Akulloret “Made in Albania” rrëmbejnë tregun vendas

22/08/2018 4:01 PM 0 komente

Akulloret e prodhuara në vend kanë njohur rritje në vitet e fundit. Konsumatorët janë më të orientuar drejt prodhimeve të freskëta. Prodhimi i akullores u rrit me 15% në vitin e fundit, ndërsa importet po shënojnë vit pas viti humbje të tregut në Shqipëri. Prodhimi vendas i akulloreve zë rreth 73% të tregut, ndërsa 27% nga akulloret e importit. Nga akulloret e lira tradicionale, te recetat sekrete të akulloreve moderne, çfarë po konsumojnë tani shqiptarët.

Nga Ledina Loga

Pasditen e së dielës, kur të gjithë makinat e plazhistëve të Gjirit të Lalëzit nisen në drejtim të Tiranës, sapo i afrohesh fshatit Armathë, vërehet vargu i gjatë i automjeteve që kanë mbetur në trafik. Edhe pse gjatë rrugës numërohen më shumë se pesë efektivë policie, fatmirësisht nuk ka ndodhur asnjë aksident. Makinat janë vendosur në radhë për të blerë akullore në dyqanin e Pëllumb Kurtit.

Rreth 24 vite më parë, Pëllumbi kishte një punishte modeste të përpunimit të qumështit në akullore në fshatin Armathë të Durrësit. Sot, biznesi i tij është zgjeruar, dyqani është zhvendosur prej qendrës së fshatit buzë rrugës kryesore të Gjirit të Lalëzit. Në një ditë të zakonshme, ai shet deri në 150 kilogramë akullore, ndërkohë që po planifikon ndërtimin e një godine të re trekatëshe. Pavarësisht se u ka mundësuar klientëve rreth 2 dynymë tokë për të parkuar në oraret e pikut, asgjë nuk mund të ndihmojë në menaxhimin e turmës.

Ky është një biznes me cikël të mbyllur. Përveç dyqanit të akulloreve, Pëllumbi ka një fermë ku numëron 25 krerë lopë, prej të cilave merr lëndën e parë. I gjithë sekreti, përveç formulës speciale që e kanë vetëm anëtarët e familjes Kurti, është lënda e parë. Në vitin 1995, ai hoqi nga ferma të gjithë bagëtitë që kishte, por pas dy viteve e pa që ishte e pamundur që të operonte. Pëllumbi tha se në ato vite filloi të humbiste kontrollin ndaj cilësisë, furnitorët nuk i sillnin cilësinë e parë që ai kërkonte për akulloret dhe për këtë arsye, u detyrua të krijonte sërish fermën.

Me famën që mori dyqani i tij i vogël i akulloreve dhe ëmbëlsirave, thotë se ka marrë oferta të panumërta, si për të shitur biznesin, ashtu edhe për ta transferuar në kryeqytet.
“Kam marrë oferta nga biznesmenë në Zvicër, në Slloveni”, tregon Pëllumbi për “Monitor”.
Frika e tij e vetme për t’u zgjeruar më tej është krahu i punës. “Në shumë pak vite, nuk do të kem më kë të punësoj në fshatin Armathë të Durrësit, të gjithë të rinjtë po ikin nga këtu. Por, edhe ata që janë, shpeshherë nuk kanë interes për punën” – shton Pëllumb Kurti. Aktualisht, në punishten e tij të akullores, punëson rreth 9 vetë, të cilët janë familjarë, ose miq të familjes.

 

Akulloret “Made in Albania”, në rritje të vazhdueshme

Prodhimi vendas i akullores po njeh një zgjerim të vazhdueshëm në vitet e fundit. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë flasin për rritje të prodhimit të akullores prej agroindustrisë. Gjatë 2017-s prodhimi i akullores në vend ishte 1,154 tonë, me një rritje prej 15% të prodhimit krahasuar me një vit më parë.

Aktorët kryesorë të tregut tregojnë se së fundmi, shitjet për produktin e akullores nuk janë thjesht sezonale, por prodhohen gjatë gjithë vitit. Në dimër, ka një rënie të lehtë të prodhimit, duke qenë se dhe pastiçeritë fokusohen në prodhimin e ëmbëlsirave.

Rritja e prodhimit vendas dhe tendenca për të kërkuar produkte të freskëta, të cilat nuk kanë qëndruar gjatë të ngrira në frigorifer, reflektohet edhe nga të dhënat e doganës mbi importet e akulloreve.
Importet e akulloreve kanë shënuar rënie të vazhdueshme në pesë vitet e fundit, si në vlerë edhe në sasi.
Nga viti 2013 deri në 2017, sasia e importuar e akulloreve ka rënë me 83%. Referuar të dhënave të doganës, në 2017-n u importuan nga jashtë 434 tonë akullore, me një vlerë prej 1.4 milionë dollarë.

