Aktuari, një profesion i ri në Shqipëri

12/12/2017 4:52 PM 0 komente

Fillesat, ndryshimet pas liberalizimit të tregut të sigurimeve dhe konsolidimi përmes programeve mbështetëse

 

Nga Ornela KULLOLLI*

 

Profesioni i Aktuarit, edhe pse është një profesion i ri dhe pak i njohur në Shqipëri, mund të konsiderohet si ndër më të kërkuarit në botë, në veçanti në sektorin e sigurimeve, fondeve të pensioneve vullnetare, atë bankar dhe të tregut të letrave me vlerë. Aktuari jep kontributin e tij në menaxhimin e rrezikut bazuar në aftësitë e fituara gjatë formimit në fushën e matematikës, statistikës dhe financës, fusha në të cilat modelet e vlerësimit të rreziqeve janë të bazuara.

Aktuari është një profesion i veçantë, i cili mundëson me anë të modeleve matematikore dhe statistikore menaxhimin e rrezikut dhe të pasigurisë. Në vendin tonë, Aktuari i Autorizuar është përgjegjës për llogaritjen e provigjioneve të sigurimeve në përputhje me legjislacionin në fuqi, llogaritjen e marzhit të aftësisë paguese dhe strategjisë së investimit të shoqërisë, jep kontributin në përgatitjen e drafteve të kushteve dhe termave të policave të sigurimit në shoqëritë e sigurimit, llogaritjen e primeve dhe përfitimeve, hartimin e politikës së risigurimeve të shoqërisë, jep kontributin në hartimin dhe nënshkrimin e planit të biznesit për aplikimin për licencë, për një shoqëri të re, apo në planin e rifinancimit për një shoqëri që nuk përmbush kërkesat ligjore të aftësisë paguese, kryerjen e testeve të gjendjes financiare të shoqërisë, etj. Aktuari i Autorizuar licencohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pas përmbushjes së kritereve të përcaktuara në ligj.

Me fillimin e procesit të liberalizimit dhe zhvillimit të tregut të sigurimeve në Shqipëri, lindi domosdoshmëria për rregullimin dhe zhvillimin e profesionit të Aktuarit. Gjatë këtyre viteve shumë pak profesionistë, sidomos ata të angazhuar në tregun e sigurimeve, mund të kishin informacion se çfarë është dhe me çfarë merret një aktuar. Edhe tani që flasim, për publikun e gjerë, informacioni për profesionin e aktuarit është i pakët. Ndërkohë që në botë, profesioni i aktuarit daton qysh prej shekullit XVIII – XIX dhe krahasuar me profesionet e tjera është profesion shumë i kërkuar dhe paguhet shumë për shërbimet që këta profesionistë ofrojnë. Në vende më të zhvilluara, aktuarët luajnë rol kyç edhe në tregjet e investimeve, menaxhimin e fondeve, korporatat, sektorin bankar, administratën shtetërore etj.

 

Programet për zhvillimin e profesionit të aktuarit në vend

Programi i asistencës teknike nga qeveria amerikane USAID, inicioi një projekt në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për të vlerësuar nevojat dhe për të zhvilluar më tej këtë profesion në vend. Në fillim të vitit 2005, nëpërmjet këtij programi, në Tiranë erdhën ekspertë të Institutit dhe Fakultetit Britanik të Aktuarëve për të studiuar tregun shqiptar dhe atë kosovar dhe për të identifikuar nevojat për zhvillimin e profesionit të aktuarit. Këta profesionistë ndërkombëtarë, si produkt përfundimtar, dizenjuan një program trajnimi afatgjatë, në nivel post-masteri shumë profesional, për Shqipërinë dhe Kosovën për certifikimin e aktuarëve të parë në vend, i cili përmbushte nevojat aktuale në përputhje edhe me nivelin e zhvillimit të tregut.

Dy Programet e para afatgjata të kualifikimit profesional për aktuar, u zhvilluan respektivisht gjatë viteve 2006 – 2007 dhe 2009 – 2011, dhe pas një pune të palodhur dhe me vështirësi të mëdha u certifikuan gjithsej 22 aktuarët e parë në vend (më specifikisht 20 nga Shqipëria dhe 2 nga Kosova). Këta aktuarë kanë krijuar në Shtator të vitit 2008 edhe Shoqatën e Aktuarëve të Shqipërisë (ShASh), e cila është shtuar në numër me përfundimin e secilit program afatgjatë kualifikimi profesional.

Këto programe kanë kontribuar për të vendosur themelet e dijes së shkencës aktuariale dhe kanë prezantuar të gjithë pjesëmarrësit me zbatimin praktik të metodave dhe teknikave aktuariale, të cilat shërbejnë në industrinë e sigurimeve (sigurimin e Jetës dhe të Jo-Jetës), fondet e investimit, fondet private të pensioneve etj. Ato kanë shërbyer gjithashtu si një hap i parë i rëndësishëm drejt krijimit të një shkolle aktuariale të përhershme në Shqipëri, të mbështetur edhe nga Shoqata ShASh.

