari bankare, rreth 240 milionë llogari u hapën gjatë periudhës 2014-2016. Por shumë shpejt u zbulua se rreth një e katërta e tyre ishin llogari bankare “me balancë zero”, duke i detyruar shpeshherë vetë bankat që të depozitonin në to shuma minimale parash për t’u larguar nga llogaritë me balancë zero. Si rrjedhim i kësaj situate u krijua mundësia për të hapur edhe llogari bankare në të cilat gjithkush mund të depozitonte edhe vetëm 1.5 euro.
Nëse do t’u referoheshim të dhënave të publikuara nga shteti i Indisë do të mendonim se përfshirja financiare ishte përmirësuar, edhe pse fatkeqësisht vetëm në shifra dhe jo në të vërtetë. Edhe në qoftë se një numër i madh i këtyre llogarive bankare janë të hapura, pra që do të thotë se ato janë në përdorim, disa specialistë të fushës argumentojnë se në vetvete, kjo nuk ndikon në përmirësimin e situatës së përfshirjes financiare, sepse një pjesë e madhe e këtyre personave që figurojë se kanë një llogari bankare, nuk kanë të drejtë për të ruajtur paratë apo për të marrë hua. E parë në një këndvështrim më të gjerë, çështja e përfshirjes financiare po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e politikëbërësve.
Si në vendet e pasura ashtu edhe në ato të varfra, teknologjia financiare, e njohur me termin “fintech” po shihet si forca më e madhe që fshihet pas përparimeve të shumta të viteve të fundit të regjistruara dhe të publikuara në raportin e Findex. Duke lënë mënjanë avancimin me hapa galopantë të telefonisë celulare, optimizmi merr shkas edhe nga përparimi në dy fusha të tjera. Njëra është zhvillimi i sistemeve të lira biometrike, që u lejojnë edhe analfabetëve që të krijojnë një identitet unik dixhital që një institucion financiar mund ta përdorë. Në Indi, për shembull, 99% e popullsisë së rritur tani kanë një numër universal identifikimi 12-shifror, të njohur si Aadhaar.
Sisteme të tilla nuk janë të pagabueshme, sepse një numër i madh prej këtyre njerëzve nuk i kanë lënë shenjat e gishtërinjve dhe njohja nëpërmjet fytyrës kërkon kamera me cilësi të lartë. Algoritmet biometrike kanë vend për përmirësim, por kur këto shoqërohen edhe me dokumente të tjera identifikuese, siguria mund të jetë më e madhe. Së dyti, teknologjia cloud mundëson që gjithnjë e më shumë transaksione financiare të automatizohen dhe sasi të paimagjinueshme të dhënash të analizohen nga Inteligjenca Artificiale (IA), duke reduktuar nëpërmjet automatizimit koston e sigurimit të financave dhe duke e bërë këtë proces gjithnjë e më të lehtë.