Pesha e akullores së importuar në 2013-n, sipas të dhënave është 2,587 tonë, me vlerë 8.1 milionë dollarë.
Referuar të dhënave mbi importet nga Dogana dhe të dhënave për sasinë e prodhuar në vend, një shqiptar ka konsumuar mesatarisht 0.57 kilogramë gjatë 2017-s.

Vendet kryesore prej të cilave kemi importuar akullore mbeten partnerët tanë kryesorë në tregti, si Italia dhe Greqia. Sipas të dhënave të Doganës, akulloret e importuara nga Italia ishin 301 tonë, me vlerë 900 mijë dollarë dhe vendi i dytë është Greqia, 133 tonë, me një vlerë 571 mijë dollarë. Mbështetur te të dhënat, 27% e tregut e zënë akulloret e importit dhe 73% janë prodhim vendas.

 

Nga akulloret tradicionale te recetat e reja

Prej tre vitesh, “Cioccolatitaliani”, është një ndër lokalet trend të Tiranës, në zonën e Bllokut, që përveç vendasve tërheq edhe mjaft turistë me akulloret dhe ëmbëlsirat. Në Tripadvisor, akulloret e këtij dyqani kanë marrë vlerësime pozitive prej turistëve me origjinë nga të gjitha kontinentet. Por nuk mungojnë as komentet se janë shumë të shtrenjta për një vend si Shqipëria.

Fatmiri, menaxher prej tre vitesh, thotë për “Monitor” se kanë qenë në rritje të vazhdueshme, duke qenë se konsumatorët tashmë kërkojnë akullore të freskëta, të prodhuara në moment. Konsumi mesatar ditor i akullores në këtë lokal është 70-80 kg, por në raste piku, konsumi ditor i akullores shkon deri në 100 kilogramë.

Sipas përvojës së tij në treg, Fatmiri thotë se konsumi është edhe në varësi të vendit. Nëse në qytetet bregdetare ka konsum më të lartë gjatë ditëve të fundjavës, në Tiranë konsumi është më i lartë gjatë ditëve të para të javës.
Lokali është franchise i një biznesi të huaj. Të gjitha recetat speciale janë pronë intelektuale e zyrave qendrore dhe janë të mbrojtura.
Çmimet variojnë nga 360 lekë për kupat e vogla, ndërkohë që për kupat dhe recetat speciale çmimi varion mbi 900 lekë.

 

Një recetë “sekrete” që e dinë vetëm dy vetë

Emirjon Bazhdari dhe Alketa Zyfi, pesë vite më parë u kthyen nga emigracioni për të sjellë në tregun shqiptar një lloj akullore të veçantë, të prodhuar jo prej qumështit (siç bëhet akullorja tradicionale), por prej kosit. Ata hynë në treg në vitin 2012, por në atë kohë nuk e kishin menduar kurrë që biznesi do të kishte një super rritje, siç e cilëson vetë Alketa. Aktualisht numërojnë pesë dyqane të prodhimit të jogurtit (akullore prej kosit të ngrirë), katër prej të cilëve janë në kryeqytet, ndërsa një tjetër e kanë hapur në Gjirin e Lalëzit.

Për sa i përket recetës së akullores që prodhohet në dyqanet e tyre, asnjë prej të punësuarve në dyqan nuk e di sekretin. Të dy bashkëshortët janë të vetmit që dinë masat që duhen të hidhen për të nxjerrë akulloret prej kosit. Yogurteria ka nxitur edhe prodhimin e reçeleve, të cilat shërbejnë si shoqëruese me akulloret.

Çmimet e akulloreve prej kosit variojnë nga 150 lekë për kupat e vogla, 200 lekë për kupat e mesme, 250 lekë për kupat e mëdha dhe 500 lekë kupa speciale. Çdo shije shoqëruese (reçel, shurup, apo përzierje çokollatash) kushton 50 lekë.
Edhe administratorët e Yogurterisë tregojnë se tashmë akulloret nuk po njohin më sezon, por po konsumohen njëlloj si në dimër edhe në verë.

Shqiptarët, konsumatorët më të mëdhenj të akullores italiane në rajon

Akulloret italiane janë të famshme në të gjithë botën. Tani që është verë, ato shpërndahen në pjesën më të madhe të botës. Po sa është vlera dhe konsumi i tyre në Shqipëri?
Sipas të dhënave të publikuara nga “Il Sole 24 Ore”, vlera tregtare e akulloreve italiane në Shqipëri është rreth 904 mijë dollarë, ndërsa pesha neto është rreth 300 mijë kg. Çmimi mesatar për kilogram është 3 dollarë.
Në total, sipas llogarive, sasia mesatare e akulloreve italiane për 1000 banorë është 104.6 kg.

