Flet Jani Taçi, inxhinier, Akuaponik Albania
Në fund të vitit 2012, një video në YouTube do të grishte kuriozitetin e Jani Taçit, për një lloj sere që po qarkullonte gjerësisht në internet. Ishte modeli i një sere akuaponike, që nuk e kishte hasur më parë dhe që njëkohësisht rriste peshq e bimë.
Kurioziteti e shtyu që në akuariumin e shtëpisë ku kishte peshq dekorativë të eksperimentonte edhe me bimët. Ky eksperiment rezultoi i suksesshëm. Nga ajo kohë e në vazhdim, tentativa e tij është të zgjerojë serën që ka diku në autostradën Tiranë-Durrës për të prodhuar më shumë. Në një intervistë për “Monitor” ai konfirmon se prodhon kale dhe 4-5 lloje sallatash një pjesë të të cilave i dorëzon në një dyqan në kryeqytet.
Si lindi ideja për Aquaponik Albania, sera që ju menaxhoni dhe që kombinon rritjen e peshkut dhe sallatave?
Gjithçka nisi me një video në internet në fund të vitit 2012. M’u duk diçka e veçantë dhe më pëlqeu si ide kjo pjesa e akuaponisë. Nisa të eksperimentoj në shtëpi në një pjesë të vogël të akuariumit.
Rezultati i parë ishte i suksesshëm ndaj vendosa që eksperimentimin ta zhvendosja në një serë me sipërfaqe 100 metra/katror. Këtë e ndërtova në vitin 2013 dhe një vit më vonë kalova në një sipërfaqe edhe më të madhe me një total prej 800 metra/kator por nuk është e gjitha me akupon. Gjysma është akuapon dhe gjysma e zakonshme.
Çfarë peshqish përdorni për të plotësuar ciklin për të cilën karakterizohet kjo lloj sere?
Përdor peshq dekorativë që mbahen nëpër akuariume sepse sistemi që të funksionojë do peshq të ujërave të ëmbla, dhe dekorativi ishte peshku më i përshtatshëm për kushtet e Shqipërisë. Jashtë përdorin peshk që është po i ujërave të ëmbla, por që është për konsum. Nuk ekziston tek ne. Ai do ujëra të ëmbla dhe temperaturë konstante. Në kushtet që kam në serë, nuk mund ta përdor.
E kam nisur më shumë si pasion dhe eksperiment, nuk është diçka komerciale apo biznes i mirëfilltë. Në Shqipëri është tërësisht e re. Madje edhe nga Universiteti Bujqësor nuk ka shumë informacion për këtë si sistem. Kam pasur dy studentë nga ky universitet, të degës së Akuakulturës për të mbrojtur masterin me një temë që lidhet me akuaponinë.
Cila është diferenca që kanë produktet që prodhohen me këtë lloj sistemi, si funksionon pjesa që lidhet me pesticidet?
Produktet e këtij sistemi janë natyralë, biologjikisht të pastra sepse nuk mund të fusësh asnjë lloj pesticidi për spërkatje dhe asnjë lloj kimikati për nxitjen e rritjes. Uji është i riciklueshëm dhe duke qenë i tillë po të përdorësh ndonjë lloj helmi, problemi do të shfaqet tek peshqit të cilët janë shumë të ndjeshëm. Pra e vetmja gjë ekstra është ushqimi i peshkut.
Ajo që mund të sajosh në kushte të tilla, të paktën ajo që bëj unë është spërkatje me hudhra ose spec djegës, është një lloj recete që ndjek për ta krijuar dhe më pas e filtron dhe bën spërkatjen. Në këtë sistem motori është peshku dhe vëmendja jote duhet të jetë tek ai çka të detyron ty të jesh vigjilent për të kontrolluar kushtet e ujit, të masësh temperaturat dhe parametrat e tjerë të ujit që të jenë optimalë. Ka aparatura të veçanta me të cilat ti kontrollon nivelin e nitrateve, pehashit dhe fortësinë e ujit. Kryesisht pehashi duhet të jetë 7 që është neutral dhe është një e mesme e artë dhe për bimët (kryesisht ato e duan 6.5-7).
Ju prodhoni vetëm për vete në këtë serë apo edhe shisni?
Prodhoj për vete dhe një pjesë e vogël çfarë më tepron e çoj në një dyqan.
Çfarë kultivoni në përgjithësi në këtë hapësirë?
Momentalisht merrem vetëm me gjethurina që janë sallatat, kale, sallatë e kuqe, lloje të ndryshme. Rreth 4-5 lloje sallatash.
A ka leverdi kjo lloj sere për ju?
Për kushtet që jemi ne sot në Shqipëri nuk mendoj se ka leverdi për shitje në treg masiv. Tregu këtu nuk është i kontrolluar. Në të gjithë botën, produktet e pastra shiten shtrenjtë, kurse këtu tek ne, edhe nëse e ke këtë lloj produkti, nuk ke ku ta shesësh.
Tregtarët e shumicës shohin çmimin, pastaj cilësinë. Po nuk u vunë rregulla të qarta loje, kushdo që të përpiqet të prodhojë pastër do të ketë probleme me çmimin pasi në fund është debati i investimit.
Keni menduar ndonjëherë që të zgjeroni më shumë se kaq?
E kam parë mundësinë, por ky është një investim që kërkon financime të mëdha. Me të ardhurat e mia kam arritur të ndërtoj kaq. E meta e sistemit është që ka një kosto investimi të lartë dhe të ardhurat nuk vijnë menjëherë, por shtrihen gjatë në kohë, nëse sera është e vogël. Investitorët shqiptarë janë mësuar që të hedhin sot paratë dhe duan nesër fitimin.
Kjo lloj ferme nuk gjendet për mbështetje as në politikat që ka shteti për prodhimin. Akuaponia dhe hidroponia janë të panjohura këtu, kurse Holanda apo vende të tjera 90% të prodhimit e kanë me hidroponi. Këtu tek ne nuk njihet. Në Institutin Bujqësor, shumë pak është dhe në literaturë mesa kam dëgjuar.
A mund të bëjmë një përllogaritje sa investim fillestar do një fermë 1 mijë metra/katrorë me këtë lloj sistemi dhe përftimi që merr prej saj?
Po ta kisha menduar në këtë aspekt, nuk do t’i hyja ndonjëherë pjesës së akuaponisë eksperimentale, por mua më ka gënjyer rezultati i parë i serës, i cili pati një prodhim shumë të mirë. Kam prodhuar nga domatet tek patëllxhani, qepa. Një produkt që rritet në këto kushte, dallohet menjëherë që nga pamja dhe shija. Mund të marrësh prodhim të mirë dhe unë siç ju thashë, pak shes, pjesën tjetër e çoj për bamirësi dhe konsum vetjak.
Për kuriozitetin tim, kam bërë analizat e produkteve në fund të shkurtit të këtij viti. Rezultatet ishin pozitive me të gjithë parametrat. Kur çoj në dyqan produktet, u çoj edhe këtë të analizave, edhe pse ata nuk ma kërkojnë por vë re një zvarritje të madhe me pjesën e burokracisë për të marrë përgjigje.
Ka kërkesë gjithmonë e më të madhe për produktet e kësaj natyre por unë s’kam kapacitet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.