Flet Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë
Në opinionin tuaj, si po ndikon situata politike aktuale në vend (protesta e opozitës, ndryshimet në qeveri) te biznesi?
Në përgjithësi, sipërmarrjet shqiptare, përfshi këtu Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe organizatat e tjera, po e ndjekin me interes të gjithë situatën që po kalon vendi. Arsyeja është se gjithmonë, në momentet përpara zgjedhjeve ka sfumatura, dinamika, tendenca të reja. Në këtë kohë dalin në pah format ekonomike që janë shumë të rëndësishme për sipërmarrjen, ndaj ne po e ndjekim me kujdes dhe vëmendje situatën për të parë se cilat janë këto dinamika. E ndërsa jemi 3-4 muaj para zgjedhjeve ka pasur ndryshime në qeveri. Natyrisht në një rrjedhë normale nuk duhet të ndikojnë në aktivitetet e sipërmarrjes. Ministria, e cila është përgjegjëse për sipërmarrjen, nuk ka ndryshuar dhe ajo vazhdon të ruajë angazhimet. Megjithatë ka vazhduar të ndihet atmosfera e një situate disi më të ndryshme në lidhje me administratën apo edhe me vetë sipërmarrjen.
Mund të themi se administrata tatimore është pak më e ‘relaksuar’, po kështu edhe ajo doganore. Institucionet shtetërore nuk kanë atë intensitet pune me të cilin përballen çdo ditë. E kjo është më se e kuptueshme, në një kohë parazgjedhore. Edhe vetë administrata tatimore është familjarizuar me këtë situatë, e cila përsëritet.
Qasja ndryshe në këtë periudhë e administratës shtetërore duhet parë në dy këndvështrime.
Nga njëra anë e lehtëson sipërmarrjen, duke mos ushtruar presion, por nga ana tjetër e heq vëmendjen nga disa plane afatgjata. Kjo do të thotë se të gjithë, administrata, sipërmarrja, etj., fillojnë e presin fundin e mandatit për të parë se çfarëdo të ndodhë.
A mendoni se angazhimi politik po tërheq vëmendjen e qeverisë për t’u marrë me problemet që ka realisht biznesi apo edhe vetë ekonomia në këto momente?
Edhe kjo duhet parë në dy këndvështrime. Ka një interes të autoriteteve shtetërore, por edhe politikës për ta dëgjuar më shumë biznesin pasi duan vëmendjen e tyre për një aspekt tjetër që është votimi. Biznesmenët janë votues, sikundër edhe punëmarrësit e tyre janë të tillë.
Në këtë momente, sipërmarrësit kanë më shumë mundësi që në përballje me aktorët e politikës të shpalosin nevojat e problematikat e tyre, por edhe gjëra që në kushte normale nuk i kërkojnë dot.
Në anën tjetër, janë edhe vizitat elektorale që shërbejnë për të parë më nga afër problematikat dhe kanë tendencën që të zgjidhin një pjesë të tyre.
Por, sërish kjo duhet parë me kujdes, pasi nuk është gjithçka.
Çfarë po ndodh me planet e investimit nga ana e biznesit, si ndikon kjo situatë?
Për investitorët e huaj, kjo situatë mund t’i bëjë që ata të qëndrojnë në gjendje pritjeje. Zakonisht, investitorët e huaj në periudha zgjedhjesh nuk ndërmarrin hapa të nxituar. Ata shohin se cila do të jetë tendenca, nëse do të konfirmohet kjo mazhorancë apo do të ketë një mazhorancë e re dhe kufizohen deri te realizimi i studimeve të fizibilitetit për çështje të caktuara.
Ajo që mund t’i trembë investitorët e huaj mund të jetë përshkallëzimi i situatës politike. Nëse ndodh kjo, atëherë do të gjendemi përballë shtyrjeve të mëtejshme të planeve për investime, gjë e cila nuk do të ishte në interesin tonë.
Sa u përket planeve për investime të reja, nga ana e sipërmarrjes shqiptare, nuk besoj se do të ndikohen ndjeshëm. Kjo mund të vlejë vetëm në rast se planifikohen investime të mëdha, në shkallë të gjerë apo që kërkojnë huamarrje (bankat tregohen të ngurta në dhënien e kredive në kohë zgjedhjeje).
Gjithsesi aktiviteti i biznesit vazhdon…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.