Krahasuar me rajonin, shqiptarët janë konsumatorët më të mëdhenj të akulloreve italiane. Në Malin e Zi, konsumi vjetor i akulloreve italiane për 1000 banorë është 21.6 kg, në Bosnjë dhe Hercegovinë 14.5 kg, në Serbi 17.6, ndërsa Maqedonia ka një sasi të ulët të akulloreve italiane të eksportuara në vend.

Referuar çmimit mesatar për çdo kg të akullores italiane në vendet e rajonit, Shqipëria ka çmimin më të ulët. Në Maqedoni, çmimi është 3 $, në Malin e Zi është 6.1 $, në Serbi është 3.47 $, ndërsa në Bosnjë 5.8 dollarë/kg.
44 milionë euro, apo 13 mijë tonelata me akullore italiane janë shitur te gjermanët, të cilët janë konsumatorët numër një të akullores së prodhuar në Itali, të ndjekur nga spanjollët me 31 milionë dollarë dhe qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar me 29 milionë dollarë.

Bazuar në shifrat e nxjerra, “Il Sole 24 Ore” ka renditur edhe vendet që kanë çmimin më të lartë. Në Japoni, çmimi mesatar për kilogram i akulloreve italiane të eksportuara është 7.5 dollarë, në Zvicër 6.1 dollarë dhe në Norvegji 5.1 dollarë. Ndërsa në vendet e tjera, ku përdoret monedha euro si në Itali, vlera mesatare për kg e akulloreve italiane në Belgjikë është 5.1 dollarë, në Shqipëri 3 dollarë, ndërsa në Greqi 2.7 dollarë.

Ndërsa për sa i përket konsumit, vendin e parë e mbajnë danezët me 255 kg për 1000 banorë çdo vit, ndjekur nga spanjollët dhe sllovenët. Në Shqipëri, konsumi për 1000 banorë është 104.6 kg.

 

Akullorja më e shtrenjtë në botë kushton 817 dollarë një kupë

Po kërkoni që të freskoheni dhe të boshatisni kuletën këtë verë? Nëse keni planifikuar që këtë verë të shkoni, “Scoopi Cafe” në Dubai, një dyqan akulloresh, shërben “akulloren më të shtrenjtë në planet”.

Megjithëse, Guinness zyrtarisht rendit Serendipity të 3-in me akulloren “Frrrozen Haute Chocolate”, si ëmbëlsirën më të shtrenjtë në botë, kostoja e saj e lartë vjen kryesisht nga byzylyku prej ari dhe diamanti prej 18 karatësh, që vjen së bashku me lugën e artë.

Ëmbëlsira “Black Diamond” e “Scoopi” ka një bazë relativisht të thjeshtë të akullores së Madagaskarit. Por kupat e saj janë ku janë paratë. Është e kurorëzuar me zhardhokët italianë dhe me shafran të rrallë iranian, të cilat mund të shiten me pakicë për 100 dollarë për ons (1 ons= 28 gr). Ëmbëlsira gjithashtu ka në përbërje fletë të ngrënshme prej ari 23 karatësh.

“Black Diamond” vjen me një dhuratë pas konsumit – tasin e “Versace” me të cilin konsumohet së bashku me lugën që përputhet.

 

Shqiptarët u rikthehen ëmbëlsirave; Rritet importi i sheqernave, por dhe obeziteti e diabeti!

Nuk është e panjohur se konsumi i lartë i sheqerit nuk është i mirë për shëndetin. Teprimi me sheqerin, sipas studimeve, sjell shqetësime në të gjithë organizmin, si dhe është një ndër faktorët kryesorë për t’u prekur nga diabeti dhe obeziteti. Sheqeri është edhe ndër përbërësit kryesorë të akulloreve. Pastiçerë të ndryshëm, për të mos dëmtuar shëndetin për të sëmurët kronikë të diabetit, por edhe me qëllimin për të kapur pjesë tregu nga ky target-grup kanë prodhuar akullore për diabetikë.

Edhe pse pasojat negative në shëndet janë të njohura nga të gjithë, importet e sheqernave shënuan rritje gjatë 2017-s, ku sipas të dhënave të INSTAT-it janë importuar rreth 83.8 milionë kg sheqer dhe produkte të tij, apo 5.5 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, importet e sheqerit janë rritur me 33%. Në 2016-n, sasia e importuar në kilogramë ishte rreth 62.8 milionë kilogramë. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, një shqiptar ka konsumuar mesatarisht rreth 29.9 kg sheqer e produkte të tij gjatë 2017-s.

Konsumi i sheqerit për frymë ka ardhur në rritje. Sipas të dhënave nga indiansugar.com, ky tregues në 2009-n, ishte 25 kg, viti i cili kishte edhe sasinë më të ulët të importuar.