 

Ndryshimet e tregut dhe nevoja për rritjen e numrit të aktuarëve

Sektorët e shërbimeve financiare në Shqipëri dhe Kosovë po zgjerohen me shpejtësi, por profesioni i aktuarit ka mbetur i pazhvilluar për sa i përket produkteve dhe numrit të aktuarëve. Duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet në tregun vendas, kriteret ligjore, rregulloret në fuqi etj., më poshtë është ilustruar numri i aktuarëve të certifikuar nëpërmjet programeve afatgjata të zhvilluar në vend dhe të licencuar për të ushtruar aktivitetin si aktuar.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si Autoriteti mbikëqyrës dhe rregullator i profesionistëve të licencuar si aktuarë, ka mbështetur gjithnjë rrugën e nisur drejt formimit të profesionit të aktuarit në Shqipëri dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij. Për këtë arsye, duke parë edhe interesin e madh të treguar nga tregu dhe ndërgjegjësimin e më shumë individëve për rëndësinë e këtij profesioni në rritje, sa të bukur dhe të vështirë, u zhvillua Programi i tretë afatgjatë për kualifikim profesional për aktuar nga i cili u certifikuan 8 aktuarë nga Shqipëria dhe 1 nga Kosova. Ky program u organizua gjatë viteve 2015 – 2017 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nëpërmjet Qendrës së Edukimit, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin dhe Fakultetin Britanik të Aktuarëve, si dhe me pjesëmarrjen e Shoqatës ShASh.
Ndryshe nga dy programet e para, duke pasur parasysh edhe zhvillimet ndërkombëtare dhe për të përafruar dhe për të përshtatur këtë program trajnimi me kërkesat dhe zhvillimet e tregjeve në zhvillim, programi mësimor i këtij trajnimi të tretë u zgjodh në përputhje me programin e Shoqatës Ndërkombëtare të Aktuarëve (IAA) dhe u bazua në praktikat më të mira të Institutit dhe Fakultetit Britanik të Aktuarëve.

 

 

Organizimi i aktorëve të tregut në nxitjen e praktikave më të mira

Instituti dhe Fakulteti Britanik i Aktuarëve ka kontribuar për të gjitha programet e trajnimit afatgjatë të zhvilluar në vend duke ofruar ekspertizën e huaj (know-how) nëpërmjet anëtarëve të tij, të cilët me shumë përkushtim dhe profesionalizëm kanë dhënë leksion modulet e këtyre programeve me materialet e duhura mësimore, si dhe kanë kontribuar në hartimin dhe korrigjimin e testimeve për secilin modul mësimor.

Instituti dhe Fakulteti Britanik i Aktuarëve është Organizmi i vetëm profesional Mbretëror i licencuar në Mbretërinë e Bashkuar, i cili i dedikohet arsimimit, zhvillimit dhe rregullimit të profesionit të aktuarit në Mbretërinë e Bashkuar dhe kudo në botë.

Si një organizëm profesional, i cili operon në interes të publikut, Instituti dhe Fakulteti Britanik i Aktuarëve punon me punëdhënësit dhe grupet përkatëse të interesit për të inkurajuar dhe për të zhvilluar punonjësit e tyre aktuarë për të përparuar në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shkencën aktuariale dhe zbatimin e saj, si dhe promovimin e këtij profesioni. Instituti dhe Fakulteti Britanik i Aktuarëve ka përgjegjësinë kryesore për të rregulluar profesionin e aktuarit dhe kujdeset që anëtarët e tij të angazhohen dhe të plotësojnë kërkesat e edukimit profesional në vazhdimësi.
Shoqata e Aktuarëve të Shqipërisë, si një shoqatë e re dhe me dëshirë për rritje, kontribuoi gjatë programit të tretë duke ofruar anëtarët e saj për të dhënë leksion njërin nga modulet e programit dhe duke udhëhequr temat e diplomës për të gjithë aktuarët e rinj.

Shoqata e Aktuarëve të Shqipërisë është një shoqatë jofitimprurëse, e cila ka për qëllim zhvillimin, përmirësimin dhe promovimin e profesionit të aktuarit dhe shkencave aktuariale, aplikimin praktik, si dhe zhvillimin profesional të aktuarëve në vend. Shoqata ShASh është “Anëtar i Asociuar” i Shoqatës Ndërkombëtare të Aktuarëve. Nga kjo Shoqatë profesionale pritet një aktivizim më i madh në treg për të inkurajuar zhvillimin profesional dhe rritjen e kapaciteteve vendase më tej.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nëpërmjet Qendrës së Edukimit, kontribuoi me organizimin dhe koordinimin e programit të tretë të certifikimit në vend, duke përzgjedhur edhe profesorë të shquar vendas me shumë përvojë, për të mbajtur sa më lart nivelin e mësimdhënies. Programi i tretë u përbë nga 14 module bashkë me testimet përkatëse, duke funksionuar si proces zinxhir i kalueshmërisë dhe u mbyll me mbrojtjen e një teme diplome rreth 10.000 fjalë nga secili prej pjesëmarrësve, duke aplikuar teknikat dhe metodologjitë aktuariale, si dhe zbatimin e këtyre ideve në një situatë praktike. Këta aktuarë të certifikuar rishtazi, pas një rruge shumë të gjatë dhe të vështirë janë të motivuar për të qenë pjesë e Shoqatës ShASh, duke mundësuar kështu fillimin e aplikimit të kësaj Shoqate si anëtar me të drejta të plota në Shoqatën IAA, proces i cili kërkon përmbushjen e disa kritereve dhe ndoshta do të marrë kohë. Instituti dhe Fakulteti Britanik i Aktuarëve është angazhuar për të dhënë kontributin e tij për të lehtësuar këtë proces, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të këtij profesioni dhe rritjen e kapaciteteve vendase.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si Autoriteti mbikëqyrës dhe rregullator, do të vijojë të mbështesë profesionin e aktuarit për të qenë plotësisht i pavarur në treg, me qëllim rritjen e cilësisë në dhënien e opinioneve të tyre të pavarura për të vlerësuar mjaftueshmërinë e provigjoneve teknike, cilësinë e marrëveshjeve të risigurimit, procesin e marrjes në sigurim, aftësinë paguese të shoqërive të sigurimit me qëllim final të kontribuojmë në qëndrueshmërinë e shëndetit financiar të tregjeve nën mbikëqyrje dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.

 

*Kryespecialiste në Sektorin e Edukimit Financiar

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of