Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi sot se rezultatet e para të analizave tregojnë se mishi nga Brazili është brenda normave të lejuara për konsum.
Pas bllokimit të mishit që importohej nga Brazili, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mori mostrat për të bërë analizat e këtij produkti. Mostrat janë çuar në laboratorët e AKU-së, por edhe në laboratorin e referencës pranë ISUV.
Nga përgjigjet e analizave të ardhura nga laboratorët e AKU-së rezulton se parametrat e mishit që ka ardhur nga Brazili, janë brenda normave të lejuara nga ligji.
Meqenëse kanë dalë vetëm përgjigjet e analizave nga laboratorët e AKU-së, produkti do të vijojë të qëndrojë i bllokuar deri në daljen e analizave edhe nga laboratori i referencës pranë ISUV.
Vitin e kaluar, 25% të importeve totale të mishit Shqipëria i pati nga Brazili.
Importet e mishit dhe të ngrënshmeve të tij shënuan 38 mijë e 851 tonë në vitin 2016, nga të cilat 9701 tonë ishin nga Brazili, i cili kryeson listën vendeve nga ku Shqipëria importon mish.
Blerja e mishit nga Brazili për nevojat e konsumit të brendshëm ka pësuar luhatje nga viti në vit, por gjatë vitit 2016, ato u rritën me 23%.
Në vitin 2010, mishi brazilian i importuar në vendin tonë arriti në 12 mijë e 395 tonë dhe më pas në vitin 2011 shënoi rënie me 17%. Rënia vijoi edhe gjatë viteve 2012 dhe 2013 me ritme dyshifrore duke nisur sërish rritjen me rreth 80% në vitin 2014. Në vitin 2015 është vënë re ulje e importeve të mishit nga Brazili me 33%, por ato u kompensuan në vitin 2016.
Më herët gjatë javës së kaluar, autoritetet braziliane kanë pezulluar 33 zyrtarë të lartë të qeverisë pas një investigimi, i cili ka gjetur se ata kanë qenë të lidhur me prodhuesit e mëdhenj të mishit dhe në vend është shitur një sasi e madhe pulash dhe mishi i kalbur.
Dhjetëra impiante të përpunimit të mishit atje janë mbyllur dhe vendi është përfshirë nga një kontroll masiv për të parandaluar konsumin e mëtejshëm të tij.
Sakaq e gjithë bota është përfshirë në panik pasi Brazili është një nga prodhuesit më të mëdhenj të mishit në botë dhe eksporton një sasi të madhe të tij në Europë.
Në raport-progresin 2015 të Bashkimit Europian për Shqipërinë konstatohet se nuk janë ndërmarrë ende procedurat e brendshme dhe planet operative të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Nuk janë bërë hapa për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional për sistemin e sigurisë ushqimore.
AKU-ja është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në Shqipëri, i cili është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesat ligjore, ekonomike dhe sociale që rrjedhin përkatësisht nga zbatimi i MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.