Për periudhën nga 2005-2017, 2008-a mban rekord për sasinë e importuar me 91.5 kilogramë. Më pas, importi erdhi me rënie, duke u luhatur në sasitë 50-60 milionë kilogramë, teksa shqiptarët filluan të tregoheshin më të kujdesshëm për shëndetin. Në vitin që lamë pas, importet iu rikthyen rritjes, i shoqëruar dhe me një shtim të lokaleve që tregtojnë ëmbëlsira, të cilët janë kthyer në modë dy vitet e fundit.

 

Në rritje dhe obeziteti

Obeziteti është cilësuar si sëmundja e shekullit dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetit është më shumë se dyfishuar nga 1980, duke marrë përmasa epidemike.

Pas një rënieje në Shqipëri deri në vitin 2014, ai është rritur sërish ndjeshëm dy vitet e fundit, duke paralajmëruar shtimin e një sërë sëmundjeve të lidhura me të, ku më kryesori është diabeti.

Nga të dhënat më të fundit të publikuara nga CIA World Fact Book, prevalenca e obezitetit te të rriturit në Shqipëri arriti në 21.7% të popullsisë në vitin 2016, nga 18.1% që ishte ky tregues në 2014-n, duke u renditur në vend të 74, nga 180 vende ku ka të dhëna të vlefshme. Në krahasim me 2014-n, kur kishim prevalencën më të ulët në rajon për sa i përket obezitetit, Shqipëria renditet tashmë në vendin e tretë. Në vendin e parë me prevalencë më të lartë është Mali i Zi, me 23.3%.

Të dytët me normë më të lartë janë maqedonasit, ku sipas të dhënave për vitin 2016, prevalenca e obezitetit ishte 22.4%. Ndërsa më elegantët e rajonit janë boshnjakët me 17.9% dhe serbët me 21.5%.

Indeksi i Masës Trupore (BMI) përllogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi në kg me gjatësinë e tyre në katror dhe është një tregues nëse personi ka një peshë të shëndetshme apo jo. Nëse indeksi i masës trupore është mbi 25 tregon mbipeshë, mbi 30 tregon obezitet dhe mbi 40 tregon obezitetin patologjik.

 

Diabeti, rritet dukshëm prevalenca

Niveli i standardizuar i vdekshmërisë nga diabeti në Shqipëri në vitin 1990 ishte 3.5 për 100,000 banorë, i shfaqur jashtëzakonisht i ulët, i cili mund të shpjegohet me dietën e shëndetshme dhe aktivitetin fizik gjatë regjimit komunist. Por, të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në vitin 2014, prevalenca e diabetit ishte rritur ndjeshëm, në 16.8 për 100 mijë banorë.

 

Sheqeri, armiku i trupit

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sheqeri për shëndetin paraqitet më i dëmshëm se kolesteroli i keq. Kjo na vjen sidomos nga pijet që përmbajnë sheqer, ëmbëlsirat dhe ushqimet e paketuara.

Sipas specialistëve, faktori kryesor që ndikon drejtpërdrejt në mbipeshë është kequshqyerja. Kufizimi në përdorimin e tyre zvogëlon rrezikun e diabetit dhe obezitetit dhe parandalon kariesin.

Jetët tona janë shumë të ëmbla. Ne kemi nevojë të reduktojmë sheqerin. Një lugë çaji në dy është shumë më tepër se ajo që kërkon trupi ynë. Kjo është arsyeja se pse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sapo ka botuar linjat e saj të guidës, me rekomandimin për të reduktuar sasinë e ëmbëlsisë në kafe, por e infiltruar në një mënyrë pak a shumë dinake edhe në kos, lëngjet e frutave, pijet e gazuara, drithërat për mëngjes dhe biskotat. Në këmbim të një diete më të hidhur do të jetë më e lehtë të mbani peshën e duhur, për të parandaluar diabetin dhe duke iu përmbajtur rreptësisht direktivave. Rekomandimet e OBSH bazohen te mjalti dhe ato të sheqernave të tjera të lira: atyre të shtuar gjatë përpunimit të ushqimit.

Nuk ka limit për frutat, perimet dhe qumështin. Qëllimi është të mos kaloni 50 gramë në ditë, ekuivalente me 200 kalori dhe 10-12 lugë çaji, nëse do të ishte e lehtë për të hamendësuar përmbajtjen e produkteve industriale (në SHBA 8 produkte në 10 në supermarket janë të ëmbëlsuara). Një kanoçe pije me gaz përmban 10 lugë sheqer, një lëng 5, drithërat e mëngjesit gati 4 dhe disa lugë çaji gjenden në kosin me fruta. Për të arritur kuotën prej 12 (baras me 10%të kalorive të përditshme) është pra më e lehtë nga sa mund ta mendojmë, edhe duke sakrifikuar që ta pimë kafen ‘shqeto’.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of